FJALA E REXHEP QOSES NË TAKIMIN E SHKRIMTARËVE NË NOVI SAD 1985
Po ju drejtohem në gjuhën serbe që të mos më quaj dikushi si shkrimtar autoqefal, sepse besoj që asgjë autoqefale në këtë botë nuk ka, dhe jo që eventualisht ta marr ndonjë duartrokitje, sepse që më parë e di që kur ta dëgjoni fjalimin tim, s’do të ketë duartrokitje, por përkundrazi… Por me këtë rast do t’ju drejtohem në serbisht që të më kuptoni që të gjithë…
Në kohë të fundit në gjuhën serbo-kroate janë botuar intervista, feljtone, memoare, vepra publicistike dhe shkencore, vjersha, këngë, tregime, romane, drama dhe monodrama, në të cilat shkruhet për popullin shqiptar, kulturën dhe traditën e tij.
Për dekada të tëra ishte injoruar albanologjia dhe temat shqiptare, dhe tani papritmas ato bëhen interesante dhe preokupim i një numri gazetarësh, shkencëtarësh dhe poetësh.
Si historian i letërsisë shqiptare, i cili e njeh shumë mirë historinë shoqërore të popullit të tij, mund të them që në të gjitha ato shkrime dhe libra ka shumë gjëra të papritura dhe të pamundshme. Mund të thuhet kështu, sepse në ato shkrime vërehet mosnjohja e një populli, një kulture, mosnjohja e ngjarjeve historike, e figurave historike, duke i seleksionuar sipas interesave, duke përdorur teza të gabuara të bazuara në shpifje, ku disa të vërteta që paraqet shtypi serb thjesht falsifikohen, dhe të gjitha këto mund të quhen si një anakronizëm intelektual.
Kur të gjitha këto të lexohen, do të shohim se sa të pavërteta ka, sa gjëra diletante të shkruara dhe të thëna, dhe të pavërteta për prejardhjen e vet shqiptarëve, historisë së Mesjetës, lëvizjeve të popujve, rreth Rilindjes Kombëtare të shqiptarëve, rreth Lidhjes së Prizrenit, përkatësisë fetare, rreth shkrimtarëve tanë të Rilindjes Kombëtare, rreth shkrimtarëve të mëdhenj të shqiptarëve si Naim Frashëri, Ndre Mjeda ose Fan Noli, rreth krijimit të gjuhës letrare të shqiptarëve, rreth dialekteve…
Në të gjitha librat dhe punimet e botuara nga shkencëtarët serbë ka gjëra të cilat me asgjë s’janë dokumentuara, të cilat madje janë edhe të falsifikuara, qëllimkëqija, të cilat mund të karakterizohen si një mësymje ndaj shkencës shqiptare për ta asgjësuar, sikurse edhe kulturën dhe historinë e tyre.
Është e qartë që pas gjithë kësaj propagande për të shkatërruar shkencën shqiptare nuk mund të jenë në pyetje kurrfarë punimesh shkencore, por përkundrazi, qëllime tjera. Këtu kemi të bëjmë me synimet e tmerrshme për të njollosur popullin shqiptar dhe kundër vet popullit.
Dje kemi dëgjuar këtu në këto takime disa nga ato shpifje dhe gënjeshtra, ku u tha që shqiptarët kanë bërë gjenocid mbi serbët në Kosovë! Gjenocid?!
Për Zotin, në kë kanë mundur të bëjnë gjenocid shqiptarët, të cilët prej që kur dihet historia janë duke luftuar për të mbijetuar gjer në ditët e sotme? Edhe ai që e tha dje një gjë të tillë e di që kjo është vetëm një fantazi e Zhilvernerit.
Por disave u lejohen edhe krijime të tilla në të cilat tregohen heronj të hipur mbi gomar apo edhe njerëz me katër gishta. Le ta thotë edhe këtë gjë ai që e tha dje atë gënjeshtër, pse mos ta thotë? Për disa që të shkruajnë për shqiptarët, t’i shajnë e njollosin ata, është një punim shumë rentabil, me profite dhe shitje të mëdha tirazhi.
Ajo që unë shkruaj, flas dhe e mbroj, kulturën shqiptare, ka të bëjë me këto shkrime qëllimkëqija që vijnë nga një pjesë e njerëzve qëllimkëqij, të cilët nuk i njohin sa duhet shqiptarët.
Nga shkencëtarët shqiptarë kërkohet që të bëhet diferencimi, dhe jo vetëm këtë, por shkohet aq larg sa që kërkohet që të hiqen nga programet shkollore vjershat e Naim Frashërit, Ndre Mjedës, Fan Nolit. Në njërën anë kërkohet që të jenë në programe shkrimtarë si Njegoshi, Mazhuraniqi.
Lejimi i kritereve të tilla si dhe represioni shtetëror, intelektualët shqiptarë i ka sjellë në një pozitë shumë të pavolitshme. Në fakt, të jesh krijues shqiptar, poet dhe shkrimtar, s’ka qenë kurrë e lehtë. Por të jesh krijues shqiptar në kushtet e sotshme është me të vërtetë shumë e vështirë.
E them këtë sepse të jesh sot krijues, poet dhe shkencëtar shqiptar do të thotë:
të kesh kujdes se për cilën temë do të shkruash
të kesh kujdes të mos përdorësh ndonjë simbol siç është, ta zëmë, ai i shqiponjës
të mos bësh krahasime historike
të kesh kujdes të mos e përmendësh emrin e “SHQIPËRISË”, përpos nëse atë e përmend në kontekstin negativ
Ti i frikohesh fjalës diferencim ashtu siç i frikoheshin intelektualët në mesjetë fjalës inkuzicion
të kesh kujdes se me kënd po flet, sepse edhe muret kanë vesh
t’u frikësohesh përdorimit të shkronjave KR, sikur në të kaluarën që njerëzit u frikësoheshin thonjve të lënë nën pragun e derës
të kesh kujdes që mos rastësisht vesh një pallto të zezë me ndonjë shall të kuq
të jesh i detyruar të dalësh para ndonjë komisioni për të treguar se cilat kanë qenë bindjet e tua, dje, sot dhe nesër
të jesh i detyruar për t’i kritikuar ata që s’kritikohen dhe t’i falënderosh ata që s’e meritojnë këtë gjë
të votosh për të paaftit dhe t’i injorosh të aftit
të dëgjosh çka nuk të dëgjohet dhe të mos guxosh të dëgjosh çka të dëgjohet
Të jesh intelektual shqiptar, poet dhe punëtor shkencor, do të thotë të jesh i njëjtë si personazhi Jozef K i Franc Kafkës te “Procesi”, që do të thotë se në çdo kohë mund të të thërrasin…
Të jesh intelektual shqiptar sot do të thotë të bëhesh çka nuk je dhe të jesh ai që s’je. Por të jesh intelektual shqiptar sot, megjithatë, do të thotë të besosh që megjithatë gjithmonë nuk mund të jetë kështu!
Ju faleminderit për vëmendjen