Nga Avni Selmani
Dikur Trepça ishte krenaria dhe ndërmarrja më e fuqishme industriale e Kosovës, një emër i madh në tregjet botërore të plumbit, zinkut dhe mineraleve të tjera. Si emër ka qenë më i njohur se vetë Kosova. Në kohën kur Kosova nuk ishte shtet, Trepça ishte garancia e vetme se ky vend mund të bëhej shtet me ekonomi të qëndrueshme. Trepça ka pasur miniera të fuqishme, flotacione, uzina, kapacitete të mëdha shkrirjeje, laboratorë modernë për kohën, mijëra punëtorë të kualifikuar dhe një rrjet të tërë prodhimi që e lidhte industrinë nëntokësore me tregjet ndërkombëtare. Për gjysmë shekulli, çdo zhvillim ekonomik i Kosovës dhe i ish-federatës ka kaluar përmes Trepçës.
Pas luftës, kur Kosova duhej ta kishte kthyer këtë pasuri në motor të zhvillimit, ndodhi e kundërta. Trepça nuk u trajtua si projekt shtetëror. Politika mori vendime pa dije, pa ekspertizë dhe pa vizion. Teknologjia mbeti e vjetruar, ndërmarrja u fut në rënie të pandalshme dhe asnjë qeveri nuk e pa të nevojshme të ndërtojë një plan afatgjatë. Me vite, Trepça u la të rrënohej me vetëdije.
Ndërhyrjet politike krijuan pasiguri që asgjësoi çdo mundësi zhvillimi. Kuadrot profesionale u larguan dhe u zëvendësuan me njerëz partie që nuk kishin as dije profesionale, as përgjegjësi morale. Sot prodhimi është simbolik, fitimi nuk ekziston dhe Trepça mbahet gjallë vetëm nga buxheti i shtetit, një ironi për një pasuri që dikur e mbante shtetin.
Edhe më e rëndë është se Trepça nuk ka qenë kurrë pjesë serioze e programeve politike. Asnjë parti nuk ka ofruar plan. Në studio televizive nuk është as temë. Në fjalimet politike nuk përmendet as me emër. Kjo heshtje nuk është rastësi, është mbrojtje. Sepse askush nuk do t’i marrë përsipër dështimet.
Kur kritikohet zhvillimi, politika menjëherë fshihet pas meritave të vjetra. Njëra thotë se e ka çliruar vendin, tjetra se e ka bërë ushtrinë, tjetra se ka mbrojtur Mitrovicën. Por asnjë prej këtyre nuk ka lidhje me zhvillimin ekonomik. Ne po flasim për menaxhim, për përgjegjësi dhe për faktin se Trepça është lënë të zhduket. Për këtë, asnjëra palë nuk ka asnjë përgjigje.
Asnjë qeveri nuk ka dhënë analizë profesionale për gjendjen e Trepçës. Nuk ka raport për humbjet, nuk ka plan për të ardhmen dhe nuk ka asnjë përgjegjës të identifikuar. Rënia e Trepçës nuk është gabim teknik. Është dështim politik.
Fenomeni Trepça është pasqyra më e dhimbshme e shtetit. Dikur, pa shtet, Trepça ishte shpresa e vetme se Kosova mund të zhvillohej. Sot, me shtet, Trepça është dëshmia më e qartë se politika nuk ka ditur dhe nuk ka dashur të menaxhojë pasurinë e vendit. Pasuritë nëntokësore janë ende aty. Ajo që ka munguar ka qenë përgjegjësia.
Trepça nuk ka dështuar vetë. E ka dështuar politika. Dhe derisa kjo të mos pranohet hapur, Kosova do të vazhdojë t’i humbasë pasuritë e saj një nga një. Ky është shkaku pse vendi nuk po zhvillohet.
- Fenomeni Trepça, nga gjigand botëror në dështimin më të rëndë ekonomik - 08/12/2025
- Pse shqiptarët idealizojnë liderët e tyre? - 28/11/2025
- Fenomeni Albin Kurti - 23/11/2025