Nga Blendi Kajsiu
Në pamje të parë koncepti “diktaturë liberale” duket paradoksal pasi per ne është e pamundur ta ndajmë liberalizmin, si respekt për procedurën, për liritë personale dhe të drejtat e njeriut, për opozitën (pakicat), për ndarjen e pushteteve, dhe për zgjedhjet e lira, nga demokracia.
E megjithatë këto dy koncepte jo gjithmonë janë ngjizur bashkë. Përkundrazi, mendimtarë të rëndësishëm të liberalizmit, si Xhon Stjuart Mill apo Tokvili, e shikonin me frikë demokracinë si burim të tiranisë së shumicës dhe varrosëse të liberalizmit. Ndaj liberalizmi dhe demokracia në shekullin e 19 shiheshin ende si dy fenomene apo ideologji politike të ndryshme. Në fakt Britania e shekullit të 19-të ishte një sistem politik mjaft liberal por pak demokratik. Aty ekzistonte respekti për disa liri personale, liria e shtypit, ndarja e pushteteve, një sistem gjygjësor i pavarur nga ekzekutivi, por demokracia ishte e kufizuar tek një elektorat shumë i ngushtë.
Sot sistemi ynë politk ndodhet në një situatë të ngjashme, edhe pse jo identike, ku demokracia po jep shpirt tek pragu i Republikës Kryeministrore, duke lënë jetim një liberalizëm që në mungesë të demokracisë i shërben thjesht konsolidimit të diktaturës kryeministrore. Jemi pra në situatën paradoksale të një Shqipërie që kurrë nuk ka pasur kaq shumë liberalizëm dhe kaq pak demokraci sa sot. Të kuptohemi, kur them se Shqipëria kurrë nuk ka pasur kaq shumë liberalizëm sa sot nuk dua të them se liberalizmi në Shqipëri ka triumfuar në politikë apo në shoqëri (apo se Rama është më liberal se Fatos Nano). Shkelja e të drejtave të njeriut nga administrata jonë shtetërore, në punë, në jetë, në paraburgim apo në pronë vazhdon të jetë shumë shqetësuese. Arbitrariteti vazhdon të sundojë jetën e qytetarit shqiptar dhe liria mbetet ende një ëndërr.
E megjithatë krahasuar me të kaluarën e afërt, pa përmendur komunizmin, Shqipëria ka bërë hapa të konsiderueshëm drejt një sistemi politik më liberal. Ndarja e pushtetit ekzekutiv nga gjygjësori, dhe pavarësia e këtij të fundit nga politika, ndonëse jo perfekte, është sot shumë më e madhe se dje. Arrestimi i një numri kaq të lartë dhe të rëndësishëm zyrtarësh të partisë në pushtet nuk ka ndodhur kurrë më parë nga një sistem gjygjësor që mund të akuzohet për shumëcka por jo se është thjesht një zgjatim i ekzekutivit.
Respekti për opozitën, protestën opozitare dhe qytetare, apo edhe liria e shprehjes dhe mundësia për të kritikuar pushtetin, ndonëse ende me probleme, janë sot shumë më të konsoliduara se dje. Idea që opozitarët apo qytetarët që protestojnë në shesh kundër qeverisë mund të dhunohen nga pushteti është pothuajse e paimagjinueshme sot, edhe pse dje ishte një realitet tragjik. Ashtu sikurse edhe procesi zgjedhor sot është në shumë aspekte i pakrahasueshëm jo vetëm më atë të viteve 1990 por edhe me proceset zgjedhore të shekullit 21. Mjafton të shikosh hapjen e kutive të votimit në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe ta krahasosh me zgjedhjet e vitit 2009 kur qeveria refuzoi hapjen e një pjese të vogël të kutive që mund të ndryshonin rezultatin. Natyrisht që proceset tona zgjedhjore kanë ende shumë probleme, që nga përdorimi i administratës, presioneve, krimit apo klientelizmit. Ama fakti që në zgjedhjet e fundit parti të vogla dhe pa komisioner arritën të marrin mbi një qind mijë vota tregon se proceset zgjedhore në Shqipëri, të paktën nga ana formale dhe procedurale, janë sot shumë më mirë se dje kur vota e partive të vogla vidhej në bashkëpunim nga dy partitë e mëdha. E thënë shkurt përmirësimet formale apo procedurale të sistemit tonë politik, që kanë të bëjnë me dimensionin e tij liberal, janë sot një realitet i prekshëm.
E megjithatë, që nga rënia e komunizmit, kurrë nuk kemi pasur më pak demokraci në Shqipëri se sa sot, qoftë në nivel qendror, qoftë në nivel lokal, qoftë brenda partive politike. Ky është paradoksi i diktaturës liberale që ka ndërtuar kryeministri Rama, kuptohet me ndihmën e çmuar të berishizmit dhe të sistemit tonë mediatik.
Koncepti i diktaturës vjen nga fjala latinishte dictare, diktoj në shqip. Sot qeverisja në Shqipëri diktohet pothuajse tërësisht nga kryeministri Rama, qoftë në nivel qendror qoftë në nivel lokal. Vendim i fundit i Ramës për të shkarkuar të gjithë drejtorët e bashkive ku ka fituar PS-ja, dhe largimi i tyre nga detyra, tregoi se në Shqipëri nuk kemi më pushtet vendor, apo demokraci lokale, por vetëm pushtetin e Ramës.
Bëhet fjalë për një pushtet tërësisht të pakontrolluar dhe të pakufizuar jo vetëm nga pushteti vendor por edhe nga parlamenti apo Partia Socialiste. Me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 dhe me listat e mbyllura të deputetëve Parlamenti dhe Partia Socialiste janë kthyer në masha të kryeministrit Rama. Pa përmendur Presidencën apo Këshillin e Ministrave që janë tashmë institucionet më anonime të Republikës Rama. As Paralamenti, as Partia Socialiste dhe aq më pak Këshilli i Ministrave, nuk e luajnë tashmë rolin e tyre të mëparëshëm si forume ku diskutoheshin, debatoheshin por edhe korrigjoheshin politikat e pushtetit. Ndaj sot qeverisja socialiste është reduktuar tek diktati i kryeministrit Rama. Po të kemi parasysh pushtetitn e gjerë parlamentar dhe lokal që kanë socialistët sot, i bie që jemi de facto në një qeverisje autoritare dhe për pasojë aspak demokratike, kolegjiale apo transparente.
Problemi më shqetësues është se qeverisja autoritare po transformohet tashmë në diktaturë politike sepse ka betonizuar atë që Klaud Lefort e quante “vendi bosh i pushtetit”. Sipas Lefort karakteristika e demokracisë, ndryshe nga regjimet totalitare, autoritare apo monarkike, është se pushteti është një vend bosh që nuk është identik me pushtet-mbajtësin, sepse ai mbushet dhe zbrazet vazhdimisht dhe në mënyrë periodike nga pushtet-mbajtës të ndryshëm. Në Shqipëri sot vendi bosh i pushtetit jo vetëm është mbushur plot por edhe trupëzohet tashmë nga kryeministri Rama, sot dhe nesër. Pas zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe refuzimit të Partisë Demokratike të reformohet vazhdimësia në pushtet e Ramës edhe për një mandat tjetër duket gjithnjë e më tepër e paevitueshme. Shumica që e solli Ramën në pushtet në zgjedhjet e fundit është transformuar gradualisht nga një shumicë fluide, sic duhet të jenë shumicat në demokraci, në një shumicë të ngrirë që nuk lëviz dhe as nuk tranformohet nga zgjedhja në zgjedhje.
Ndërkohë Rama ka ngrirë si në rolin e kryetarit të PS-së edhe në rolin e kryeministrit. Aq më tepër kur shfarosja e demokracisë lokale dhe e pushtetit vendor redukton shumë mundësinë e lindjes së liderëve apo forcave të reja politike. Në një pjesë të mirë të vendeve demokratike forcat e reja shpesh lindin dhe konsolidohen në nivel lokal përpara se të synojnë pushtetin qendror. Vetvendosja fitoi Bashkinë e Prishtinës përpara se të fitonte pushtetin qendror. Vetë Edi Rama e krijoi profilin e tij politik në Bashkinë e Tiranës përpara së të synonte pushtetin qendror. Në këtë aspekt pushteti vendor shërben si paradhoma e pushtetit qendror, si për testimin, formatimin edhe për konsolidimin e forcave dhe të liderëve të rinj politik.
Me shkatërrimin e demokracisë lokale dhe të pushtetit vendor Rama ka shëmbur një nga hapësirat më pjellore të rinovimit të politikës shqiptare. Sot edhe nëse një forcë e re politike fiton një bashki të rëndësishme (si Tirana, Durrësi, Shokdra, Vlora apo Elbasani) e ka të pamundur të krijojë një model qeverisje aty sepse kompetencat e pushtetit vendor janë zeruar tashmë, sikurse e ka theksuar me të drejtë kolegu Mero Baze. Kështu mungesa e demokracisë vendore kombinuar me mungesën e demokracisë partiake riprodhojnë shkretëtirën tonë politike ku kryeministri Rama dikton i qetë nga oazi i tij privat socialist. Nuk është rastësi që Rama ka shembur pikërisht dy urat që e lejuan atë të transformohej nga figurë publike në líder politik, demokracianë lokale dhe demokracianë partiake, për tu transformuar në një lider të pakonkurrueshëm si brenda edhe jashtë PS-së.
Në këto kushte reformat liberale që kanë të bëjnë me forcimin e shtetit të së drejtës (rule of law) jo vetëm nuk e kërcënojnë por e legjitimojnë diktaturën politike të Ramës, e cila përdor rëndom propagandën por jo mekanizmat tipike diktatoriale të dhunës dhe intimidimit ndaj opozitës, mediave apo gjygjësorit. E thënë ndryshe, dhuna dhe intimidimi ndaj opozitës, gjygjësorit apo mediave nuk janë mjetet kryesore me të cilat mbahet në këmbë pushteti aktual, edhe pse ka raste të përdorimit të tyre, sic ishte përplasja me pronarët e Gazetës Panorama.