Më 10 shtator 1957, fotografi i Washington Daily News, William C. Beall, u caktua për të mbuluar një paradë të organizuar nga Shoqata e Tregtarëve Kinez në Washington D.C. Vëmendja e tij ishte drejtuar nga procesioni i ngjyrshëm dhe ritmet që shoqëronin vallëzimin e luanit kinez. Por arti i vërtetë i një fotografi qëndron te shikimi përtej të dukshmes.
Me bisht të syrit, Beall dalloi një çast që nuk kishte asgjë të programuar, por gjithçka të përjetshme: një djalosh i vogël, i pushtuar nga mahnitja dhe kureshtja fëminore, u shkëput nga turma për të parë më afër spektaklin. Në atë çast, një oficer policie, shtatlartë dhe i përmbajtur, u përkul mbi të, jo për ta ndaluar me ashpërsi, por për t’i folur me durim e butësi, duke e këshilluar se nuk ishte e sigurt të kalonte rrugën mes paradës.
“Papritur pashë foton, drejtova kamerën time dhe klikova”, do të rrëfente më pas Beall.
Nga ajo shtypje e butë e këmbëzës së aparatit lindi një nga imazhet më ikonike të fotografisë së shekullit XX. Një foto që nuk është thjesht dokumentim, por poezi e gjallë, ku përballë një force të rritur, autoriteti i uniformës, shfaqet pafajësia e fëmijërisë, jo në përplasje, por në dialog të qetë e njerëzor.
Ky imazh i kristaltë i kuriozitetit, frikës dhe besimit njëkohësisht, i solli William C. Beall çmimin Pulitzer më 1958.
Në këtë kornizë të vetme është shndërruar në përjetësi një e vërtetë njerëzore: kur autoriteti ulet në nivelin e pafajësisë, lind besimi; dhe kur një fëmijë ngre sytë lart, shohim aty pasqyrën e shpresës.
Një fotografi që mbetet jo vetëm kujtesë e një parade, por metaforë e marrëdhënies së njeriut me botën: shtatlarti që përkulet, i vogli që shikon lart, dhe shpirti që ndalet mes habisë dhe dashamirësisë.
Përgatiti: Albert Vataj
- Martinelli hyn në historinë e Kupës së Botës, goli i fitores ndaj Japonisë vendos rekord të ri - 29/06/2026
- “Në fillim u tha që Rama gënjen për Ivankën, pastaj pse po vjen”/ Buzhala për protestat: Projektin nuk e duan ata në Berlin dhe kushërinjtë e mi në Klinë - 29/06/2026
- Video/ Nga ferri në parajsë, Brazili mund Japoninë në frymën e fundit dhe kualifikohet në 1/8-at e Botërorit - 29/06/2026