Fjala e plotë e kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e grupit të PS:
Përshëndetje! Siç e tha kryetari i grupit, sot jemi në këtë mbledhje të posaçme të fundmuajit, ku këtë radhë do të jetë qeveria që do të raportojë përpara grupit dhe duke qenë se temat e posaçme që lidhen me çdo sektor, do të trajtohen nga ministrat përkatës, unë dëshiroj të ndaj këtu me ju, duke përfituar dhe nga prania e publikut dhe veçanërisht zgjedhësve tanë përmes mediave, opinionin që kam krijuar lidhur me situatën komplekse ku ndodhemi, jo thjesht ne, shumica qeverisëse, por vendi ynë sot.
Pas një fitoreje historike të zgjedhjeve nga ana jonë rreth 9 muaj më parë, pas çeljes së të gjithë kapitujve të negociatave të anëtarësimit në BE, në një kohë rekord për historinë e integrimeve evropiane, si edhe pas zhvillimeve qe lidhen sa me ecurinë dhe me fatin e reformës historike në drejtësi, aq edhe me rrugën e rritjes ekonomike, qëndrueshmërisë politike dhe shtetbërjes demokratike për Shqipërinë 2023 në BE.
Për hir të së vërtetës, unë besoj që duhet të shohim së bashku, se jemi në një udhëkryq të ri, ndërkohë që ekonomia vazhdon të ecë me ritmet e parashikuara, duke afirmuar një rritje të qëndrueshme, e cila për nga kohëzgjatja e saj në harkun e këtyre 35 viteve, është e pakrahasueshme me asnjë periudhë të mëparshme, ndërkohë që Shqipëria vazhdon të shkëlqejë ndërkombëtarisht si asnjëherë më parë, duke u vlerësuar dhe duke u respektuar në çdo forum dhe instancë të marrëdhënieve ndërkombëtare, ndërkohë që projektet në zhvillim, në hartim e sipër apo në plan për t’u hartuar dhe zhvilluar në këtë mandat, janë më të shumta dhe më domethënëse për nga impakti se kurrë më parë, udhëkryqi ku ne ndodhemi sot, paraqet sipas meje, disa rreziqe, të cilat kërkojnë një kuptim të drejtë, një adresim të vendosur dhe një disiplinë të fortë nga ana jonë dhe kur them nga ana jonë, kam parasysh në radhë të parë ne këtu, deputetë, deputete, ministre, ministra sepse përndryshe, Shqipëria rrezikon të bëjë në vendnumëro, duke humbur kohën më të çmuar dhe mundësitë më të mëdha që ka pasur ndonjëherë në dispozicion për të ngjitur më në fund aty ku prej dekadash, shekujsh e kërkon amaneti i Skënderbeut dhe Ismail Qemalit dhe ku patjetër e meritojnë fëmijët tanë dhe gjeneratat e tjera dhe çdo vendnumëro për Shqipërinë sot është rënie e trendit të rritjes ekonomike dhe i fuqisë se vendit nesër për të vazhduar të jetë tërheqës, të jetë dinamik dhe të jetë i respektuar ndërkombëtarisht.
Rreziku që ne të bëhemi irelevantë, është real dhe kur them ne, kam parasysh vendin tonë, ndërkohë që jemi me relevantë se asnjëherë dhe mund të bëhemi edhe më relevantë.
Pse i them këto?
Le ta nisim së pari dhe si gjithnjë nga vetja sepse e vërteta është që ky nuk është një udhëkryq dilemash strategjike apo raportesh të ndryshuara të forcave po është një udhëkryq mjegullash botëkuptimore dhe erërash artificiale që rrezikojnë të na mpijnë, të na çorodisin dhe të na ngatërrojnë pastaj me këmbët tona, gjë që ka ndodhur më parë dhe u ka ndodhur më parë, jo vetëm këtu, por edhe në të tjera vende, partive të mëdha kur ka ngatërruar sensin e madhësisë dhe të forcës së tyre me thellësinë e sfidave dhe peshën e përgjegjësisë së tyre.
Sot, po sprovohet faktikisht aftësia jonë udhëheqëse, pjekuria politike dhe shoqërore, e para e familjes sonë politike, po edhe e krejt vendit, pikërisht kur duhet të ngjitemi ende më lart dhe kur tanimë diferencën midis pikës ku jemi dhe pikës ku duam të mbërrijmë, e bën çdo detaj dhe e bën çdo ditë nga mënyra se si ne e shfrytëzojmë ditën. Nuk është e lehtë të ngjitesh nga një humnerë dhe të vish në një normalitet, gjë që ne e bëmë me shumë vështirësi, por është edhe më e vështirë që të ngjitesh më lart sot dhe po të shohësh edhe dinamikën edhe natyrën e sfidave në procesin e negociatave, kjo bëhet edhe më evidente sepse çdo hap i ri, vjen me një sfidë të re më komplekse sesa ajo e mëparshmja dhe për këtë duhet shumë përgatitje dhe shumë forcë.
Gjithsesi ajo që është më e rëndësishmja është që në këtë udhëkryq, ne kemi fatmirësisht në dorë për një busull që është e pagabueshme, që është Shqipëria në BE.
Dhe sot, në 26 shkurt, ne jemi më afër anëtarësimit dhe ketë e them faktikisht jo metaforikisht sesa ç‘ishim fjala vjen në 26 janar apo lëre pastaj, në 26 shtatorin apo tetorin e vitit të shkuar. Dhe e përsëris, kjo nuk është letërsi, ky është fakt sepse e tillë është shpejtësia me të cilën po ecim në at proces, falë volumit të madh të punës që po bëjmë se bashku sepse për shembull, së bashku në fund të janarit, pas një pune vërtetë të jashtëzakonshme kaluam në Kuvend një ‘’masiv‘’ të tërë ligjesh dhe amendimesh që ishin kryekëput të lidhura, pikërisht procesin në fjalë dhe të tjera ‘’masivë’’ na presin më tutje.
Aktualisht tani që flasim, ne kemi rritur hyrjen në kapitullin e ri të procesit që është vlerësimi dhe pastaj marrja e dritës jeshile për ato që quhen pikat e ndërmjetme, të cilat janë sipas drejtueseve tona në këtë proces, një test i vështirësisë shumë të lartë dhe kërkojnë një përgatitje shumë të lart të vendit.
Për të tjerët para nesh për shembull janë dashur edhe vite për të kaluar testin e piketave të ndërmjetme. Për planin tonë ky test duhet kaluar në disa muaj dhe kjo do forcë. Dhe forcë në këtë rast do të thotë përqendrim i të gjitha forcave në një drejtim. Unë jam besimplotë, që ne do ta kalojmë dhe këtë test dhe edhe pavarësisht shkopinjve nën rrota dhe tymit të bombave artizanale dhe këtu nuk e kam fjalën thjesht për ato që plasin rrugëve të dëshpërimit të pangushëllueshëm opozitar por e kam për të gjitha ato bomba artizanale që plasin përditë e përditë duke hedhur përpjete kapakët e 700 tenxhereve mediatike të cilat e kanë kthyer mexhlisin e Shqipërisë në pazarin më të neveritshëm të gënjeshtrave me lloj – lloj bishtash.
E ka thënë populli thonë qysh se asnjë prej nesh s’kishte lindur akoma, se kur gënjeshtra ka bërë xhiron e botes, e vërteta s’ka veshur ende pantallonat. Po aso kohe populli s’kishte parë asgjë akoma se s’kishte ardhura ardhur flama e kanaleve dhe portaleve të ujërave të zeza mediatike kurse tenxherja e vetme mediatike ishte tellalli i qytetit. Ndërkohë që sot tellallët e gënjeshtrave me lloj – lloj bishtash janë pas çdo butoni që shtyp për të marrë vesh ndonjë haber të ditës. Por ne s’kemi ç’t’i bëjmë as tellall hanes së madhe ku na e solli jeta të jetojmë duke qenë në krye të vendit në një moment kyç të historisë së tij as vrapit të marrë të gënjeshtrave të botës, ndërkohë që në rrezik këtu është përqendrimi ynë në udhëheqjen e vendit.
Prandaj duhet ta rrisim me çdo kusht përqendrimin në punët tona të mëdha dhe të vogla, të shtojmë forcat për t’i bërë sa më mirë dhe për t’i komunikuar sa më shumë dhe të përpiqemi dhe me më shumë këmbëngulje të vet korrigjohemi dhe të përmirësohemi dhe këtu bujrum jepni idetë tuaja dhe ndërkohë le të debatojmë këtu së brendshmi, hapur, pa dorashka për sesi gjerat mund dhe duhen bërë më mirë në këtë drejtim, por pasi debatojmë dhe ndajmë me njëri tjetrin opinionet duhet të përqendrohemi në një pikë, ne vetëm një pikë. Një pikë dhe asnjë pikë tjetër. Shqipëria në Bashkimin Europian në vitin 2030.
Kur e lexojmë historinë, ne jemi njerëz të zakonshme ndërsa historia flet për njerëz të jashtëzakonshëm. Por edhe ata kur e kanë lexuar historinë përpara tyre kanë qenë njerëz të zakonshëm dhe ka plot të tjerë njerëz të zakonshëm që kanë patur mundësi ta bëjnë historinë dhe nuk figurojnë në librat e historisë sepse nuk e kanë bërë të jashtëzakonshmen që duhet për të bërë histori.
Sot, rruga e Shqipërisë dhe yjet që janë bashkuar bashkë e kanë sjellë që ne të jemi me historinë në duart tona dhe ta shkruajmë me mendjen dhe me forcën tonë.
Shqipëria në Bashkimin Europian nuk është një tjetër etapë e zhvillimit të vendit. Shqipëria në BE është histori dhe pa diskutim që nuk është e lehtë të përqendrohesh në kushtet kur përtej zhurmës së përditshme dhe të përnatshme të bombave artizanale që plasin në tenxhere, ka filluar dhe një lëvizje sportive prokurorësh lartë e poshtë nëpër Shqipëri të cilët janë turrur në garën për mandatin e ardhshëm të afërt të SPAK duke prerë fletë arreste në tufa për çështje që në rastin më të mirë nuk janë fare çështje penale dhe në rastin më të keq kudo në botën që na rrethon hetohen në gjendje të lirë, siç ishte rasti emblematik i Durrësit ku vetëm prokurori mbeti pa i prerë vetes fletën e arrestit. Ndërkohë që në dhjetëra e dhjetëra fletë të prera nuk u kursye as deri dhe një punonjëse model e shtetit 5 vjet në luftë me kancerin dhe me një fëmijë dy muajsh në gji. Apo duke shpërndarë fletëthirrje për paraqitje në prokurori në sasi që i ngjanin biletave të teatrit, deri dhe për absurditete të skajshme siç është një rast emblematik këtu në Tiranë ku një ndërtues pa leje që duhej të përgjigjej përpara drejtësisë dhe të cilit i është konfiskuar ndërtimi për të strehuar aty brenda një agjenci shtetërore ka gjetur rrugën e prokurorisë për të kallëzuar shtetin dhe prokuroria ka hapur çështje penale për punonjësit e shtetit që bënë procesin për të futur agjencinë e shtetit në godinën e ndërtuar pa leje.
Tani me siguri do thonë që sapo ka ndërhyrë në punët e drejtësisë, por ne asnjë mënyrë jo.
Unë këtu sot do them një të njëmijtën e atyre që kam në fakt për të thënë për ndërhyrjet, jo vetëm të pajustifikueshme, por dhe të panevojshme të gjyqësorit në punët e ekzekutivit dhe të legjislativit bashkë. Të pajustifikueshme sepse shteti ka tre pushtete të pavarur nga njeri-tjetri dhe nëse njëri prej tyre hyn në punët e tjetrit, shteti nuk funksionon si duhet.
Kjo vlen kur pushteti ekzekutiv ndërhyn në punët e pushtetit gjyqësor dhe po njësoj vlen kur pushteti gjyqësor ndërhyn në punët e pushtetit ekzekutiv. Do ta shpjegoj më pas çfarë kam parasysh. Por përpara do të them që pikërisht sepse ne e besojmë që kur Kushtetuta demokratike e Republikës së Shqipërisë dhe të gjitha kushtetutat demokratike të Europës ku duam të bëhemi pjesë, thonë se ka tre pushtete të pavarura dhe këto tre pushtete të pavarura nuk mund të jenë në letër siç ishin deri përpara sesa ne të bënim gjithçka kemi bërë, po duhet të jenë realitet, kjo parti, kjo shumicë qeverisëse i hyri detit në këmbë dhe pas 100 e kusur vitesh shtet shqiptar, ne i dhamë pavarësinë reale pushtetit gjyqësor.
Prandaj dhe unë që e kam udhëhequr kokëfortësisht partinë dhe këtë shumicë në rrugën e përpjetë për pavarësimin e gjyqësorit, nuk bëhem kurrë pishman, pavarësisht lloj – lloj bombash artizanale që kur ndizen nga lloj – lloj prokuroresh e gjykatësish lartë e poshtë nëpër Shqipëri, të cilët shija e pavarësisë reale i deh, iu mjegullon arsyen, iu errëson sytë dhe i nis në drejtime që cenojnë pavarësinë e pushteteve të tjera, duke i bërë minimalisht shkelës të lirive dhe të drejtave të njeriut se maksimalisht ka ende shumë më keq, por unë nuk do zgjatem këtu dhe prandaj dhe sot rreziku i udhëkryqit të mjegullt në këtë aspekt nuk është që ekzekutivi apo legjislativi të cenojë pavarësinë e gjyqësorit, po është që gjyqësori të gjymtojë, jo thjeshtë pavarësinë e dy të tjerëve, por aftësinë e dy të tjerëve për të funksionuar dhe kjo ka ndodhur në vende të tjera, nuk është diçka e panjohur në historinë e zhvillimeve të drejtësisë, por kjo nuk mund të ndodhi në këtë vend. Sepse ky vend që është në ngjitje të vazhdueshme, nuk e ka në asnjë mënyrë luksin të frenohet, e jo më pastaj të ribjerë aty ku ishte.
Çfarë është përveçse ndërhyrje brutale në territorin e pushteteve të tjera, pezullimi i ministrit nga një prokuror dhe gjykatës me një vendim të një seancë paraprake pa gjyq, i pa ndodhur në historinë e botës.
Çfarë është përveçse ndërhyrje gjymtuese në territorin e pushtetit legjislativ, përpjekja e një shoqate përfaqësuesish të gjyqësorit për të rritur pagat e veta me gjyq. Që kur në historinë e republikave me tre pushtete, pushteti gjyqësor llogarit paga dhe përcakton politikat e pagave apo të taksave të një vendi?
Çfarë është rasti më i fundit, përveçse ndërhyrje në territorin e pushtetit legjislativ, vendimi i Gjykatës Kushtetuese, për se si parlamenti ka vendosur të ndajë Komisionet Parlamentare – “hapu dhe”, i thonë kësaj.
Por shpresa është që kjo fazë të jetë kalimtare dhe kuturisjet e përsëritura jashtë kornizës kushtetuese dhe ligjore të përfaqësuesve të pushtetit të pavarur gjyqësor të fashiten, sepse në të kundërt as nuk do të kemi dot një gjyqësor, jo vetëm të pavarur, por edhe domosdoshmërisht të paanshëm dhe profesional, po as do të kemi dot një shtet funksional, një administratë publike, e cila të japë më të mirën e vet për performancën e shtetit, pa pasur frikë të marrë vendime, deri dhe për blerjen e letrës higjienike.
Ky është fakt, dhe është një nga mijëra faktet që mund të jap, po e zgjodha enkas, sepse është më tragjikomiku i zinxhirit kilometrik të fakteve të prodhuara nga frika, po as do të kemi dot një sipërmarrje të lirë në punën e vet dhe larg qoftë deri dhe një konsumator të çliruar nga frika se mund të bjeri në sy.
E përsëris, këto janë leksione që vendet e tjera i kanë nxjerrë me vonesa të caktuara. Ne nuk kemi luksin dhe Shqipëria nuk e ka luksin të vonohet për t’i nxjerrë këto mësime dhe këto rreziqe janë serioze, nuk janë imagjinare, prandaj duhen marrë në konsideratë nga të gjithë, sa nuk e kanë prekur palcën e zhvillimit ekonomik dhe social të vendit, siç ka ndodhur gjetkë kur antikorrupsioni është bërë një kurë më e dëmshme sesa vetë sëmundja e korrupsionit dhe ka mijëra, në mos miliona, po mijëra studime, libra, doktoratura për këtë temë.
Ndërkohë, unë personalisht qëndroj me shpresë dhe me besim dhe përpiqem t’i ushqej me këtë shpresë shumë partizanë të zhgënjyer të reformës në drejtësi, sepse për hir të vërtetës, gjithmonë e më të shumta janë rastet e pajustifikueshme të brutalitetit, sa të pajustifikueshëm, aq dhe të panevojshëm, të prokurorëve, po edhe të gjyqtarëve. Këta të fundit, për shembull, kanë arritur maja që habisin edhe mbështetësit më të verbër anglishtfolës të këtij qyteti të reformës në drejtësi dhe të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët kur dëgjojnë që një gjykatës, i thotë prokurorit, “rëndoje dorën, se e ke të lehtë akuzën”, apo një tjetër gjykatës në apel i jep ankuesit një dënim edhe më të rëndë se sa ai që kishte në shkallën e parë, këta kujtojnë, anglisht folësit, se këto janë bomba artizanale të propagandës qeveritare, këto janë fakte, fakte të tmerrshme.
Por halli më i madh është se nuk ka asnjë reflektim të dukshëm në horizontin e pushtetit gjyqësor dhe këtë perceptim shqetësues ma përforcon një fakt, për mua është shumë domethënës që kur unë ngre shqetësimet e kësaj natyre, këshillat e prokurorisë dhe të gjyqësorit, sipas rastit, më ngjeshin si pullë poste mbi fjalët e mia ca deklarata nervoze, si ato të njerëzve që një daulle dasme iu prish gjumin e drekës. Me ca thirrje bajate për aktorët politikë, që të mos i bëjnë presion drejtësisë, bla bla. Pavarësisht faktit që unë nuk jam “aktorët politikë”, po jam kryeministri i dalë nga një votë popullore që i dha Partisë Socialiste një shumicë të hatashme prej 83 mandatesh, ndërkohë që kjo parti nuk e ka një konkurrent në historinë botërore, si faktori qeverisës më mbështetës i pavarësisë drejtësisë dhe faktori më i heshtur politik ndaj fajeve dhe gafave të drejtësisë së pavarësuar në thelb, unë ngre probleme serioze me të cilat duhen të merren në fakt pikërisht hartuesit e atyre deklaratave të kota. Dhe para se të shkruajnë me kollajllëkun më të madh, fjalën presion, është fjalë shumë e madhe fjala presion, për mbështetësin më të madh të pavarësisë së tyre, që jam unë këtu personalisht, mirë është ta kujtojnë se ku ishin fshehur ekzaktësisht, kur paraardhësi im e ngrinte, “puçistë” dhe e ulte “lavire” Prokuroren e Përgjithshme, ose nëse iu vjen zor ta kujtojnë se ku mund të jenë fshehur, apo aq më keq, ju vete mëndja ta quajnë të panevojshëm për kujtesën e tyre këtë detaj se helbete iku ajo kohë dhe tani po hymë në Europë, le të mos e harrojnë se tani, tani, sot, në këtë kohë, atij që s’u bë dot pasardhësi im, pasi ishte paraardhësi im nuk i artikulojnë dot, jo një deklaratë, por gjysmë llafi, edhe pasi del dhe i lexon librin e shtëpisë prokurorit tonë më kurajoz, mu tek dera e SPAK-ut.
Prandaj u sugjeroj të merren me mesazhin, jo me mesazherin, se paguhen “si frëngu pulën” nga taksat e shqiptarëve, bashkë me 500 sekretarë dhe këshilltarë të tyre, që të qeverisin sistemin e ri të drejtësisë, jo që të ankohen për ndërhyrje dhe për presione inekzistente nga unë, që u kam dorëzuar shpatën e drejtësisë së pavarur, e cila rrinte në zyrën time që nga viti 1912.
Kurrë nuk do ndërhyjmë ne në çështjet që i takojnë drejtësisë! Kurrë! Po të drejtat dhe liritë e njeriut, siguria juridike e qytetarëve, e punonjësve të shtetit apo e sipërmarrësve, garancitë e procesit të rregullt ligjor e me radhë, e me radhë nuk janë çështje që i takojnë vetëm prokurorëve e gjykatësve, apo thjesht pushtetit gjyqësor, por janë çështje që lidhen me funksionimin demokratik të shtetit shqiptar dhe me jetën e njerëzve të këtij vendi që i takojnë çdo qytetari të këtij vendi, e jo më pastaj të zgjedhurve nga qytetarët e këtij vendi.
Kur unë të hyj në meritën e ndonjë çështjeje, përsa kohë ajo çështje është në gjykim, atëherë hajde, mund ta diskutojmë, por kur unë ngre zërin se më vjen turp pasi lexoj raportin alarmant të Këshillit të Europës për nivelin skandaloz të paraburgimeve, të burgosurve pa gjyq në Shqipëri dhe nga ana tjetër këshillat në fjalë nuk bëjnë asgjë për ta trajtuar atë raport me seriozitetin maksimal dhe për ta shtruar këtë problem minimalisht me të njëjtin alarm që e shtrojnë disa të huaj atje në Strasburg, përkundrazi. E vetmja gjë që i bën të ndjehen se ekzistojnë janë deklaratat për mua, atëherë kjo është për të vënë duart në kokë. Po halli i vërtetë këtu është se po bëhen pak si shumë këto arsyet për të vënë duart në kokë.
Se fjala vjen, deklaratat e prishje gjumit të Këshillave janë lule, përpara atij çarçafit që nxori ajo shoqata rroga-rritëse e gjykatësve. Një fletë rrufe e vërtetë, të cilën do ta kishte lexuar, jo vetëm me ton dramatik, por me bindje të plotë politike edhe vetë heroina e telenovelës “Rruga e shpresës”, Albana Bulku, ndërkohë që unë vura alarmin si kryeministër i Shqipërisë për gropën që shoqata në fjalë donte të hapte në buxhetin e shtetit, duke i rritur rrogat vetes me gjyq dhe padrejtësisht dhe halli i halleve pastaj është se duart ne këtu nuk i kemi për t’i vënë në kokë, por për të hapur rrugën e Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian me një shumicë parlamentare prej 83 deputetësh dhe po e përsëris, e po e përsëris, e po e përsëris që ta dëgjojnë të gjithë se ndoshta nuk e kanë mirë parasysh dhe këtë shumicë ky popull na i ka vënë në dispozicion që të përveshim mëngët e të mos ndalemi, duke na hequr dhe çdo lloj alibie të mundshme për çdo lloj vend numëroje, prandaj ka shumë rëndësi që njerëzit e sistemit të drejtësisë, jo vetëm ta kryejnë punën e tyre të patrazuar, gjë për të cilën mbështetja jonë s’ka munguar dhe s’do mungojë asnjëherë, të paktën derisa unë të jem këtu në krye të kësaj shumice, por edhe të përpiqen t’i marrin shqetësimet e shprehura publikisht nga ana ime, si shqetësime në interes së shtetit, jo të pushtetit që ne përfaqësojmë. Them nga ana ime, pasi pakti ynë i brendshëm këtu, në këtë grup është që askush nuk duhet të merret me gafat dhe lajthitjet e drejtësisë së re, sepse pikërisht qëllimi ynë si forca udhëheqëse e reformës në drejtësi, nuk është të bëjmë presion, por të kërkojmë mirëkuptim për gjërat që nuk shkojnë, apo ende më keq që shkojnë aq keq sa e dëmtojnë kauzën e përbashkët për shtetin ligjor demokratik të shqiptarëve.
Fola më lart për lajthitjet të pajustifikueshme, por dhe të panevojshme.
Të panevojshme totalisht sepse kurrë, askush nuk ka ngritur dhe nuk do të ngrejë në emër të kësaj shumice qeverisëse asnjë pretendim që pengon hetimet nga ana e prokurorive për këdo qoftë, edhe pse kjo alibia e pengimit të hetimeve ka arritur në kulme të një absurditeti që do të ishte për të qeshur, po të ishte skeç i Vitit të Ri po është për të qarë, për të vënë kujën, për të vënë ulërimën kur paketohet si kërkesë për arrest, me disa argumente që i thonë logjikës mbylle gojën, se të futa brenda. Cila është nevoja?! Çfarë e justifikon?!
Një kuturisje të marrë për të bërë 40 kontrolle banesash në ditën e vigjiljes së Vitit të Ri, për një çështje të regjistruar para 5 vjetësh, jo vetëm duke i trajtuar punonjësit e administratës si të ishin ndonjë organizatë kriminale për t’u mbledhur e tëra njëkohësisht në burg dhe duke përcjellë në tërë tenxheret e Shqipërisë, haberin që s’ka asgjë të gëzueshme për një ditë thuajse të shenjtë në mbarë globin, kur tërë bota rri në shtëpi me familjen dhe me fëmijët.
Shteti ligjor nuk është shtet policor dhe rendi ligjor demokratik nuk është rend antinjerëzor as për kriminelët më të mëdhenj, jo më për punonjësit e administratës publike, e cila është kapitali njerëzor i vyer i një shteti dhe jo më kot, në shtyllat themelore të procesit të negociatave, krahas forcimit të drejtësisë është dhe forcimi i administratës publike.
Drejtësia dhe administrata publike nuk janë në dy barrikada përballë njëra-tjetrës. Po si mund të forcohet administrata publike nëse çdo punonjës i saj prezumohet i fajshëm dhe trajtohet si i tillë, duke i shkuar në banesë për kontroll ditën e fundit të vitit, apo deri duke e thirrur në prokurori për t’i kërkuar të pranojë faje që nuk i ka bërë, me presion. Ai është presion sepse duhet inkriminuar me patjetër dikush tjetër, a thua se njerëzit janë statistika dhe lëkura e tyre është asfalt që duhet shtruar për të kryer planin 3 mujor të prokurorive.
Po ç’është ky hall, që thirren njerëzit nga puna me tufa në orar të punës dhe mbahen atje me orë të tëra, pa pyetur një herë “more keni ndonjë punë ju”, “keni ndonjë mbledhje ju”, “keni ndonjë afat ju se për të njëjtin shtet punojmë” dhe thirren dhe deri kur në fakt, duhet të jenë në krye të detyrës, në fronte emergjencash natyrore. A thua se në këtë vend, vetëm prokurorët punojnë për shtetin, ndërsa të tjerët punojnë vetëm për planin e hetimeve të arrestimeve të prokurorëve.
E kam thënë dhe herë të tjera, dua ta përsëris, unë personalisht kam pasur shumë rezerva për administratën tonë publike, dhe kam qenë dhe unë vetë viktimë e të njëjtit perceptim, që për shembull, është për spitalet, sipas të cilit në spitalet tona të lënë të vdesësh po nuk dhe lekë, po perceptimin për spitalet e kam rrëzuar sepse i kam vizituar vetë, i kam parë vetë të gjitha transformimet që kemi bërë dhe i kam dëgjuar vetë njerëzit jo me kamera, pa kamera, ndërsa këtë perceptim për administratën e kisha dhe unë goxha të rezervuar për ta thënë me fjalë të buta, mirëpo dhe kaq të rezervuar e kisha se janë dëshmitarë të gjithë kolegët që kanë qenë së bashku me mua në atë periudhë në qeveri, kur thosha “mirë do t’i hapim negociatat, po kur t’i hapim ç’do bëjmë? Si do të përballojmë ne me këtë administratë ata peshkaqenët atje që janë të rrahur me të gjithë llojet e dallgëve dhe që kanë negociuar me vende shumë më të mëdha se ne?”
Dhe u deshën pikërisht muajt e procesit “screening’’ përpara fillimit zyrtar të uljes në tryezë për negociatat që unë të filloja të shikoja tek administrata, jo problemin, por zgjidhjen e shumë problemeve, përtej faktit qe edhe administrata si çdo pjesë tjetër e shoqërisë sonë ka problemet e veta, ka dhe individët e padenjë.
Dhe kur fillova të dëgjoj nga kryeministri i Holandës krejt jashtë kontekstit në një takim ndërkombëtar: “Edi dëgjoj fjalë të jashtëzakonshme për skuadrën tuaj negociatore. Bravo!”; nga kryeministrja e Danimarkës; “Edi, ministri i jashtëm thotë që skuadra juaj negociatore po “i zhgënjen” të gjithë në kuptimin pozitiv’’, sepse prisnin diçka tjetër dhe pastaj kur i takova vetë 1000 vetë, jo një e dy, se ne kemi drejtues të shkëlqyer të procesit, po procesi ka 1000 vetë. Tani, kur mendoj për ata 1000 vetë e konsideroj të tmerrshme që në shpirtin e tyre të ketë frikë, frika irracionale se ‘’po na vijnë’’. Kot. Pa lidhje.
Kam folur edhe më parë për AKSHI-n, edhe për drejtoren e AKSHI-t, e cila sot e gjithë ditën ndodhet në arrest shtëpie. Nuk dua të them asnjë fjalë për përmbajtjen e çështjes, po di të them një gjë; që ky shtet nuk mund të jetë vendi ku një institucion krenarie kombëtare si AKSHI, i ngritur me vite dhe i duartrokitur edhe ndërkombëtarisht, të ‘’bëhet shesh’’ për të mbytur psikologjikisht inxhinierë dhe inxhiniere, vajza e djem, që me në krye drejtoren e atij institucioni kanë punuar pa orar, duke bërë punëra me një vlerë të jashtëzakonshme. Çfarë duhet të them me këtë? Meqë janë bërë të gjitha këto, atëherë nuk duhet hetuar? Jo, në asnjë mënyrë. E kundërta është e vërtetë. Të dyja duhen bërë dhe të dyja mund të bëhen. Njerëzit kanë të drejtën të prezumohen të pafajshëm dhe t’u jepet mundësia që të hetohen si njerëz të pafajshëm deri kur të provohet ose jo, fajësia e tyre. Është shumë e thjeshtë. Po sikur Linda Karçanaj të jetë krejt e pafajshme dhe jo një kriminele, pjesë e një grupi të strukturuar, si personazhi që ka krijuar për të, nguti për ta arrestuar dhe ‘’për ta masakruar me bomba artizanale, tenxhere më tenxhere’’, duke i vënë në kurriz vila dhe makina, ndërkohë që jeton në shtëpi me qira dhe që siç mora vesh, as nuk e nget makinën dhe s’ka një të tillë.
Çfarë fiton pastaj shteti dhe çfarë mesazhi marrin ata që duan të kontribuojnë për këtë shtet? Se këtu flasim për shtetin; për si shteti i garanton të gjithëve lirinë, të drejtën e punës dhe të drejtën e marrjes së vendimeve. Dhe natyrisht, garanton të gjithë që cilido që me vendimet e veta, realizon qëllime të fshehura, nuk është në asnjë mënyrë i pandëshkueshëm.
Po sikur drejtori i KESH-it, një tjetër specialist që e kam njohur personalisht dhe menaxher me vlera i shtetit, prej muajsh dhe ai në arrest shtëpie, për arsye që janë krejt të paqarta për hir të së vërtetës, të jetë i pafajshëm? Kush fitoi dhe kush humbi në këtë mes? Po sikur e njëjta gjë të jetë e vërtetë dhe për të tërë të tjerët? Për 58% të njerëzve që sot janë nëpër burgje dhe që nuk u është bërë gjyqi? Se çdokush është i pafajshëm deri kur nuk provohet fajtor në çdo shkallë të gjykimit, apo jo? Ça ndodh sikur të jetë e vërtetë? Po nga plot e plot të pafajshmit tani që kanë kaluar eksperienca traumatike me ‘’Prokurorinë e pavarur”? Kanë mbaruar punë, kanë dalë të pafajshëm. Ku janë sot? Dini ku janë një pjesë e madhe e tyre? E kanë lënë punën në shtet ose vazhdojnë gëzojnë një status të vetëfituar dhe të vetëpranuar nga të tjerët; nuk firmosin më asnjë copë letër nga frika. Disa kurohen nga psikologët. Ça ka fituar këtu drejtësia dhe ça ka fituar ky shtet që për hir të vërtetës nuk i ka burimet njerëzore sa të Kinës, por i ka të kursyera dhe duhet të bëjë më të mirën që t’i menaxhojë me sa më shumë kujdes dhe me sa më shumë dinjitet.
Këto pyetje duhet t’ia bëjnë vetes njerëzit e drejtësisë, të cilëve pavarësia e dhuruar nga pikërisht, pushteti legjislativ dhe pushtetit ekzekutiv, duhet t’i bëjë shumë më të vetëdijshëm për dëmet që mund t’i bëj fuqia e tyre e pakontrolluar nga njeriu brenda tyre, nga egoja, ambicia dhe të gjitha ato ndjesi të tjera që të gjithë njerëzit i kemi, por që tek dikush që merret me jetën e të tjerëve, janë për tu frenuar sa më shumë.
Fuqia e tyre e pakontrolluar nga prindi brenda tyre, nga vëllai dhe motra brenda tyre, nga familjari dhe qytetari brenda tyre. ‘’Mos i bëj dikujt atë, që nuk do që të tjerët të ta bëjnë ty’’, thonë librat e shenjtë dhe kjo duhet të jetë devizë e çdo njeriu që ka pushtetin të lëndojë apo të ngrejë lart jetën e dikujt tjetër; jo për të mbyllur sytë para provave të fajit, në asnjë mënyrë jo, po për t’i hapur sytë katër që faji të mos jetë për askënd fat i paracaktuar nga dora dhe egoja e atyre dhe të mos e harrojnë atë postulatin e famshëm; ‘’më mirë 100 fajtorë jashtë, sesa një i pafajshëm prapa hekurave’’.
Kur grupi ynë i punës që po punon me ekspertët e drejtësisë të Italisë dhe Francës për reflektimin mbi procedurat tona penale, vuri në tavolinë një pikë të caktuar për diskutim, profesoresha e njohur që është në anën e palës franceze tha diçka që unë dua ta ndaj publikisht me ju këtu, e kam ndarë me disa prej jush: “me sa kam lexuar dhe mësuar deri tani”,– tha, “ju në Shqipëri nuk niseni nga liria kur mendoni për drejtësinë, por niseni nga heqja e lirisë dhe ky është një problem shumë i madh që shkon përtej kodeve dhe ligjeve të shkruara. Ndërkohë”, –tha, “kodet, edhe kodi penal shkruhet për të garantuar lirinë, jo për heqjen e lirisë dhe heqja e lirisë është funksion i garantimit të lirisë”.
Dhe ne këtu, e kaloj në një pikë tjetër, grupi udhëheqës dhe qeverisës i këtij vendi jetojmë brenda një paradoksi të madh, sa të padrejtë dhe të dhimbshëm aq dhe të pashmangshëm për hir të së vërtetës dhe ky është një tjetër rrezik i këtij udhëkryqi nëse ne nuk e lexojmë, nuk e trajtojmë si duhet dhe nuk distancohemi që të gjithë sa duhet. Ne e deshëm reformën në drejtësi, qysh se ishim në opozitë dhe e bëmë kur erdhëm në pushtet, madje duke treguar dhe gatishmëri të plotë për ta hedhur në erë qeverinë e koalicionit të asaj kohe, nëse aleati ynë i mandatit të parë, nuk do të na ndiqte deri në fund dhe ky është fakt.
Kush tregon një histori tjetër nuk tregon të vërteten.
Patjetër që, aleati dhe kundërshtarët e tjerë të reformës u rreshtuan nën trysninë e asaj që quhet Rruga e Elbasanit dhe këtë e dimë. Por për sa na takonte neve, ne ishim ata që e projektuam dhe e diktuam rreshtin pa na a diktuar dhe pa na trysnuar askush se nëse s’do kishte një kalë që të tërhiqte karrocën, ata n’daç të rrugës së Elbasanit dhe n’daç të rrugës Durrës-Bari-Brindisi nuk kishin nga ta shpiknin kalin se këtu ishin që nga viti 1991. Dhe pa diskutim që ne e bëmë këtë me vetëdije të plotë edhe për atë që do vinte. Të paktën, unë personalisht, nuk e kam imagjinuar as si fasadë dhe as si një shëtitje në park reformën në drejtësi, përkundrazi e kam ditur që do të vinte me gjak nga i yni dhe me baltë mbi ne sepse ishte një përpjekje e vërtetë për ta dorëzuar shpatën e pushtetit të drejtësisë në duart e njerëzve të drejtësisë dhe ajo shpatë në duart e një pushteti që nuk do ishte më në kontrollin tonë për të punuar, do kërkonte kokat tona. Kështu funksionon. Dhe për ta marrë me mend këtë nuk ishte nevoja të ishe as profet, as fallxhor, por mjafton të ishe një lexues kurioz i historisë së revolucioneve të drejtësisë në vende të tjera.
Përmbysja që ne i bëmë sistemit të vjetër të drejtësisë ishte revolucionare për pavarësinë e drejtësisë. Tani po jetojmë një periudhë ethesh revolucionare të një drejtësie të re dhe të pavarur që pikërisht pse është shumë e re nuk është as e paanshme, as profesionale.
Nëse do bëja një krahasim, çdo krahasim çalon, drejtësia sot është si qeveria shqiptare e vitit 1992. Fuqi e madhe politike, traditë demokratike 0, nga 1 në 10 dhe autokontroll që varion nga 0 në 4, por që mbetet prapë nën notën kaluese po të kesh parasysh që po sipas Këshillit të Europës jemi, jo vetëm vendi me më shifrën alarmante të paraburgimit në kontinent, por jemi të dytët vetëm pas Rusisë për raportin mes dënimeve dhe pafajësive dhe me një diferencë shumë të sikletshme edhe nga rajoni ynë këtu, nga gjithë këta të tjerët këtu me të cilët jemi pak a shumë njësoj në të gjitha aspektet.
Po ku është paradoksi shumë i madh sa i padrejtë dhe i dhimbshëm aq dhe i pashmangshëm?
Sa e thjeshtë aq dhe për të qarë hallin, që s’pres në fakt të na e qajë askush, paradoksi është që ndërkohë që falë nesh nën udhëheqjen e deri dhe me lëkurën tonë po bëhet në Shqipëri, ky transformim, i cili do të hyjë në histori si një transformim epokal me një drejtësi të re dhe pavarur me të gjitha dobësitë dhe lajthitjet e veta të natyrshme për moshën fare të re që ka, por që e ka marrë shpatën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar me bekimin tonë, qeveria jonë goditet pa pushim si më e korruptuara dhe Shqipëria baltoset pa pushim si më e kriminalizuara.
Shikojeni sesi uturijnë tenxheret që prokuroria nuk i heton dhe pse i ka prej kohësh dosjet atje për pastrim parash dhe për evazion fiskal me fakte dhe të nënshkruara nga autoritetet e të njëjtit shtet. Po si mundet, si justifikohet, si gëlltitet kjo burracakëri e neveritshme prej trimash që bëjnë shpatarin e verbër me punonjësit e shtetit dhe me politikanët e Partisë Socialiste, për gjithfarëlloj çështjesh dhe akuzash që shkojnë nga ato seriozet, deri tek shpërdorimet imagjinare të detyrave të punonjësve të administratës dhe friken si pula nga dy oturakë. Dy oturakët më të mëdhenj të pazarit mediatik të Shqipërisë, të cilat nga ana e tyre bombardojnë publikun me jashtë nxjerrjet e lloj – lloj personazhesh antikorrupsion në ekran dhe me para të zezë në dorë pasi mbaron bombardimi, ndërkohë që dosjet me të gjitha faktet për riciklimin e parasë së pistë dhe për evazionin e tyre fiskal, janë në prokurori prej vitesh.
Dhe këta të parave të zeza nën dorë arrijnë të teorizojnë sesi duhet djegur Shqipëria për të shpëtuar nga unë dhe nga ju apo të tregojnë se si me korrupsionin tim, unë kam korruptuar dhe Komisionin Europian që Komisioni Europian të mos bëhet si oturakët, ku ata jashtë nxjerrin gjithë vrerin e tyre, por ja që fatmirësisht Komisioni Europian shikon faktet, lexon shifrat, kupton të dhënat e transformimit dhe luftën e korrupsionit dhe krimit të organizuar, nuk e sheh, as përmes avujve të tenxhereve dhe as përmes fjalëve të pasionit tim për Shqipërinë europiane me rend ligjor demokratik, po i vlerëson lartë arritjet tona në tërësi apo punën e SPAK në veçanti.
Se që të jemi të qartë, sa thashë më lartë e sa do them më pas për çfarë nuk shkon me prokuroritë pa përjashtuar dhe SPAK-un që ka kusuret e veta, siç kemi dhe ne kusuret tona nuk ka diskutim për mua që sot jemi në një pozicion tjetër në raport me të ardhmen, falë pikërisht edhe SPAK-ut. Nuk besoj se unë e kam një konkurrent për numrin e fjalëve inkurajuese që kam thënë, qoftë për SPAK, qoftë për drejtuesit e mëparshëm. Shpresoj dhe drejtuesi i ri të meritojë të njëjtat fjalë, prandaj uroj shumë që dhe fjalët po aq të sinqerta për çfarë nuk shkon, që e përsëris nuk janë fjalët e mia si qytetar privat, por janë fjalët e mia si kryeministri i një vendi që nuk mundet dot të paguajë çmimet që kanë paguar të tjera vende, kur kura është bërë më e rrezikshme se sëmundja, t’i marrin këto fjalë si inkurajim për t’u përmirësuar, për t’u bërë më të përgjegjshëm, në raport me liritë e njerëzve dhe të drejtat e tyre, si dhe më të vetëdijshëm për sfidën e madhe të rritjes profesionale e mbi të gjitha gjykatësit e këtij vendi të kuptojnë që të jesh gjykatës, do të thotë të jesh i paanshëm, jo thjesht i pavarur. I pavarur dhe i anshëm është një tmerr për këdo.
Çfarë mund të presë njëra palë nga gjykatësi, ku gjykatësi bëhet palë me akuzën dhe i kërkon akuzës të rëndojë pozitën e palës tjetër. Do të thotë që nuk është më një gjyq me gjykatës, është një përballje e kotë midis një njeriu që s’ka asnjë në dorë dhe një force të verbër të një pushteti që i ka të gjitha në dorë, përfshirë edhe për të paracaktuar fatin e jetës së tij.
Por duke u kthyer te paradoksi, dua të ndaj me qetësi dy, tre fakte për të gjithë ata që duan të dëgjojnë natyrisht se, – mua më duket se sikur nuk shkon se sa më shumë u luftoka korrupsioni, aq më shumë korrupsion paska. Dhe për më tepër pastaj, për të dhënë për të gjithë ata që na kanë zgjedhur në radhë të parë, një pasqyrë për të parë realitetin përtej tymit të bombave artizanale të 700 tenxhereve.
Në historinë e Prokurorisë së Posaçme ka vetëm 10 akuza për korrupsion, 10, në të gjithë historinë. 16 për shpërdorim detyre, tani shifrat mund të variojnë me pak, se për fat të keq nuk janë të gjitha të publikuara në mënyrë transparente, këto janë shifra të Ministrisë së Drejtësisë dhe 15 raste për pabarazi në tendera dhe në ankande publike. 10 për korrupsion, flas akuza, nuk flas dënime.
Tani çfarë është e rëndësishme në këto të dhëna, 85% e rasteve i përkasin mandatit të parë dhe të dytë, pra një logjike e thjeshtë, të thotë që nuk është se sa më shumë ne rrimë në qeveri, aq më shumë ka korrupsion, po më shumë ne jemi në qeveri, aq më shumë luftohet me korrupsionin dhe sa më shumë jemi në qeveri, aq më shumë janë edhe rastet, të cilat dalin nga varret e së shkuarës.
Përtej paradoksit dhe këtë nuk rri dot pa e thënë jashtë tekstit, që 4 varre të vrarësh janë ende në kërkim të drejtësisë, po nuk ka ngut, as për të bërë kontrolle banesash, që s’ka nevojë të bëhen në këtë rast, as për të ngritur akuzë për arsye që gjithkush mund t’i marrë me mend në mënyrën e vet, por ne nuk i dimë faktikisht, cilat janë. Tani, ky është një fakt.
Një fakt tjetër, është që Shqipëria renditet nga Komisioni Europian, jo nga ne, në vendin e parë në rajon për Prokurimet Publike, për integritetin e Prokurimeve Publike, me diferencë nga vendi i dytë, që do të thotë që ka më pak korrupsion, jo më shumë.
E treta është Shqipëria e “e-Albania”, që i ka kursyer shqiptarëve sipas një konsulenti ndërkombëtar që ne morëm disa kohë më parë për të bërë një audit të rezultateve, një radhë të gjatë sa 22 mijë rrotullime rreth tokës. 22 mijë rrotullime rreth tokës dhe thuajse një miliardë euro nga xhepi për të gjitha llojet e situatave, do të thotë që ka më pak korrupsion, jo më shumë.
Por, ka një fakt tjetër që e ushqen fuqishëm paradoksin.
Raste akuzash për korrupsion mund të jenë vërtetë 10 në total, ku këtu përfshihen, jo thjeshtë anëtarë qeverie, po dhe kryetarë bashkie, po edhe drejtorë të lartë, 10. Po emisione, lajme, postime në të 700 tenxheret e poteres së madhe politike-mediatike mund të jenë 10 milionë. Vetëm në tenxheren e Blendi Fevziut, që me madhësinë e vet më thith edhe mua ndonjëherë, mund të jenë bërë 1 mijë emisione, ku fjala “korrupsion” mund të jetë përdorur 100 milionë herë, dhe fjala “përgjim” 100 mijë herë, dhe fjala “hajdut” 10 mijë herë.
Tani, imagjinoni vetë se ça batërdie bëhet mbi daullet e veshëve të shqiptarëve, që shohin akoma televizor dhe çfarë bombardimi bëhet mbi retinat e syve të shqiptarëve, që haberet e pazarit i marrin nga celulari, pa llogaritur këtu ata të verbrit që e çajnë rrugën e jetës me shkopin e kryeplakut të botës gënjeshtrave dhe hedhin bomba artizanale te xhamia, që të rrëzojnë narko-shtetin.
Ekonomia rritet, e rrit korrupsioni! Prodhimi i Përgjithshëm Kombëtar rritet, e rrit korrupsioni! Buxheti i shtetit rritet, e rrit korrupsioni! Pagat rriten, i rrit korrupsioni! investimet rriten, i rrit korrupsioni! Edhe zjarret i rrit korrupsioni! Edhe shirat i rrit korrupsioni! Edhe negociatat i hap korrupsioni! Edhe kapitujt i hap korrupsioni! Edhe piketat e ndërmjetme do t’i kalojë korrupsioni! Edhe Bordin e Paqes e mbledh korrupsioni! Shqipëria vetë rritet në çdo drejtim, falë korrupsionit!
Ka disa ditë që po bëhet nami nga tenxheret për rrëshqitjen e rrugës në aksin Librazhd – Përrenjas, një rrëshqitje shumë më dramatike është në anën tjetër të kufirit, në një autostradë nga më të rejat e Greqisë dhe tenxheret e Greqisë nuk është se janë tenxhere pa presion. Nuk e kam kapur absolutisht, asnjë lloj ngjashmërie me këtë lemeri këtu, që edhe tokën e lëviz korrupsioni.
Ndërkohë që, në atë aks po bëhet një nga veprat më të mëdha të infrastrukturës, e cila do të jetë një tjetër krenari e kësaj qeverie. Ju kujtohet rrëshqitja e rrugës Korçë- Ersekë brenda afatit, u mor, u riparua totalisht me fondet e sipërmarrësit, rruga sot është e shqiptarëve. Ndodhi diçka që nuk duhet të ndodhte, por këto nuk janë gjëra që nuk ndodhin askund dhe ndodhin vetëm këtu. Ndryshimi i vetëm është që në Portugali, në Suedi, në Itali, në Greqi janë çështje gjeologjike, këtu jo, këtu janë çështje të korrupsionit.
Dhe më e bukura në këtë mjerim lavazhesh mediatike të trurit është se të gjithë ata që janë kundër nesh, i besojnë një për një, të gjitha këto fjalë. E besojnë që, një ministër e lan makinën me 10 mijë euro një dorë, se mbasi i hidhet shkumë, i hidhet dhe qumësht dallëndysheje dhe dallëndyshet vriten me pushkë nga ministri tjetër, që me puplat e tyre, shet jastëkë.
E besojnë që dikush tjetër ka 300 shtëpi, dikush tjetër ka 2 anije dhe prandaj dhe vetë “zorraxhinjtë e lavazheve”, ata të parave të zeza që i marrin nën dorë pas debateve antikorrupsion, ngaqë kanë shpëlarë kaq gjatë edhe trutë e tyre duke përsëritur këtë refren, dhe i besojnë kaq verbërisht ekzistencës së pushtetit absolut të korrupsionit në Shqipëri, budallepsen. E keni parë si budallepsen fare kur bëhet numërimi i kutive të votimit?! Se rrinë atje, dhe presin që më në fund të dalë fitorja mbi narko-regjimin dhe ju del prap po i njëjti “noc rroku”.
Mirëpo, e vërteta është që kjo zhurmë e pambarimtë është e dëmshme për shoqërinë, kjo është e vërteta dhe përveç Shqipërinë, padyshim.
Shikoni Malin e Zi, është bashkë me ne, në krye të rreshtit për të hyrë më fund në Bashkimin Europian, ka të njëjtat probleme si ne, pak a shumë, po keni parë ju ndonjë bombë artizanale që nga Podgorica të shkojë të shpërthejë nëpër faqet e gazetave të botës? Asnjëherë! Jo se atje nuk ka opozitë, as se atje nuk ka opozita arsye për të qenë e palumtur, por se atje “One and Only” është një hotel i jashtëzakonshëm me 5 yje, ku turistë nga e gjithë bota, me të ardhura të larta, kontribuojnë në të ardhurat e shtetit malazez.
Kurse këtu, “One and Only” është një plak i marrë, me 5 dërrasa mangët që tërheq zvarrë pas vetes, 500 vetë me krejt dyshemenë përtokë, që kontribuojnë me pasion për të cenuar me çdo kusht imazhin e Shqipërisë, duke shpërndarë fotografi dhe “One and Only” e solla këtu, jo sepse mu përshtat me dellin tim satirik, por sepse ekzaktësisht CEO-ja i “One and Only” dhe ekzaktësisht pas publikimit të këtyre fotografive në një valë të shkuar të protestave, më ka marrë në telefon: “Çfarë po ndodh atje?” sepse ishim dhe jemi në diskutime me ta, për ta sjellë në Shqipëri “One and Only” dhe është një detaj, sesi afektohet Shqipëria nga një barbari e tillë.
Natyrisht që unë nuk do t’i shmangem sot këtu temës që lidhet dhe me Belinda Ballukun, por nuk do të merrem me procesin që ka nisur në Parlament, sepse normalisht do pres dhe raportin e Këshillit të Mandateve përpara se të them dhe unë fjalën time, në mënyrë shteruese për temën e imunitetit, por dua të ndaj me ju këtu, diçka që e kam thënë dhe pa praninë e publikut, përmes mediave.
Belinda Balluku mua ma ka dorëzuar dorëheqjen 3 herë, qysh në mbrëmjen e ditës kur iu ngrit akuza në fillim, jo për korrupsion, se është shumë interesant që, ndërkohë që të gjitha tenxheret bëjnë llogaritë duke marrë shumat e shpenzuara për të ndërtuar të gjitha ato vepra, akuza nuk është për korrupsion. Nuk ka akuzë për korrupsion, por për pabarazi në tendera. Pastaj ma ka sjellë përsëri me shkrim dorëheqjen kur u bë pezullimi dhe pastaj, edhe një herë të tretë kur u ripezullua nga mosvendimi i Gjykatës Kushtetuese. Siç ju kam thënë, e kam hedhur unë poshtë kategorikisht idenë e dorëheqjes dhe pse vlen kjo të përsëritet, dhe pse dua që ta ndaj dhe publikisht sepse unë kam bindjen që në këtë fazë revolucionare të jetës institucionale të vendit, ku ndryshe nga vendet me drejtësi dhe me institucione të konsoliduara, në Shqipëri drejtësia sapo ka nisur ta shijojë pavarësinë, ne nuk mund të hymë në vallen e dorëheqjeve automatike sa herë ngrihet një akuzë. Po do bëjmë secili punën e vetë, ne tonën, drejtësia të vetën.
E di unë shumë mirë dhe teorinë dhe praktikën europiane të dorëheqjes morale, e cila megjithatë nuk praktikohet kudo dhe kurdoherë njëlloj as në Europë, por sot në Shqipëri, kur sidomos përmes SPAK-ut drejtësia ka filluar të bëjë një shërbim të pamohueshëm për vendin, por po bën dhe një dëm serioz, kolateral mbi administratën, duke përmbysur faktikisht rregullisht parimin e shenjtë demokratik të prezumimit të pafajësisë, mekanizmi i qeverisjes së vendit nuk mund të kurdiset dhe të ç’kurdiset sa herë Prokuroria ngre një akuzë. S’bëhet dot.
Është shumë kollaj të thuash, në Gjermani, një ministër i akuzuar jep automatikisht dorëheqjen, por për shembull kjo nuk ndodh në Itali, madje dhe në Francë nuk ndodh gjithmonë. Madje, madje në Francë ministri i Drejtësisë qëndroi në zyrë kur iu ngrit një akuzë shumë e rëndë dhe mori dhe pafajësinë, në zyrë, por kush i bën këto krahasime, nuk duhet të harrojë që përtej këtyre që them unë, Gjermania është një shtet model i së drejtës.
Prezumimin e pafajësisë Gjermania e ka në një piedestal ari.
Nuk imagjinohen dot në Gjermani tezgat, lavazhet dhe tenxheret e pazarit politik dhe mediatik të mbushura me materiale të nxjerra vjedhurazi me bekimin e prokurorëve nga dosjet hetimore dhe ku, në Gjermani, Gjykata i bën të pavlefshme ato materiale që dalin rrugëve dhe që mendohet se kanë cenuar balancën e drejtësisë, duke u përdorur si ushqim mediatik për të influencuar rezultatin e procesit.
Jo vetëm kaq por, në Gjermani dhe në të tjera vende europiane drejtësia nuk merret me gërmime në të kaluarën e ministrive dhe të agjencive, sepse nuk e ka fituar pavarësinë para 10 vjetësh dhe nuk e ka filluar punën Prokuroria e pavarur para 5 vjetësh, por prej shekujsh, shekujsh, prezumimi i pafajësisë në Gjermani është në piedestalin e artë nga ku s’e ka zbritur askush, pa llogaritur kohërat e tmerrshme që ka kaluar Gjermania në një fazë të historisë së vetë.
Kështu që, aty nuk ka dyshime të natyrës historike mbi korrupsionin për të qëmtuar nëpër arkivat e dikastereve të qeverisë, siç ndodh këtu, ku siç e thashë, mbi 85% e çështje i takojnë mandatit tonë të parë dhe të dytë, apo ndonjë çështje që i takon atyre para nesh, por ato të atyre para nesh, janë çështje që nuk kanë ngut ato. Ndërkohë që, 700 tenxheret e pazarit tonë, bubullojnë më shumë se asnjëherë për korrupsionin, që na qenka më i madh se asnjëherë, dhe nga ana tjetër, as në Gjermani dhe as në demokracitë e konsoliduara të Europës, nuk ka një kompani transporti, Prokuroria, ose më saktë nuk funksionon Prokuroria si kompani transporti që merr male me dokumente nga arkivat e ministrive e agjencive e i çon në zyrat e prokurorisë. Madje, madje, tani është arritur dhe një nivel tjetër se deri dje, ishte niveli që një konkurrent i mërzitur, pse humb një tender, i shkruan SPAK-ut pa dhënë as edhe një provë, vetëm duke bërë fantazinë e tij dhe hapet hetimi, mbi dokumentesh, a thua se shteti nuk i ka institucionet që merren me shqyrtimin e dokumenteve po tani kërrehen dhe ‘’futen në furgon’’ dhe dokumentet e një tenderi që është në proces, që nuk ka mbaruar fare, është në proces. Po në Gjemani këto nuk i imagjinon dot njeri sepse atje kufijtë mes problemeve administrative dhe problematikës penale janë shkruar përpara se ata të nxirrnin shtypshkronjën, jo si në Shqipërinë e kësaj faze të re historike në drejtësi, kur drejtësia e pavarur, duhet rritur duke mësuar, po duke mësuar në kurriz të lirive dhe të drejtave të njerëzve. Duke mësuar edhe deri në dhunim të administratës apo sipërmarrjes, se është kollaj të marrësh të pandehur një tufë sipërmarrësish edhe t’i linçosh publikisht po ata sipërmarrësit kanë kredi nëpër banka, ata sipërmarrësin kanë plane zhvillimi, ata kanë mijëra e mijëra njerëz për të ushqyer dhe kur u del emri ashtu, bankat u thonë ‘’stop, shkoni sqarohuni një herë, pastaj hajdeni prapë’’.
Ndërkohë që prezumimi i pafajësisë do të ishte i mjaftueshëm që edhe ata sipërmarrësit dhe ata punonjësit e administratës, të hetoheshin në gjendje të lirë, pa u linçuar publikisht, duke ju dhënë të gjithë respektin që meritojnë si qytetarë të Republikës së Shqipërisë dhe madje, duke pasur shumë mirë parasysh që mund të jenë të pafajshëm dhe kundërshtaret tanë s’kanë arsye ta kujtojnë, përkundrazi, por ne s’duhet ta harrojmë për asnjë çast, se ne jemi këtu për të çuar punët e shumta përpara, pa e ulur, por duke e rritur ritmin dhe prandaj u zgjata në këtë panoramë mjegulle sepse është shumë e rëndësishme, që ne të fokusohemi shumë më tepër në punët tona dhe të përqendrohemi shumë më tepër në objektivat tona, duke parë të gjithë përpara dhe duke shmangur shikimet mbi njëri-tjetrin, mendoj unë dhe sigurisht drejtësia ka detyrë të hetojë, të gjykojë, të ndëshkojë apo të pafajësojë, krejt e pavarur prej nesh ndërsa ne kemi detyrë të realizojmë objektivat, të marrim vendimet e duhura dhe të zbatojmë programin për të cilin jemi zgjedhur, krejt të pavarur nga drejtësia.
Koha e të ashtuquajturave dorëheqje morale nuk diskutohet që do të vijë, por pasi të kalojë kjo fazë revolucionare e pavarësisë së drejtësisë, ku Shqipëria figuron si vendi me një rekord të zymtë europian, që unë e përsëris dhe e përsëris dhe së fundmi u fut dhe në Guinness si vendi unikal i botës, i planetit, i historisë së botës, ku një gjykatës i jep të drejtë një prokurori, mbyllur atje të dy bashkë në një zyrë, për të pezulluar një ministër apo kur një gjykatës apeli i jep të drejtë vetes që ‘’t’ia kërcasë kokës‘’ dyfish dënimin atij që shkon e ankohet në Gjykatën e apelit për të marrë dënim më të lehtë. Këto janë rekorde prej Guinness, këto nuk kanë ndodhur ndonjëherë.
Tani, për ta mbyllur se nuk rri dot pa e sjellë këtu dhe një fakt tjetër, në një bisedë para jo shumë ditësh, me disa nga shokët e grupit, s’kishte asnjë shoqe çuditërisht, mu tha troç se unë duhet të ndihem përgjegjës për reformën në drejtësi. Copë.
Natyrisht, jo vetëm unë, se ka dhe ndonjë tjetër këtu që duhet të ndihet përgjegjës, po aty mu tha mua copë. Sepse jam unë fajtori kryesor që kjo reformë ka prodhuar këto efektet e dëmshme anësore. Jam i bindur që, jo vetëm ata, po do të ketë plot këtu, që mendojnë njësoj si ata dhe që edhe si disa ish-mbështetës të flaktë të reformës në drejtësi në mexhlisin mediatik, i përmbledhin të gjitha këto në një fjalë që unë as e kam thënë dhe as do ta them ndonjëherë, dështim.
Tani, unë e mirëkuptoj zhgënjimin, jo dhe aq të shokëve që e kanë votuar reformën apo kanë punuar për të sepse ta quash dështim reformën në drejtësi nga pozita e mbështetësit të dikurshëm mediatik të saj, je në të drejtën dhe mbase dhe në detyrën tënde për të vënë alarmin, sipas perceptimit tënd.
Por ta quash dështim nga pozitat e grupit projektues dhe miratues të saj, do të thotë të mos shohësh më larg ditës së sotme, të mos llogarisësh përtej kostove aktuale dhe të mos vlerësosh më shumë sesa komoditetin tënd.
Ndërkohë që, unë kam qenë dhe mbetem kokëfortë në mbrojtjen e bindjeve të mia, jam gjithnjë e më pak rezistent ndaj mundësisë që ta kem gabim, por jam i interesuar të kuptoj kur kam gabuar, ku kam gabuar, që do të thotë s’e kam problem të pranoj gabime. Kjo është provë e sigurtë që nuk jam më i ri, por sinqerisht që, jo vetëm nuk gjej asnjë arsye strategjike për ta pranuar opinionin se reforma në drejtësi ka dështuar dhe aspak për kokëfortësi po e them prapë këtu, pas gjithë këtyre që thashë, 100 herë të kthehesha mbrapsht, 100 herë do zgjidhja reformën në drejtësi me të gjitha të mirat e të këqijat e ardhura prej saj, krahasimisht me alternativën, atë batakun e llahtarshëm, pa asnjë dritë të ardhmeje, pa asnjë shans për të marrë respektin e askujt dhe pa asnjë mundësi për tu ndjerë i respektuar në rast se largqoftë, rruga të çonte nga ajo derë.
Nuk i hedh unë poshtë shqetësimet që ndan me mua shokët në fjalë apo gjithçka që ju ndani mes jush për problematikën e mprehtë të këtyre efekteve anësorë në jetësimin e pavarësisë së drejtësisë, ashtu sikundër unë e respektoj shumë për të hir të së vërtetës, edhe pse nuk e ndaj opinionin e atyre që janë thellësisht të zhgënjyer dhe që e thonë publikisht nëpër media si aktorë mediatikë, por ka një gjë, nëse të gjithë të tjerët munden vetëm të konstatojnë duke shkuar nga ekstremi i hosanave për drejtësinë që vret dhe pret e gjyq e pa gjyq; me prova, pa prova; me të drejtë, pa të drejtë, nuk ka asnjë rëndësi sepse rëndësi ka ‘’të vriten e të priten sa më shumë njerëz’’ tek ekstremi i deklarimit të dështimit të reformës në drejtësi, detyra jonë është të udhëheqim duke qeverisur sa më mirë çdo ditë, pa u ndikuar në këtë proces nga hyrje-daljet e drejtësisë në territorin që Kushtetuta na e ka njohur si hapësirë të pavarësisë sonë, si dhe duke reformuar dhe përmirësuar më tej kuadrin ligjor të Republikës së Shqipërisë, pa harruar ama asnjë çast se konteksti krejt i ri historik i negociatave të anëtarësimit, na detyron të mbajmë pesha gjithnjë e me të mëdha në aspektin e përafrimit të ligjeve tona me ato të BE, por edhe na jep mundësinë që të përfitojmë nga eksperienca dhe ekspertiza më e kualifikuar në çdo fushë të interesit tonë dhe sidomos në fushën e shtetit të së drejtës.
Kush në radhët tona mendon sot se reforma në drejtësi ka dështuar sepse dje ka menduar se ajo do zbatohej pa gjak, pa lot, pa djersë në radhë të parë brenda familjes tonë politike, duhet ta gjejë të vetja fajin që ka qenë dritëshkurtër dhe kujt është duke menduar se unë po i them këto fjalë pa i besuar as vet apo se “kështu i do drutë mushka e Europës”, iu them kthehuni tek fjalët e mia shumë herë më parë për drejtësinë, para miratimit, gjatë miratimit dhe pas miratimit të reformës dhe pa filluar fare ky përshkallëzimi i pritshëm i viteve të fundit.
E kam thënë dhe herë të tjera unë, që nga të gjitha reformat që bën politika, kjo e drejtësisë kur është e vërtetë është më e renda sepse lidhet drejtpërdrejt me lëkurën e politikës. Prandaj nuk u bë kurrë një reformë e vërtetë në drejtësi dhe prandaj nuk pati kurrë drejtësi në Shqipëri dhe prandaj as kurrë asnjëherë nuk e panë shqiptarët një njeri me pushtet të shkonte para drejtësisë qysh nga viti 1912, deri kur ne së bashku, unë me ju, vendosëm të bëjmë reformën e vërtetë duke i hyrë detit në këmbë dhe e bëmë. E bëmë sepse ose e bënim në këtu ose se bënte dot askush tjetër. Njësoj si Shqipërinë 2030 në BE, ose e bëjmë ne ose askush tjetër se bën dot.
Shikojini vet rreth e rrotull, që nga hunjtë e vjetër dhe të thyer që juve që shkoni e hyni nëpër zyrat e Kuvendit i takoni përditë korridoreve, tek filizat e rinj e të shtrembër që i keni nga ana tjetër e bulevardit poshtë dritares time e deri tek ballisti Agron dhe komunisti Arlind që i mbajnë sytë të gjithë tek stacioni i trenit duke pritur që SPAK t’i hapë rrugën njërit për kotecin e pulave qyl e tjetrit për kasollen e Galigatit me yll.
Unë nuk dua ta relavizoj problematiken e mprehtë, shumë të mprehtë të efekteve anësore të reformës në drejtësi, përkundrazi, por dua që të sigurohem se të gjithë ne këtu do ta mbajmë shumë fort parasysh beben përpara sesa të derdhim ujin e pistë, që do ta derdhim sepse reforma në drejtësi është një investim strategjik i Partisë Socialiste të Shqipërisë, për një ndryshim të pakthyeshëm historik me plot kuptimin e fjalës si pavarësimi i drejtësisë dhe çdo diskutim, reflektim apo vendim i yni si ligjvënës që zotërojmë, jo rastësisht. Thonë që kur populli zgjedh, populli ndjen dhe është ajo që populli ndjen që shtyn rezultatin në drejtime ta caktuara që nganjëherë befasojnë të gjithë ata që i shikojnë gjërat nga lart dhe jo nga poshtë siç i sheh njeriu i zakonshëm.
Ne si zotërues të kësaj shumice të cilësuar në lidhje me sistemin e drejtësisë duhet të udhëhiqemi nga kjo e vërtetë e madhe dhe duhet t’i shërbejmë vetëm kësaj të vërtete të madhe. Drejtësia e pavarur është investimi më i madh i Partisë Socialiste për të gjithë brezat që vijnë. Asnjë hap mbrapa.
Pavarësia e gjyqësorit nuk preket, vetëm forcohet.
SPAK nuk preket, vetëm mbështetet. Hapa përpara po, pa asnjë diskutim.
Politika penale, procedurat penale, garancitë juridike për nëpunësit civil, dënimet alternative, rivijëzimi i kufijve mes çështjeve penale dhe atyre administrative që janë bërë si ato vizat e bardha që kanë vetëm namin, por jo nishanin dhe natyrisht në radhën më të parë ngritja e piedestalit të shembur të prezumimit të pafajësisë, jo vetëm si një parim universal i lirisë dhe të drejtave të njeriut në një rend demokratik, por edhe si një domosdoshmëri shoqërore për një vend si yni i cili ka dalë nga një traumë dehumanizimi si ajo e diktaturës së prokurorëve dhe gjykatësve të kohës së komunizmit pasojat e të cilës luajnë ende sot rolin e tyre dhe në jetën e sotme institucionale të vendit, janë çështjet tona në radhë të parë. Janë përgjegjësia jonë!
Ata 58% shqiptarë dhe shqiptare që rrinë nëpër burgje pa gjyq janë çështja jonë dhe janë përgjegjësia jonë. Ai numër rrëqethës që e vendos Shqipërinë të parafundit gjysmë hapi para Rusisë për raportin mes dënimeve dhe pafajësimeve është çështja jonë, është përgjegjësia jonë dhe këto nuk na i merr dot askush. Këto nuk ia delegojmë dot askujt dhe për këto duhet t’i përgjigjemi ne në radhë të parë gjithkujt.
Është një tematikë e vetëvendosur në rendin tonë në ditës. Prandaj jemi angazhuar si fillim me ministritë e Drejtësisë së Italisë dhe të Francës. Na kanë vënë në dispozicion një rrjet ekspertesh më të mirët që ata kanë në fushën e politikë penale dhe të proceduarve penale me Këshillin e Europës që po ashtu na ka vënë në dispozicion ekspertët e vetë për të hartuar një dokument ndryshimesh lidhur me procedurat penale të cilën natyrisht do ta konsultojmë edhe me Komisionin Europian.
Edhe draftin e ri të Kodit Penal, një punë kolosale e një grupi ekspertësh të pavarur nën udhëheqjen e drejtorit të shkollës së Magjistraturës, profesor Arben Rakipi pasi u reflektua prej grupit edhe një lumë vërejtjesh të nxjerra nga konsultimi publik, e kemi ndarë së bashku me ata që thashë, me mbështetjen e këtyre mistrive si dhe qeverisë së Holandës, e cila na ka vënë bujarisht një ekspert me shumë përvojë.
Prandaj, të qëndrojmë te fokusi, të përqendrohemi më shumë se asnjëherë tjetër tek punët tona dhe si përfundim propozoj që marsin dhe nëntorin ne t’i bëjmë dy muaj të familjes sonë së madhe socialiste që të rikthehemi tërësisht aty ku e kemi dhe burimin e fuqisë sonë për të hapur një odë të dialogut të brendshëm me anëtarët e më simpatizantët tanë për gjithçka që ne duam të ndajmë me ta dhe për gjithçka ata duan të ndajmë me ne.
Faleminderit shumë për durimin!
Uroj dhe shpresoj që zgjatja e zakonshme e fjalës të mos ketë sjellë mërzi tek asnjeri prej jush.
- PDK nuk ka votë për Osmanin: Po na u kërkua, propozojmë një kandidat për president - 26/02/2026
- Kryeministrja e Danimarkës njofton zgjedhje të parakohshme, a do arrijë ta mbajë karrigen Mette Frederiksen mes tensioneve me Trump për Groenlandën? - 26/02/2026
- Demokratët akuzojnë Departamentin Amerikan të Drejtësisë: Keni fshirë dosjet e Epstein që kanë lidhje me Trump - 26/02/2026