Nga Avni Selmani
Në politikën e Kosovës rrallë ndodh që një figurë të kthehet në dukuri. Albin Kurti është një prej tyre. Për një pjesë të qytetarëve ai është njeriu që solli shpresë dhe foli qartë për padrejtësitë që shumë njerëz i kanë përjetuar ndër vite. Për të tjerët është nxitës i përçarjeve dhe burim tensioni. Kjo ndarje tregon se këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me një kryeministër, por me një fenomen që flet për gjendjen e shoqërisë sonë.
Fenomeni Kurti nuk mund të kuptohet pa e parë zhgënjimin e qytetarëve gjatë këtyre viteve. Ka një brez të tërë që është rritur me bindjen se politika premton shumë dhe mban pak. Në këtë boshllëk ai u pa si dikush që i sfidoi politikat e vjetra dhe e tha qartë atë që qytetarët e zakonshëm ia thonin njëri-tjetrit prej vitesh. Kjo e ngriti figurën e tij më shumë se vetë posti që mban.
Nga ana tjetër, kundërshtarët e tij e shohin si rrezik për rrugën që ata besojnë se duhet ndjekur. Për ta, ai bie ndesh me interesat dhe bindjet e tyre, prandaj dhe bëhet shënjestër e çdo debati. Kjo tregon sa lehtë i ndërtojmë diskutimet mbi njerëz dhe jo mbi ide.
Një pjesë e këtij fenomeni lidhet me pritjet që shoqëria ua vë individëve. Ne shpesh presim që një njeri të bëjë punën që duhet bërë nga institucione të tëra. Në këtë mënyrë, i ngrisim figurat shpejt dhe po aq shpejt i rrëzojmë. Kjo formë e fenomeneve është përsëritur shpesh gjatë historisë, sa herë që një shoqëri nuk ka pasur vizion për të ndërtuar vendin dhe ka kërkuar shpëtimin te një individ.
Nëse e shohim me kujdes, fenomeni Kurti tregon më shumë për Kosovën se për vetë Kurtin. Tregon një vend që ende kërkon ekuilibrin mes asaj që dëshiron dhe asaj që mund të bëjë. Tregon një shoqëri që pret shumë nga politika, por zhgënjehet shpejt. Tregon një popull që kërkon ndryshim, por e humb energjinë duke u ndarë mes vete.
Në fund, problemi nuk është një njeri. Problemi jemi ne si shoqëri që duam ndryshim, por nuk e ndërtojmë. Pa institucione të forta dhe pa një vetëdije kombëtare, çdo figurë politike do të na duket si zgjidhje. Derisa të zhgënjehemi përsëri. Dhe derisa të kuptojmë se një vend nuk mbahet nga një individ, por nga puna që bën vetë shoqëria për veten.