Kryeministri Edi Rama theksoi se draft-rezoluta e publikuar nga Parlamenti Europian për vendin tonë është një vlerësim i qartë për progresin e Shqipërisë.
Komentet Rama i bëri në podkastin e tij ‘Flasim’, ku tha se ai dokument vlerëson hapjen e të gjithë grup-kapitujve brenda 13 muajve, gjë që sipas kryeministrit përbën një rekord në historinë e integrimeve europiane.
Teksa ripërsëriti ambicien që negociatat e Shqipërisë me BE-në të mbyllen brenda vitit 2027, Rama tha gjithashtu se ecurinë e vendit tonë me ritme të shpejta në procesin e integrimit e konfirmuan edhe takimet që delegacioni pluralist i Parlamentit Europian zhvilloi në Tiranë gjatë kësaj jave.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Draft-rezoluta e publikuar nga Parlamenti Europian për vendin tonë është një vlerësim i qartë për progresin e Shqipërisë.
Ai dokument vlerëson hapjen e të gjithë grup-kapitujve brenda 13 muajve, gjë që përbën një rekord në historinë e integrimeve europiane dhe në ndërkohë theksohet ritmi i shpejtë dhe domethënës në procesin e negociatave me nënvizimin rreth ambicies sonë që negociatat të mbyllen brenda vitit 2027, duke evidentuar progresin në forcimin e institucioneve demokratike, shtetin e së drejtës, reformën socio-ekonomike, politikat mjedisore, bashkëpunimin rajonal dhe përputhshmërinë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së.
Kjo draft-rezolutë është një tjetër sinjal shumë i rëndësishëm për publikun tonë: Shqipëria po ecën me ritëm, me qëndrueshmëri dhe me qartësi strategjike në drejtimin e duhur. Të njëjtën gjë konfirmuan edhe takimet që delegacioni pluralist i Parlamentit Europian zhvilloi në Tiranë gjatë kësaj jave.
- Vizita në SHBA për Bordin e Paqes, Rama: Shqipëria, pjesë e hapjes së një kapitull i ri në arkitekturën globale - 22/02/2026
- “Jam djali i mbretëreshës, nuk mund të ma bëni këtë”/ Reagimi i ashpër i ish-Princit Andrew kur u dëbua nga rezidenca mbretërore - 22/02/2026
- Çfarë mund të ndodhë nëse SHBA sulmon Iranin? Këta janë 7 skenarët më të diskutuar - 22/02/2026