Policia ka njoftuar masat e marra për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë ndeshjes Shqipëri-Finlandë, e cila do të zhvillohet sot, më 12 nëntor, në orën 20:45, në stadiumin “Air Albania”.
Për shkak të organizimit të këtij aktiviteti sportiv, nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes do të bllokohen disa rrugë në kryeqytet, kryesisht në zonën përreth stadiumit. Ndër akset ku do të kufizohet qarkullimi janë bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, rrugët “Papa Gjon Pali II”, “Dervish Hima”, “Asim Zeneli” dhe “Abdyl Frashëri”.
Ndërkohë, Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të mbeten të hapura për qarkullimin e automjeteve.
Policia u bën thirrje tifozëve të paraqiten në hyrjet e stadiumit që prej orës 18:30, ndërsa paralajmëron kontrolle të imtësishme për garantimin e sigurisë dhe parandalimin e incidenteve.
Njoftimi i policisë
Policia e Shtetit/ Plan masash për garantimin e rendit dhe sigurisë, para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes së futbollit Shqipëri–Finlandë, që do të zhvillohet sot, datë 12.11.2026, në orën 20:45, në stadiumin “Air Albania”.
Drejtues të Policisë së Shtetit dhe përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe ata të sigurisë kanë zhvilluar disa takime për të bashkërenduar veprimet për garantimin e mbarëvajtjes së këtij aktiviteti dhe të sigurisë së lojtarëve dhe tifozëve.
Strukturat e Policisë së Shtetit, duke u mbështetur në përvojën pozitive në planifikimin, organizimin dhe menaxhimin e situatës së rendit dhe sigurisë publike gjatë aktiviteteve ndërkombëtare, kanë hartuar planin e masave, i cili parashikon detyrat që do të kryejnë të gjitha shërbimet e Policisë, në koordinim me institucionet e tjera.
Për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në qytetin e Tiranës, gjatë datës 12.11.2026, nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes, Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Tiranës, do të aplikojë kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit.
Rrugët që do të jenë të bllokuara nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes:
-Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga fast food-i “Laguna”, pranë urës së ish-Hotel Dajtit;
-Rruga “Papa Gjon Pali II”, te kryqëzimi i RTSH-së;
-Rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
-Rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
-Rruga “Themistokli Gërmenji”, në hyrje;
-Rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i RTSH-së;
-Rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës (korridor hyrjeje për në parkimin e caktuar, vetëm për mjetet e autorizuara nga FSHF-ja);
-Rruga “Abdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar;
-Te sheshi “Wilson”, pak para përfundimit të ndeshjes, lëvizja do të devijohet në drejtim të rrugës “Sami Frashëri”.
Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të jenë të lira për lëvizjen e mjeteve.
Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontrolle të imtësishme ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium të banderolave me përmbajtje raciste, fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve dhe produkteve për përdorim kozmetik, si dhe sendeve të tjera të forta, të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.
Kërkojmë mirëkuptimin e tifozëve që të paraqiten në hyrjet e stadiumit, duke filluar nga ora 18:30, pasi, për shkak të fluksit të tifozëve, pak para fillimit të ndeshjes mund të humbasin mundësinë për të hyrë në stadium.
Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti sportiv, Policia e Shtetit ka angazhuar qindra punonjës policie, të cilët do të garantojnë rendin dhe sigurinë publike, si dhe do t’u ofrojnë ndihmë dhe informacion tifozëve, në rast nevoje, në mënyrë që ky aktivitet të përmbyllet pa incidente, në interes të imazhit të vendit.
- Ndeshja Shqipëri-Finlandë, Policia: Rrugët që do të bllokohen në kryeqytet - 12/11/2026
- Lista e produkteve ushqimore me TVSH 6%: Paqartësi dhe vështirësi teknike në supermarketet e vendit - 12/11/2026
- Kriza e banesave nxjerr spanjollët në rrugë, shpërthen revolta në Spanjë me miliona protestues - 12/11/2026