Donte të bëhej arkitekte, por bota e barnave e tërhoqi aq shumë sa nuk doli më prej saj. Vajza nga Saranda që e la Shqipërinë në moshën 18 vjecare, na rrëfen rrugëtimin e saj mes farmacisë, kërkimit shkencor dhe periudhës së pandemisë Covid 19, kur jeta e gjithsecilit prej nesh ndryshoi.
“Gocat cfarëdo që duan ta bëjnë mund ta arrijnë, thjesht duhet punë, vullnet dhe ambicie.”
Ornela, institucioni ku ju punoni Agjensia Europiane e Barnave ose EMA shkurt, gjatë pandemisë së covid-19 u bë shumë e njohur, jo vetëm për qytetarët shqiptarë, por për gjithë qytetarët e botës. Ju aty ushtroni dy funksione: oficere shkencore dhe menaxhere. Unë kam dy pyetje në këtë kuadër. A mund të na thoni më saktësisht me cfarë merreni dhe cfarë do të thotë të jesh një oficere shkencore pranë EMA?
Unë merrem me shqyrtimin e dosjeve që vijnë pranë EMA-s me aplikime për të miratuar medikamente, për t’u hedhur në tregun europian, po ashtu edhe në Norvegji, Lihtenshtejn dhe Islandë. Pra, jam këshilluese shkencore ose kontrolluese shkencore për sa i përket këtyre dosjeve, gjithashtu edhe këshilluese shkencore në rast se kompanitë që dërgojnë këto aplikime tek ne, kanë dëshirë për një këshillim shkencor se si ta formulojnë dosjen e aplikimit. Po ashtu, deri para pak kohe kam qenë sekretarja kryesore e një prej komiteteve të EMA-s. Për momentin jam edhe menaxhere ndryshimi, kjo për të siguruar që të zbatohet sic duhet ligji i ri europian për sa i përket vdekjeve klinike. Ky ligj ka hyrë në fuqi në Europë në janar të këtij viti, dhe po ashtu në bashkëpunim me Komisionin Europian dhe vende të tjera të Bashkimit Europian, mundohemi t’i përgjigjemi pyetjeve të ndryshme për të interpretuar këtë ligj të ri. Këto pyetje normalisht vijnë nga sponsorat që janë kompanitë farmaceutike, të cilat kryejnë këto studime klinike. Pak a shumë këto janë përgjegjësitë e mia në EMA.
Si e ndjeni veten në këtë rol tuajin të dyfishtë?
E ndjej shumë mirë. Normalisht që ti ndjen një përgjegjësi shumë të madhe kur je në këtë rol. Është një rol goxha i ngarkuar, por është gjithashtu edhe shumë interesant, sidomos me cfarë po ndodh kohët e fundit me Covid-19 dhe me linë e majmunit. Po ashtu e ndiej veten të privilegjuar të jem pjesë e kësaj organizate dhe për punën që kjo organizatë bën për të siguruar që të kemi medikamente të sigurta, efektive dhe cilësore në Europë.
Ornela ju e keni lënë Shqipërinë shumë shpejt, në vitin 2002 pas mbarimit të shkollës së mesme keni shkuar në Oslo të Norvegjisë për të studiuar për Farmaci. Bachelor-in e së cilës e keni mbaruar në vitin 2008, dhe pastaj në vitin 2015 keni fituar titullin Master në Farmaci në po të njëjtin Universitet. Aty keni ndjekur po ashtu kurset e nivelit te PHD në fushën e Shëndetit Publik, Klinikës dhe Epidemiologjisë, si dhe në fushën e Mjekësisë Ortomolekulare për kancerin. Është një udhëtim i gjatë akademik, po ashtu edhe profesional. Cila ka qënë lidhja juaj me farmacinë dhe shkencën e mjekësisë në përgjithësi? A ka qënë dikush që jua ka ushqyer këtë dashuri apo këtë lidhje me këtë fushë në Shqipëri në shkollën e mesme, në familje, ndonjë mësues?
Dashuria ime në shkollë në Shqipëri ka qënë më biologjinë, më ka pëlqyer shumë biologjia. Kam pasur shumë kureshtje sidomos për pjesën e gjenetikës. Kam pasur një mësuese biologjie në gjimnaz, e cila e bënte biologjinë shumë interesante për mua dhe kjo ndoshta ishte një nga ato referencat kryesore që unë përdora pasi zgjodha Farmacinë. Faktikisht ëndrra ime nuk ka qënë të bëhem farmaciste që në fillim. Kur kam shkuar në Norvegji ëndrra ka qënë të bëhem arkitekte, por duke shkuar në fakultete të ndryshme dhe duke u konsultuar me personelin aty mendova se farmacia ishte një nga degët që më përshtatej dhe më dukej interesante. Prandaj vendosa ta provoj. Kur fillova studimet në vitin e parë fillova ta kuptoj se ishte një degë shumë interesante, më hyri dhe më shumë në qejf dhe vendosa ta vazhdoj. Gjithashtu me kalimin e viteve gjatë studimeve u bë edhe më interesante. Normalisht pasi fillova të punoja e kisha me shumë pasion, më pëlqente jashtëzakonisht shumë. Kështu që e harrova ëndrrën e të qënit një arkitekte dhe ajo ngeli më shumë si një hobi apo si një pasion.
E rëndësishme është që je brenda STEM! Për 8 vjet keni punuar pranë Agjensise Norvegjeze të Barnave, pas një eksperience si farmaciste gjatë studimeve tuaja universitare. Unë jam kureshtare, ashtu si edhe dëgjuesit, të kuptojmë se cili është ndryshimi midis përgatitjes së barnave për pacientët dhe zbulimit apo përmirësimit të barnave për masat e popullsisë?
Unë kam punuar në shtet, pra në Agjensinë Norvegjeze të Barnave, duke u marr me koordinimin dhe aprovimin e medikamenteve në Norvegji, por njëkohësisht punoja dhe part-time në farmaci. Më mungonte të kisha atë kontaktin me pacientët. Puna është se kur je aty me pacientët ke të tjera problematika, të tjera tema që kanë rëndësi dhe për ty në fokus është pacienti, si të zbulosh nëse i bën efekt medikamenti, nëse ka efekte anësore apo jo, nëse ka reaksione nga medikamentet etj. Kur punon në shtet, me aprovimin e barnave, është dicka më teorike, por aty shikon një impakt më të madh. Pra, ti ndikon në një grup më të madh njerëzish, ndërkohë që në farmaci ti jep një ndikim më të vogël tek një pacient. Pak a shumë ky është ndryshimi, megjithatë mua më kanë pëlqyer të dyja dhe sidomos kam qenë shumë e kënaqur që kam mundur ta kombinoj në një periudhë të karrierës sime edhe punën në farmaci, edhe punën në shtet.
Fusha e barnave mori një vëmendje dhe një zhvillim, të paktën në vëmendjen e njerëzve gjatë pandemisë së covid-19. Ndikimin kryesor këtu e pati edhe kërkimi dhe më pas prodhimi i vaksinave për Covid. Cfarë kujtoni ju nga eksperienca në EMA gjatë kësaj pandemie? Unë e di që ka qënë shumë intensive si periudhë dhe keni bërë me të vërtetë shumë punë.
Po, ka qënë një periudhë shumë intensive për të gjithë kolegët e mi. Në fillim nuk ka qënë dhe aq intensive, ishim duke pritur të shikonim se si po zhvillohej situata, pastaj dalëngadalë u bë edhe më intensive. Unë në janar sapo kisha marr rolin e sekretares kryesore në komitet dhe ajo që kujtoj është se papritur puna u shumëfishua. Papritur duhet të punonim vetëm nga shtëpia, nuk kishim kontakt me kolegët apo me anëtarët e komitetit, të cilët vinin nga vende të ndryshmë të BE-së. U ndryshua forma se si punonim, gjithashtu u ndryshua edhe volumi i punës. Ajo që unë mbaj mend më së shumti është se kam mësuar shumë për sa i përket Covidit dhe sëbashku me kolegët e tjera kemi mësuar shumë, pasi ishte një fushë për të cilën nuk ishim aq shumë të përgatitur. Gjithashtu kemi mësuar të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin në një mënyrë shumë të mirë. Unë jam habitur se si në kushte shtëpiake kemi mundur të bashkëpunojmë aq mirë. Por gjithashtu kemi patur dhe vullnetin të punojmë orë shumë të gjata. Unë mbaj mend që ishte shumë normale që të filloja punën në orën 7 ose 8 në mëngjes e ta mbaroja në 9 në darkë, sepse në atë kohë mbaronin mbledhjet në komitet. Pra, ishte shumë e rëndësishme që ne ti sillnim sa më shpejt medikamentet në tregun europian, por normalisht pa bërë kompromis me cilësinë apo efektshmërinë dhe sigurinë e medikamenteve. Kjo ishte gjëja kryesore gjatë gjithë punës që bënim si agjensi.
Kalojmë në një pyetje tjetër që ka një natyrë disi tjetër do të thoja. Farmacia dhe mjekësia janë konsideruar gjithmonë si motër e vëlla apo të ngjashmë, por mjekësia ka patur gjithmonë një tërheqje tjetër, një status më të lartë ndoshta. Pjesa më e madhe e farmacisteve janë gra dhe farmacia konsiderohet si një degë e përshtatshme për to. Shpesh herë kemi dëgjuar që nënat i thonë vajzavë të studiojnë farmaci pasi kanë një biznes të sigurtë në fund të periudhës së studimeve. Cfarë mendoni rreth kësaj përshtypje të përgjithshme dhe mendoni se ka një farë paragjykimi ndaj farmacisë dhe cfarë është për ju farmacia?
Po, është e vërtetë se mjekësia konsiderohet si dicka më e lartë se farmacia për faktin se është dhe studim më i gjatë. Po ashtu mesatarja që kërkohet për të hyrë në universitet në Mjekësi është më e lartë se ajo që kërkohet për Farmaci apo Ontonologji, kështu që normalisht është perceptimi që ka një status më të lartë. Gjithsesi do thoja se farmacia është një degë shumë interesante. Ka pasur dhe ka paragjykime për farmacistët, sepse është ideja që farmacistët thjesht duan të shesin medikamente , por të paktën në Norvegji ku unë jetoj, shkencëtarët për barnat përkatëse janë faktikisht farmacistë. Pra, nuk do të thotë se je farmaciste dhe duhet thjesht të hapësh një farmaci. Koncepti i profesionit të farmacistit është shumë i gjerë se vetëm të punosh në farmaci. Do thoja se farmacia nuk mund të shihet vetëm si biznes, farmacia ka shumë më shumë sesa të punosh në farmaci. Mund të punosh në firma farmaceutike, mund të punosh në organizata shtetërore etj. Për mua është një degë shumë interesante, që të jep shumë mundësi. Ndoshta arsyeja pse vajzat bëjnë zgjedhje për të studiuar farmaci është, sepse pasi mbaron mjekësinë ti del në punë e punon me turne, ndërsa kur je farmaciste ke një punë zyre apo një punë në farmaci, e cila është më fleksibël. Kjo të jep mundësinë në të ardhmen ndoshta kur të kesh familje, pra të jep më shume fleksibilitet. Ndoshta dhe kjo është një nga arsyet.
Por si e shoh unë farmacinë? Farmacia ka ndryshuar shumë nga ajo që ka qenë më përpara. Po të shikojmë në kohët e mëparshm farmacia ka qenë një degë e dedikuar për meshkujt, ndërsa tani akoma më shumë ka femra në farmaci. Unë e shikoj si një degë të domosdoshme dhe duhet të fokusohemi të bashkëpunimi i mjekëve me farmacistët. Edhe në Norvegji ka paragjykime në lidhje me farmacistët. Ndonjëherë mjekët kanë atë idenë që farmacistët nuk i dinë edhe aq mirë, nuk e njohin edhe aq mirë patologjinë e pacientit, prandaj ata nuk pyeten edhe aq shumë, sepse ata duan vetëm të shesin medikamente. Por kohët e fundit janë bërë shumë përpjeke që këto dy degë të bashkohen edhe më shumë dhe kjo është bërë duke organizuar kurse për farmacistët dhe mjekët, të cilat janë të përbashkëta. Në këtë mënyrë, mjekët dhe farmacistët e ardhshëm njihen më shumë më profesionin e njeri-tjetrit dhe kanë më shumë respekt dhe bashkëpunim me njeri-tjetrin. Mos të harrojmë se për sa i përket reaksioneve të mediamenteve te pacientët, farmacistët janë ekspertë në këtë gjë. Mjekët nuk janë ekspertë për sa i përket kësaj fushe, kështu që të dy kanë nevojë për njeri-tjetrin. Ajo që është tendencë në Europë, sidomos në Europën veriore është punësimi apo specializimi i farmacistëve klinikë, që do të thotë se cdo spital ka dhe një farmacist klinik. Pra, kur mjeku do të japë trajtimin me medikamente një pacienti pasi i është bërë diagnoza, ai duhet patjetër të konsultohet me një farmacist dhe sëbashku të vendosin kurën që pacienti duhet të marrë. Ky mendoj se është një hap shumë i madh për sa i përket zhvillimit të profesionit, respektit që duhet të ketë.
Është shumë e rëndësishmë që përmes podcasteve tona të dalin jo vetëm zhvillimet e fundit në fushat në të cilat të ftuarat tona janë pjesë, por edhe që brezat e rinj të shohin më shumë dhe pak më thellë, përtej atyre që janë perceptimet e zakonshme. Le të flasim pak për Ornelën si grua tani. Cfarë bëni pas pune, cilat janë pasionet tuaja?
Mua më pëlqen shumë të udhëtoj dhe mundohem që sa më shumë të kem mundësi të udhëtoj, të zbuloj kultura të reja. Më pëlqen shumë të gatuaj, po ashtu më pëlqen shumë noti, si gocë nga Saranda më pëlqen shumë të notoj. Të tjera hobi mund të them se më ka pëlqyer shumë të pikturoj dhe ndonjëherë në kohën e lirë mundohem të pikturoj. Por në përgjithësi ndihem gjithmonë mirë dhe mundohem të jem pranë miqve dhe shokëve të mi.
Në STEM, ku ju kontriboni prej vitesh, megjithëse kemi një numër gjithmonë e më të madh vajzash, të cilat hyjnë në fushat e STEM-it, njëkohësisht norma e lënies së fushave STEM është më e lartë mes grave. Përsëri në pozicione drejtuese kryesisht janë burra dhe kjo nuk ndodh se grave u mungon aftësia apo ambicia. Unë jam kurioze të di si janë këto raporte në EMA, pra si janë këto balanca brenda organizatës suaj?
Po te fillojmë që nga drejtoresha ekzekutive, ajo është femër, por është hera e parë që në EMA është një drejtoreshë femër. Pra, jemi në hapat e duhura për fokusin e të pasurit vajza në pozicione drejtuese. Në EMA faktikisht ka shumë gra, të cilat janë në pozicione drejtuese, po ka dhe burra. Normalisht janë pak më shumë meshkuj që janë në pozicione drejtuese, gjithsesi do te thoja se balanca është deri diku ok. Ajo që ndoshta është pak e vështirë për femrat të jenë në pozicione drejtuese është përshembull në kultura tradicionale, në ato kultura ku është normale që femra të jetë ajo që duhet të kujdeset për fëmijët dhe të jetë ajo që duhet të marrë pushim nga puna për t’u kujdesur për fëmijët. Atëherë normalisht asaj nuk i krijohet mundësia që ajo të ketë një pozicion drejtues dhe e bën më të vështirë dhe më pak atraktive që të jetë në pozicion të tillë. Në vendet skandinave kjo është zgjidhur goxha mirë, sepse për lejen e lindjes jo vetëm gruaja është e detyruar të marrë leje, por edhe babai i fëmijës. Raporti në Norvegji është qe gruaja merr 7 muaj e gjysmë leje lindje, ndërsa babai merr minimumi 4 muaj leje lindje. Pra, dhe ai është i detyruar ta lërë punën dhe pozitën e tij. Në këtë mënyrë mundohen që të garantojnë që të ketë sa më shumë femra në poste drejtuese dhe ky të mos jetë një nga faktorët . Gjithsesi EMA kohët e fundit ka marr masa të cilat favorizojnë që edhe gjinia femërore të ketë role drejtuese në organizatë dhe mundësia të jepet në mënyrë të barabartë.
Ornela ju jeni në një pozicion në karrierë që shumë njerëz do ta lakmonin. Ende pa i mbushur të 40-tat jeni një model shumë i mirë për të gjitha vajzat shqiptare në STEM në diasporë. Cili është objektivi juaj në të ardhmen? Ku e shihni veten në 10 vitet e ardhshme?
Do doja të merresha më konkretisht me kërkime shkencore. Nëqoftëse do të kisha mundësinë të punoja ose ti rikthehesha laboratorit. Ky është një ambient, i cili mua më pëlqen jashtëzakonisht shumë të jem pjesë dhe do doja shumë që në të ardhmen të rikthehem në laborator.
Cfarë do t’u thoshit vajzave të reja që do të studiojnë STEM? Si mund ti motivojmë ato më shumë?
Do t’u thoja që degët e STEM-it janë shumë degë interesante. Mos të privohen apo mos të mendojnë se janë degë të cilat janë më të përshtatshme për gjininë mashkullore, sepse nuk ka degë të tilla. Ne po shohim që ndër shkencëtarët më të mirë tani në botë janë femra, pra gocat cfarëdo që duan ta bëjnë mund ta arrijnë, thjesht duhet punë, vullnet dhe ambicie. Pra nuk është idea që të jesh më i miri në shkollë, por idea është që të jesh kurioz dhe këtë ma ka thënë dhe një profesoreshë kur kam filluar farmacinë. Ajo ishte dhe shkencëtare njëkohësisht dhe kur e kam pyetur “Si arrite të bëhesh shkencëtare”, sepse më bënte përshtypje, ajo më tha “Ajo që është kryesorja është të jesh kurioze. Nuk është nevoja të jesh gjithmonë ekselente. Mjafton të jesh kurioze dhe të kesh iniciativën apo guximin të pyesësh, të kërkosh dhe të kesh ambicie dhe vullnet.” Une do t’u rekomandoja që asnjëherë të mos mendojnë se nuk mund të arrijnë, cdo gjë që kanë dëshirë dhe ëndërrojnë është e arritshme, do vetëm vullnet dhe punë.
Podcast-in e plotë mund ta shikoni këtu
- DOSJA “BUKA”/ Dëm shtetit 7 miliard lekë! Ahmetaj akuzohet se ka shpërdorur detyrën në privatizimin e fabrikës, GJKKO kthen në SPAK dosjen: Plotësoni hetimet! - 10/12/2024
- I përfundoi mandati si gjyqtare e Kushtetueses? Reagon Holta Zaçaj: Do t’i drejtohem Komisionit të Venecias - 10/12/2024
- Lulzim Basha pas opinionit të “Venecias”: Ti hiqet mandati Olta Xhaçkës - 10/12/2024