Nga Ethem Ruka
Thonë se shokët e fëmijërisë dhe shkollës mbeten të shtrenjtë në jetën e njeriut. Megjithatë, rrugëtimit të gjithësecilit i shtohet vazhdimisht miq të rinj. Koha është fshesa që fshin heshturazi e pa mëshirë kujtimet e mbresat e çmuara të jetëve tona. Ajo nuk privilegjon askënd, ashtu si nuk privilegjoi as gurët e piramidave të Egjiptit dhe as shkëlqimin e skulpturave të gdhendura nga duart e mjeshtarve të mëdhenj të njerëzimit.
Kështu ndodh me ty me mua dhe me gjithkënd. Rrugëtimi i çdo qenieje njerëzore është një histori më vete, një shumatore suksesesh e dështimesh, gëzimesh e hidhërimesh, ëndërrash të bukura e zhgënjmesh, fitoresh e humbjesh… Çdo ditë e jona është një faqe e kësaj historie që lë mbresa e përjetime, të cilat me kohë zbehen deri sa humbasin pak e nga pak pa kuptuar. Vetëm shkrimi i tyre mund t’i shpëtojnë nga makineria e harresës që nuk di të ndalet kurrë. Boja që shkruajmë mbi letrën e bardhë mund të jetë me e keqja, por ajo është më e mirë se kujtesa më e mirë.
Përpiquni të kujtoni shokët e fëmijërisë, të shkollës fillore e gjithë shkollave që keni bërë dhe do ta kuptoni forcën e harresës dhe dobësinë e kujtesës suaj. Në fund të fundit kjo është jeta. Ajo na vë vazhdimisht në provë, përfshirë edhe kujtesën. Këtë po bej edhe unë, po i thërras kujtesës për të nxjerrë nga sirtaret e saj një dorë të vogël përjetimesh.
Do të doja të shkruaja hollësisht për shokëte shoqet e jetës universitare, por kjo do të ishte e pamundur. E megjithatë, nuk mund të lë pa përmendur, Drita Nashin nga Tirana, Lavdosh Dimrajn nga Tepelena, Muhamet Sinanin nga Gjirokastra, Serian Balilin me origjinë nga Vlora, Ndue Kolën nga Puka, Ramadan Kamberi e Fatmir Muçon nga Përmeti, Myrteza Velçanin, Marianthi Peçon e Donika Dukën nga Kuçova, Agim Hyskën, Gëzim Braçen dhe Eqerem Ismaili nga Skrapari, Petrit Çermën nga Elbasani dhe Zenel Kurtin nga Martaneshi i Matit. Ne të gjithë ishim studentë të të njëjtit grup mësimor, grupit D.
Do të ishte një listë e gjatë nëse përmendja emrat e gjithë ish studentëve të grupeve të tjera. Por nuk mund të mos përmend Prof. Dr. Zyri Bajramin, me origjinë nga Gramshi, me të cilin ndamë gjithë jetën si pedagogë, kolegë e miq të ngushtë në Fakultetin e Shkencave të Nayrës, mikun tim të shtrenjtë Prof. Dr Fatbardh Sokolin nga Shkodra, që pati një karrierë të shkëlqyer në Universitetin e Shkodrës, miq të tjerë si Ilir Qesen nga Durrësi, Ylli Mustafain nga Korca, Prof Dr. Ziso Thomallarin, nga Kolonja që punoi si pedoagog e dekan në Universitetin e Elbasanit, Dr. Muharrem Shehun gjithashtu nga Kolonja që punoi si pedagog në Universitetin e Vlorës, e shumë e shumë të tjerë që patën një karrirë të shkëlqyer si mësues në shkollat e mesme të Shqipërisë.
Fillimisht, nuk njiheshim me njëri-tjetrin dhe as që e dinim nga ishte gjithësecili. Vetëm dialekti i të folurit mund të të jepte një ide nëse dikush ishte nga jugu a veriu i Shqipërisë. Secili prej nesh ishte një karakter më vete, një kampion unikal i zonës nga vinte, me të mirat e të metat e veta.
Kush kërkon të bëjë miq pa të meta, rrezikon të mbet pa asnjë mik, thotë një shprehje e urtë. Kështu ndodhi edhe me ne. U desh ca kohë deri sa të njiheshim e miqësoheshim me njëri-tjetrin. Studimet tona universitare për biologji dhe kimi patën fillim të vështirë, por fund të lumtur. Ne u diplomuam të gjithë, por fatet tona në jetë qenë të ndryshme.
I ndryshëm ishte fati edhe për Drita Nashin, ose Diken siç e thërrisnim dje, por edhe sot pas 55 vitesh. Ju do të thoni pse e veçova Diken nga të tjerët? E veçova se ajo ishte dhe është një rast i veçantë, është një histori më vete e ditëve të lumtura dhe të athëta të jetës.
Dikja u lind dhe rrit në mes të Tiranë, në një familjen Nashi me origjinë nga Sheperi i Zagorisë së Gjirokastrës. Bije e dy prindërve të mrekullueshëm dhe motra e vetme e vëllait të saj Agimit, u rrit plotë dashuri e me shumë përkujdesje.
Familja Nashi kishte një rreth miqësor që mbanin pozicione të të larta të asaj kohe. Dikja ishte mbesa e Lipe (Filip) Nashit, partizanit të Brigadës së 12-të, inxhinierit të talentuar dhe Drejtorit të përgjithshëm të Naftës, i cili në vitin 1975 arrestohet padrejtësisht si drejtues i grupit sabotator të këtij sektori dhe dënohet me 25 vite heqje lirie. Por Dikja ishte edhe mbesa e Kiço Ngjelës, ish Ministërit të Tregëtisë dhe Anetar i Komitetit Qendror, gjithashtu i dënuar si pjesë e “grupit sabotator” në fushën e ekonomisë bashkë me Abdyl Këllëzin, Koço Theodhosin e Vasil Katin, dënuar me heqje lirie për 20 vjet në vitin 1975.
Po ashtu, këshiririnjtë e saj të parë, djemtë e Kiço Ngjelës, vëllezërit Spartak e Sokol Ngjela, gjithashtu u dënuan për vitë të tëra me heqje lirie, ndërsa motra e tyre Shpresa që kish mbaruara për kimi industriale, bashkë me të ëmën u internuan për gati 15 vite.
Dikja, kur e njohën ne për herë të parë, ishte një vajzë krejt e veçantë. Ajo kishte trup sportiv e të lidhur, flokë të shkurtër, sy që shkelqenin dhe tregonin një shpirt të pastër, kish një buzëqeshje të ngrohtë që buronte nga thellësia e shpirtit, kish një bujari të rrallë që vështirë se e gjeje te dikush tjetër, sillej pa komplekse, i donte të gjithë pa dallim sikur të ishte motra e vërtet e e gjithësecilit.
Kështu ishte dhe mbeti gjithë jetën Dikja, vajza që rroku menjeherë dashurinë e të gjithëve. Thonë, se të gjesh miqësinë e vërtet me dikë është të gjesh fundin e zëmrës që është më larg se fundi i botës. Aq e mirë ishte Dikja, saqe edhe kur mamaja e saj gatuante diçka të mirë, një pjesë e merrte me vete dhe e ndante me ne shokët e shoqet e kursit.
Edhe unë u miqësova me Diken dhe mbetëm miq për gjithë jetën. Dikja ishte studente shumë e mirë, por në provime nuk më ndahej. Ajo futej në provime gjithmonë me mua dhe ulej afër meje. Ajo nuk kish nevojë për ndihmë, por prania ime nuk e di pse i jepte më shumë siguri.
Pas mabrimit të shkollës Dikja u emërua mësuese në Laç, e më von u transferua në Tiranë pranë Institutit të Gjeologjisë si paleontologe, por gëzimi i saj zgjati për pak vite. Nga një vajzë me një rini të lumtur, një ditë e gjen veten në pjesën e padëshirur të shoqërisë, në një rreth familiar të goditur politikisht si armiq e sabotator të regjimit të Hoxhes. Rrënimi ishte tërësor jo vetëm për ata që dënoheshin, por për të gjithë rrethin familiar.
Dikja nuk mund të bënte përjashtim. Atë e larguan nga Tirana dhe e transferuan për vite me radhë si mësuese në fshatrat më të largëta të Librazhdit. Ajo, megjithëse një vajzë e rritur në zemër të Tiranës, nuk u dorëzua por punoi me përkushtim e plot dinjitet. Ne shokët e saj nuk e braktisëm kurrë Diken. Takoheshim me të kur mundeshim, por pa patur mundësi ta ndihmonim.
Vitet ecnin dhe një ditë Dikja u kthye sërish në Tiranë. Ajo vinte vazhdimisht në Fakultetin e Shkencave dhe takohesh me mall me mua dhe Zyri Bajramin. Kur unë u emërova Ministër Arsimi në vitin 1977, Dikja u ndje edhe më e privilegjuar, por edhe krenare. Ajo më vizitonte shpesh dhe nuk kërkoi asnjë nder për vete, por vetëm për miq të saj që kishin halle. Kurrë nuk i diskutova kërkesat e saj dhe i zgjidhja menjeherë. Për t’i dhënë edhe një kënaqësi më tepër Dikes, e ftova të shkruanim bashkarisht edhe nje tekst biologjie për shkollat e mesme.
Rastësia e solli, që pas shumë e shumë vitesh, unë dhe Dikja të jetojmë në të njëjtën lagje. Shihemi herë pas here dhe ftojmë njëri-tjerin për ndonjë kafe. Ajo është tashmë mike e afërt e familjes sime. Flasim shpesh në telefon me të njëtjën dashuri si dikur.
Në jetë gjen gjithmonë njërëz që të ndihmojnë, ashtu siç ka dhe shumë të tjerë që luftojnë të të rrëzojnë. Rasti i Dikes është shëmbulli më domethënës i miqësisë së vertet, i asaj lloj miqësie që ndërtohet pak e nga pak dhe që i bën ballë kohës.
Dikur Dikja, një vajzë e hedhur tiranase, nuk kishte nevojë për ne, përkundrazi ishim ne që kishim nevojë për një dorë e shpirt të ngrohtë, një dorë që nuk ta shtrinte kushdo. Unë dhe gjithë shokët e grupit D, mbetemi gjithmonë mirënjohës për të. Vështirë është se mund t’i kthejmë asaj atë çka ajo na dha pa kursim në fillimet tona, këtu në Tiranë.
- “I thashë se jam kandidat për kryetar i PS-së”/ Rama ndan me socialistët historinë se si u zgjodh në krye të partisë: Në Fier më thoshin “hë, erdhe ti”, por… - 09/06/2026
- Tre debate të panevojshme për protestën - 09/06/2026
- “Dilni për të ardhmen e fëmijëve!”, Adriatik Lapaj i bashkohet sërish protestës për Zvërnecin - 09/06/2026