11.5 C
Tirana
22 / 04 / 2024

Fjala e plotë e Ramës në Samit: S’duhet ta lëmë Rusinë të fitojë, ekzistenca e BE do të ishte në rrezik

Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, bashkëdrejtuan sot punimet e Samitit “Ukrainë – Europa Juglindore” mbajtur në Tiranë.

Rama rikonfirmoi se “mbetemi të bashkuar në përgjigjen tonë, mbetemi të vendosur krah Ukrainës përballë kërcënimit, një kërcënimi mjaft real ndaj sigurisë së Europës dhe rendit global”.

Fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama në nisje të seancës:

Më lini së pari t’ju them se sa mirënjohës ju jam të gjithëve për praninë tuaj dhe sa veçanërisht i përulur ndihem që t’i uroj mirëseardhjen e veçantë në Tiranë mikut tonë nderit, Shkëlqesisë së Tij, Presidentit Volodymyr Zelenskyy të Republikës së Ukrainës.

I nderuar President, shumë i dashur mik!

Jemi thellësisht të nderuar që bëtë këtë udhëtim në Tiranë mes përgjegjësive të jashtëzakonshme të udhëheqjes, jo vetëm të kombit e popullit tuaj, por të gjithë botës sonë demokratike në qëndresën ndaj luftës që kaq mizorisht i është imponuar vendit tuaj, por që ndërkohë ka sfiduar në mënyrë kaq brutale botën tonë demokratike.

Kjo është një luftë që as Ukraina e as bashkësia jonë e kombeve me të njëjtën qëndrim nuk e zgjodhën, një katastrofë e ngjizur nga zgjedhja e vendimi i vetëm një njeriu, i drejtuar nga një ëndërr e vjetër e një të shkuare perandorake.

Prania juaj këtu është po kështu një kujtesë që ai nuk ia ka dalë dhe që pavarësisht fuqisë së saj ushtarake dhe propagandës toksike, Rusia neoimperialiste nuk ia ka dalë të përmbysë qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të Ukrainës, nuk ia ka dalë të shtypë vullnetin e popullit të Ukrainës, të jetojë në një atdhe të lirë, të pavarur dhe demokratik.

Nuk ia ka dalë të shtypë të vërtetën!

Kontrasti nuk mund të jetë më i fortë sesa kaq!

Vladimir Putin donte ta fshinte Ukrainën nga harta për çështje ditësh, por sot Ukraina është më shumë se kurrë e ankoruar në Europë e besoj edhe më besim plotë se kurrë për fatin e vet europian.

Hedh sytë rreth kësaj tryeze, shoh fytyra të njohura, miqësore, pas një historie të gjatë luftërash, konfliktesh marrëdhëniesh të ngrita. Të gjithë ne këtu në Ballkanin Perëndimor jemi bërë bashkë për të paktën një dekadë, për t’u takuar. Për të folur për sfidat tona, për të planifikuar të ardhmet tona. Pavarësisht asaj për të cilën ende s’mund të mos biem dakord, për të parë përpara në vend se të shohim pas historinë brutale të ndasive të përgjakshme që na kanë mbajtur peng për kaq shumë brezni. E ardhmja që ne në Shqipëri shohim është e ardhmja e përbashkët ku jetojmë në paqe me fqinjët, ku punojmë në bashkëveprim me partnerët tanë e qëndrojmë në miqësi me botën.

Prania juaj këtu zoti President na bën thirrje që të pranojmë diçka me një rëndësi të jashtëzakonshme që e njëjta shpresë që na ka bërë bashkë ne përgjatë viteve, na bashkon tanimë me popullin e Ukrainës. Sapo kemi shënuar përvjetorin e dytë të zymtë, të sulmit në shkallë masive të Rusisë kundër Ukrainës dhe kryeqytetit të saj Kievit dhe jemi këtu të përtërijmë solidaritetin dhe mbështetjen për Ukrainën dhe popullin e saj dhe juve zoti President e të gjithë atyre që vuajnë sot në Ukrainë. Duam po kështu të përtërijmë thirrjen tonë për Rusinë të ndalë këtë luftë. Duam të përtërijmë angazhimin tonë ndaj paqes, një paqeje të drejtë e mbështetur në Kartën e Kombeve të Bashkuara, të së drejtës ndërkombëtare e rezolutave të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Një paqe që respekton Ukrainën dhe të drejtat e saj.

Mblidhemi këtu për të rikonfirmuar se mbetemi të bashkuar në përgjigjen tonë, mbetemi të vendosur krah Ukrainës përballë kërcënimit, një kërcënimi mjaft real ndaj sigurisë së Europës dhe rendit global. Jemi po kështu të vetëdijshëm për kufizimet tona. E them herë pas herë, ia them mikut tim të dashur, presidentit ukrainas sa të vetëdijshëm jemi. Ne vetë nuk kemi kapacitetin për të ofruar nivelet e mbështetjes financiare dhe ushtarake për të cilën ka nevojë Ukraina për të mbrojtur si duhet veten dhe popullin e vet. Kështu që më lini t’i kërkoj gjithkujt këtu të bashkohen me thirrjen time për anëtarët më të mëdhenj e më të pasur të bashkësisë sonë demokratike për të njohur rolin e tyre. Jetesa e Ukrainës si një shtet i lirë, i pavarur dhe demokratik e si bastion i lirisë së Europës në tërësi varet nga mbështetja financiare dhe ushtarake që ata së pari mbi të gjitha ofrojnë. Kjo mbështetje nuk duhet të jetë peng i politikave të brendshme ditëshkurtra, apo i vonesave demokratike. Mos u gaboni! Ukraina nuk po lufton veç për veten, por për gjithçka në ne cilën besojmë, qëndrojmë dhe punojnë. Ka atje tej disa oportunist cinik se të ndihmosh Ukrainën në qëndresën e saj ndaj ushtrisë pushtuese, pengon kauzën e paqes, por atyre do t’u them sot se mënyra për t’i dhënë fund luftës nuk është të çarmatosim viktimën, por të ndalim agresorin në agresionin e tij.

Të shpërblesh një agresor, i cili anekson territoret e një vendi sovran duke çarmatosur viktimën e agresionit nuk sjell paqe, por shtron terrenin për më shumë luftë. Të ndalosh Ukrainën në vend që të ndalosh Vladimir Putinin e shndërron paqen mbështetur në shpërblim për agresion një bazë legjitimimi të një agresioni të mëtejshëm dhe e shndërron botën tonën tonë në një vend të sunduar nga fuqia, jo nga të drejtat.

Kolegë dhe miq, e dimë më shumë se mirë se rajoni ynë dhe kontinenti ynë nuk janë të panjohur me luftërat dhe pasojat e tyre shkatërrimtare.

Europa siç e njohim, doli pas dy luftërash të tmerrshme botërore vetëm shekullin e shkuar. Në këtë rajon, në rajonin tonë pas më shumë se një çerek shekulli plagët e thella të lëna nga shpërbërja e dhunshme e ish- Jugosllavisë diktatura e fundit e Europës sonë të përbashkët ende duhen shëruar, por kemi parë dhe ndërtim të paqes pasqyruar mbi të gjitha në vizionin e urtinë e pashembullt dhe kurajën e punën e madhe që çoi në krijimin dhe zhvillimin e BE.

Vizioni që çoi në krijimin e BE-së udhëzon sot në Ballkanin Perëndimor në rrugëtimin tonë drejt së ardhmes, një të ardhme që mund të arrijmë vetëm në paqe duke qëndruar dhe duke punuar së bashku dhe duke zgjidhur dallimet tona në mënyrë paqësore, konstruktive në emër të brezave të ardhshëm. Për fat të keq e gjitha kjo është tashmë në rrezik sepse rendin ndërkombëtar i bazuar në rregulla po sfidohet sepse marrëdhëniet e pushtetit janë shndërruar në përplasje për pushtet, sepse orekset e vjetra për dominim po hapen më tej. E gjitha kjo mbjell frikë dhe një ndjenjë të mprehtë paqëndrueshmërie. Nuk mundemi e nuk duhet të biem pre e kësaj. ‎E vetmja zgjedhje që kemi është të rezistojmë në mënyrë të përbashkët forcave që kërkojnë të zhbëjnë atë çfarë me mundim kemi ndërtuar së bashku. Nuk mund të jemi naivë e të pakujdesshëm e të lëmë të ardhmen tonë peng të dëshirave të shfrenuara. Duhet të vazhdojmë të gjithë në Ballkanin Perëndimor të qëndrojmë së bashku, të mobilizojmë të gjitha kapacitetet e burimet tona, të përforcojmë lidhjet tona, atë çka na bën bashkë, institucionet tona, organizatat tona, që forcon demokracitë tona e të bëjmë gjithçka që mundemi për të mos e lënë agresionin të shpërblehet. Ne nuk mundemi e nuk duhet ta lëmë Rusinë të fitojë e Ukrainën të humbasë. Një rezultat i tillë do të ishte i papërballueshëm. Gjithë projekti evopian, përshirë edhe ekzistenca e BE do të ishte në rrezik. Ëndrra jonë e përbashkët për një të ardhme  me paqe e prosperitet, do të çohej në buzën e një të ardhmeje shumë, shumë më të errët. Një e ardhme që është shumë e dhimbshme për t’u parafytyruar. Ja pse duhet të mbështesim mbështetjen për luftën e lirisë e dinjitetin e Ukrainës. Kjo luftë është edhe për dinjitetin tonë dhe duhet të vazhdojmë ta avokatojmë për paqe, një paqe të drejtë për Ukrainën dhe popullin e saj.

Shqipëria ka bërë atë çka mundet e do të vazhdojë ta bëjë një gjë të tillë. Deklarata e përbashkët që nënshkruam sot në mbështetje të integrimit euroatlantik të  Ukrainës, do të forcojë më tej marrëdhëniet tona dhe vendosmërinë për të vazhduar e qëndruar krah Ukrainës.

Së fundmi, për shumë ato kombe të vogla si ne që nuk duan të kthehen ushqim për oreksin imperialist të Rusisë, kemi nevojë për qartësi absolute rreth Ukrainës, kemi nevojë për solidaritet të palëkundur me Ukrainën e kemi nevojë për një vendosmëri të përbashkët për të mbështetur Ukrainën.

Slava Ukraina!

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x