“Dje po shihja sport deri vonë dhe nuk e pashë se si kishte ndodhë kjo ngjarja e BBV. Me ç’kuptova, Luizi kishte folur me Kiarën që ka një sëmundje të rëndë. Pak më vonë e kishte mohuar duke thënë se është shoku i tij që vuan, jo ai. Drejtuesja e emisionit e kishte urdhëruar Luizin të shkonte të bënte analizat në Spital Shtetëror. Spitali iu bind me urgjencë urdhrit të një moderatoreje telezive që spekuloi hapur me pushtetin mediatik të audiencës televizive.
Nëse është kështu, më bëjnë përshtypje dy gjëra:
E para, që e kishin vënë në dukje edhe komentues të tjerë para meje, si ka mundësi që Spitali Shtetëror i bindet përulësisht urdhrit të një moderatoreje televizive duke cënuar kështu, haptas, barazinë e shtetasve në shërbim? Këtë veprim mund ta bënte një spital privat, i cili, për interesat e tyre të reklamës vendos të bëjë si të dojë por kurrsesi një spital shtetëror.
E dyta dhe kryesorja, që nuk e pashë ta ketë vënë në dukje njeri, si ka mundësi që moderatorja të vërë në dyshim fjalën e një banori dhe ta urdhërojë këtë të fundit të bëjë analiza?! Me ç’të drejtë? Ai ndoshta do ta ruajë privatësinë e analizave, nuk do t’i bëjë publike. Ai ndoshta ka frikë të bëjë analizat për arsyet e veta. Ore fundja, nuk do t’i bëjë fare! Është zgjedhja e tij. Si ka mundësi të linçohet publikisht duke e vënë në dyshim fjalën e tij? Ku është privatësia në këtë histori? Ai ndoshta thjeshtë dyshon se ka diçka që nuk shkon me trupin e tij dhe ia thotë dikujt. Na ka bërë vaki të gjithëve të dyshojmë dhe të diskutojmë për dyshimet tona. Sa herë kam menduar unë vetë se kam kancer, zemër a dreqi e di se çfarë dhe ia kam thënë njerëzve të afërt si dyshim. E çfarë pastaj, të linçohem unë se më dolën analizat mirë?!!
Kjo është skandaloze!”