Fermerët e fshatrave Mançurisht, Progër e Vranisht në bashkinë e Devollit edhe këtë vit vazhdojnë të presin në sipërfaqe të mëdha mollët e varieteteve të ndryshme.
E gjithë kjo situatë sipas fermerëve është krijuar për shkak të mungesës së tregut, kryesisht me mollët tradicionale si gold dhe starking.
Dorian Rusi, fermer i fshatit Mançurisht, i cili pasi ka punuar për vite të tëra në emigracion është kthyer dhe ka mbjellë një sipërfaqe jo të vogël me mollë. Prej dhjetë vitesh tregon ai, ka qënë e vështirë për të shitur prodhimin edhe me çmime nën kosto. Në të tilla kushte zgjidhja e vetme për fermerin ka mbetur prerja e sipërfaqes së mbjellë dhe rikthimi në emigracion.
E njëjta situatë ka ndodhur edhe me fermerët e tjerë të fshatrave të Devollit, aq sa këtë vit edhe për shkak të breshrit që ka dëmtuar në përqindje të madhe prodhimin e tyre, janë detyruar ti shesin me 3 lek kg.
Një pjesë e tyre kanë vendosur të mos kultivojnë më mollë, e pjesa tjetër të largohet nga vendi.
Të kontaktuar zyrtarë të Agjencisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor Korçë, bëjnë me dije se kjo situatë ka ardhur për faktin sepse fermerët po ndryshojnë kultivarët e mollës, duke hequr kështu dorë nga varietetet të cilat nuk kërkohen më nga tregu vendas.
I njëjti burim tha se fermerët duhet të tregojnë më shumë kujdes për cilësinë e prodhimit, si dhe standardizimin nëse duan të dalin në tregun rajonal.
Në fushën e Devollit janë mbjellë më shumë se 780 ha me mollë, ndërkohë që sipas fermerëve gjatë viteve të fundit janë prerë afro gjysma e kësaj sipërfaqeje.
