Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një tjetër hap për të goditur ekonominë e Iranit, ndërsa Teherani kërcënon me një përgjigje që mund të zgjerojë konfliktin dhe të rrisë presionin mbi SHBA-në dhe vendet e tjera.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, njoftoi të hënën masa të reja kundër një rrjeti të krijuar nga Irani për të shmangur sanksionet amerikane. Masat përfshijnë sanksione dytësore ndaj partnerëve tregtarë të Iranit në sektorë si asetet digjitale, teknologjia dhe transporti detar.
Megjithatë, njoftimi i shumëpritur për masat e ashtuquajtura nga administrata Trump si “Dita D ekonomike” nuk solli sanksione aq të ashpra sa pritej. SHBA-ja vendosi kryesisht të zgjerojë dhe forcojë zbatimin e sanksioneve ekzistuese, ndërsa paralajmëroi masa më të forta ndaj vendeve që nuk ndërpresin lidhjet me Iranin.
Teherani, në vend që të tërhiqet përballë presionit amerikan, ka paralajmëruar se mund të shkaktojë dëme ekonomike dhe ushtarake në rajon. Irani ka kërcënuar me sulme ndaj prodhuesve të naftës në Lindjen e Mesme dhe vendeve evropiane, ndërsa ka lënë të hapur edhe mundësinë e përdorimit të programit të tij bërthamor si mjet presioni.
“Ne kemi luajtur shah për një kohë të gjatë… gjithashtu kemi mësuar të luajmë poker. Tani, prej njëfarë kohe, po luajmë një kombinim të të dyjave”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei. “
Një nga mënyrat kryesore përmes së cilës Irani mund të kundërpërgjigjet është rritja e mëtejshme e çmimit të naftës. Për muaj me radhë, Irani ka penguar anijet që përdorin Ngushticën e Hormuzit, një rrugë jetike për transportin e naftës dhe gazit, përmes së cilës para luftës kalonte rreth një e pesta e furnizimit global.
Ndërkohë, aleati i Iranit në Jemen, grupi Houthi, ka hapur një front të ri në Detin e Kuq, duke goditur eksporte dhe infrastrukturë të naftës saudite. Tani zyrtarët e lartë ushtarakë iranianë kërcënojnë se mund të godasin edhe objektiva energjetike jashtë Ngushticës së Hormuzit, përfshirë rrugët alternative që përdoren nga vendet e Gjirit për të eksportuar naftën.
“Nëse lufta ekonomike vazhdon, asnjë pikë nafte nuk do të eksportohet, as përmes Ngushticës së Hormuzit dhe as nga ndonjë vend tjetër në Gjirin Persik. Ne do të kundërpërgjigjemi në një mënyrë të ngjashme me një tërmet”, shkroi në X Mohsen Rezaei, drejtues i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit.
Çdo sulm i ri apo ndërprerje e transportit detar mund të çojë në rritjen e çmimit të naftës në tregjet botërore dhe, si pasojë, edhe të çmimeve të karburanteve në SHBA. Me ndihmën e marinës amerikane, kompanitë e naftës nga Arabia Saudite, Kuvajti, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë nisur të çaktivizojnë sinjalet identifikuese të tankerëve për të shmangur zbulimin nga autoritetet iraniane. Megjithëse eksportet vazhdojnë, trafiku përmes Hormuzit mbetet shumë më i ulët se para luftës.
Arabia Saudite ka zhvendosur rreth 5 milionë fuçi naftë në ditë përmes një tubacioni që kalon drejt Detit të Kuq, duke shmangur Ngushticën e Hormuzit. Prodhues të tjerë të naftës në Lindjen e Mesme kanë zhvendosur rreth 2 milionë fuçi në ditë përmes rrugëve alternative.
Irani ka sinjalizuar se këta tankerë mund të jenë objektiv i sulmeve. Autoritetet iraniane kanë publikuar një listë me 45 anije që, sipas tyre, nuk respektojnë rregullat e vendosura për lundrimin në Hormuz. Teherani ka paralajmëruar se anijet që shkelin këto rregulla mund të përballen me “gjoba, ndalim ose konfiskim”. Irani mund të zgjerojë gjithashtu shtrirjen gjeografike të konfliktit duke përdorur raketat e tij kundër objektivave më larg territorit iranian.
Të hënën, Ministria e Jashtme iraniane iu referua avionëve amerikanë të furnizimit me karburant që po largoheshin nga territori i Bullgarisë dhe paralajmëroi se Teherani mund të godasë këtë vend, i cili është edhe anëtar i NATO-s.
“Irani ka të drejtën legjitime të godasë pikën e origjinës dhe burimin e çdo akti agresioni”, tha Baghaei të hënën. Ai shtoi se Teherani ka bërë të qartë se çdo veprim që konsiderohet si mbështetje për agresionin ushtarak amerikan dhe izraelit ndaj Iranit përbën, sipas ligjit ndërkombëtar, pjesëmarrje në një akt agresioni.
Gjatë luftës, Irani ka kryer sulme në 11 vende, kryesisht në rajonin e Gjirit. Irani besohet gjithashtu se ka sulmuar një bazë të përdorur nga forcat britanike në Qipro dhe ka treguar se mund të arrijë me raketa edhe ishuj të përdorur nga forcat amerikane në Oqeanin Indian, qindra kilometra larg.
Një sulm ndaj një vendi të aleancës amerikane dhe një shteti anëtar të BE-së dhe NATO-s, si Bullgaria, do të përbënte një përshkallëzim të rëndësishëm të konfliktit.
- Lamtumirë, profesor dhe mik i shtrenjtë, Kujtim Buza - 27/08/2026
- Tension në protestë, Sali Lushaj përplaset fizikisht me Dritan Goxhajn, ndërhyjnë protestuesit - 27/08/2026
- Vdekja e Ratko Mladiç/ Nga rrethimi i Sarajevës te gjenocidi i Srebrenicës, cilat janë krimet më monstruoze të “Kasapit të Bosnjës” - 27/08/2026