“Viti 1956. Shqipëria kishte pak kohë që ishte pranuar në OKB. Reiz Malile, funksionar në Ministrinë e Jashtme, më takoi dhe më bëri një kërkesë për realizimin e shpejtë të një tabloje që do të vendosej në selinë tonë diplomatike në Nju Jork. Duhej diçka e bukur dhe dinjitoze. Unë, në dilemë mes një natyre të qetë, peizazhi dhe një kompozim, vendosa që tabloja të kishte si personazh një vajzë me kostum kombëtar që do ta përfaqësonte mirë Shqipërinë kur të vendosej atje. Shkova në gardërobën e Teatrit Kombëtar për të gjetur kostumet e të gjitha krahinave dhe për të zgjedhur më të bukurin. Ishin origjinale, siç i kishin punuar gratë fshatare apo malësore, me ngjyra të forta, prerje elegante, larmi të pafundme formash. Gruaja ime, atë kohë, ishte nuse e re dhe e bukur, e gjatë e me tipare të zeza e të theksuara. I provoi të gjitha kostumet që solla në shtëpi. Njëri më i bukur se tjetri. I shkonin shumë ato të veriut sidomos xhubleta prej shajaku, me atë hapjen e bukur si këmborë e valëzuar. Nxirrte një tors të mrekullueshëm, të plotë, të fuqishëm. Por i jepte një pamje disi të egër, të ashpër, heroike. Nuk përputhej me përfytyrimin që kisha skicuar në mendje. Më vinte keq të largohesha nga ai kostum, por duke kërkuar e provuar më tërhoqi vëmendjen kostumi popullor i fshatit Dardhë të rrethit të Korçës. E mora në dorë dhe e kundrova gjatë. Ishte shumë i bukur, elegant, shamia e kokës e lehtë, e ndezur në ngjyrë, fustani i punuar hollë e me hijeshi. I gjithë kostumi ka një gamë koloristike dhe një hijeshi të mrekullueshme. Delikatesa e linjave shkrihej me trupin. Ai kërkonte një portret të ëmbël të hijshëm që të nxirrte në dukje transparencën dhe zhdërvjelltësinë e formave të trupit. Këtë do të pikturoj, e vendosa. Si fillim i them gruas që ta provonte. Kostumi ishte i bukur, fin por jo për gruan time. Nuk i shkonte, nuk përshtateshin, nuk jetonin në harmoni… Isha tërësisht në krah të kostumit të fshatit Dardhë që i përshtatej më mirë idesë sime. Por me modelin si t’ia bëja? Ku ta gjeja? Shkuam në Ansamblin e këngëve dhe valleve popullore, pashë shumë vajza të reja, këngëtare, balerina. Bëra disa prova me to, por ajo që përzgjodha ishte një studente. Erdhi në studio, te Kinema “Ali Demi”, veshi kostumin, bëra me laps në letër disa skica. Ishte mrekulli, rrinte mirë si model…”
***
Kjo është një copës nga historia që “fshihet” pas pikturës “Vajza me kostum popullor” ose “Dardharja”, sot pjesë e fondit të Galerisë Kombëtare, por që rrugëtimin e nisi duke u ekspozuar në selinë tonë diplomatike në Nju Jork, në vitin 1956. Historinë e ka lënë të shkruar, autori, Nexhmedin Zajmi, një nga figurat më në zë të artit pamor shqiptar.
Në prag të 100-vjetorit të lindjes, vepra e artistit është përmbledhur në një monografi. Kryeveprat e Zajmit, peizazhet, kompozimet, portretet, natyrat e qeta… janë renditur njëra pas tjetrës të shoqëruara aty këtu nga kujtimet e vetë piktorit që lidhen me punët përkatëse. Gjurmëve të lëna përmes imazhit dhe fjalës u janë bashkëngjitur shënimet e të bijës, artiste edhe ajo, Anila Zajmit si dhe interpretimi i studiuesit Oltsen Gripshi… duke krijuar një mozaik të plotë shumëdimensional.
- “Dardharja” e Nexhmedin Zajmit/ Historia që fshihet pas pikturës së njohur - 22/12/2025
- Kushtet që duhet të plotësojë një protestë, për të rrëzuar Qeverinë - 22/12/2025
- Burrat e dheut - 22/12/2025