Pas pak minutash pritet që të nisë mbledhja e Këshillit të Mandateve, ku do të diskutohet për imunitetin e Sali Berishës.
Ky këshill përbëhet nga 10 deputetë, me përfaqësim të barabartë mes shumicës dhe pakicës parlamentare dhe drejtohet nga Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.
Që mbledhja të jetë e vlefshme të pranishëm duhet të jenë jo më pak se 5 anëtarë. Kjo do të thotë se mazhorancës i mjaftojnë 5 anëtarët e saj për të plotësuar kuorumin.
Ndërkohë që edhe opozita ka 5 anëtarët e saj në këtë Këshill, por 4 prej tyre janë të përjashtuar pas trazirave të shkaktuara në Parlament. Gazment Bardhi, Saimir Korreshi, Oerd Bylykbashi dhe Greta Bardeli janë në pikëpyetje nëse do të marrin pjesë në mbledhje, apo do të jenë pjesë protestës që do të mbajë ish-kryeministri Sali Berisha. Në këto kushte, i vetmi deputet i opozitës që i lejohet të marrë pjesë në mbledhje është Enkelejd Alibeaj nga grupimi i Lulzim Bashës.
Ky këshill nuk voton, por brenda 2 javëve përgatit një raport, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi për Sali Berishën -siç kërkon SPAK – dhe më tej i përcillet Kuvendit për votim të hapur në seancë plenare ku nëse zgjedh, mund të mbajë fjalë vetëm deputeti ndaj të cilit është paraqitur kërkesa.
Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin
Lindita Nikolla, kryetare
Klotilda Bushka
Ermonela Felaj
Arben Pëllumbi
Bledi Çuçi
Gazment Bardhi
Enkelejd Alibeaj
Oerd Bylykbashi
Greta Bardeli
Saimir Korreshi
Anëtarë zëvendësues
Xhemal Qefalia
Klevis Xhoxhi
Blerina Gjylameti
Dhurata Tyli Çupi