Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Partisë Socialiste, deklaroi se pozita e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare ka ndryshuar falë PS-së, duke e cilësuar këtë forcë politike si rrugën e vetme drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Rama u ndal edhe te transformimi i Tiranës, duke theksuar se pritshmëritë e qytetarëve për cilësinë e jetesës janë rritur dhe se sfida tashmë është përmbushja e tyre.
“Shqipëria ishte një vend që lutej për t’u dëgjuar dhe ndahej nga tryezat me ndjesinë e njjë shpërfilljeje ofenduese. Dikur Shqipëria ishte e detyruar të shpjegonte pse ishte aq larg Europës. Dikur Shqipëria ulej formalisht në tryeza, por zërin e saj e dëgjonin si mizë në qyp. Sot Shqipëria negocion kushtet për t’u bërë pjesë e BE, pasi ka hapur gjithë kapitujt, ka mbyllur disa dhe ka synimin për t’i mbyllur brenda vitit të ardhshëm dhe hapjen e rrugës së anëtarësimit brenda këtij mandati që nuk është mandat i dokujtdo, por i PS. Nga kjo parti kalon rruga e Tiranës 2030 në Shqipërinë 2030 në BE. E dinë të gjithë, por ne duhet t’ua tregojmë atyre që edhe mund të mos ta dinë, se nga çfarë humnere e nxorrëm Tiranën. Sot qytetarët e krahasojnë Tiranën jo me atë që ishte, por me qytetet e Europës. Kjo është fitorja më e madhe, por edhe sfida jonë më e madhe sepse jemi ne që ia kemi ndryshuar horizontin e pritshmërive dhe tani nuk na presin dot ne, por duhet të vrapojmë me pritshmëritë e tyre. Sot qytetari i Tiranës nuk jeton dot me fotografitë e arritjeve tona, por me rrugën ku del në mëngjes, autobusin që pret, çerdhen që e ka larg për fëmijën apo s’e ka fare, trotuarin, pallatin ku banon. Ne Tiranën e transformuam nga vendi i mbijetesës në vendin ku kërkohet orë e çast cilësi më e mirë jete”, tha Rama.