26.8 C
Tirana
10 / 08 / 2026

A ka Kosova të ardhme me këtë klasë politike?

Gjendja politike në të cilën ndodhet sot Kosova të kujton periudhën pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, kur vendi u përball me paqëndrueshmëri të madhe politike, me qeveri që nuk zgjatnin më shumë se disa muaj dhe me institucione të dobëta. Kjo gjendje përdorej nga kundërshtarët e Shqipërisë si argument se shqiptarët nuk ishin të aftë të ndërtonin një shtet të qëndrueshëm.

Më shumë se një shekull më vonë, natyrisht në rrethana krejt të tjera, Kosova po përballet me një situatë që duhet të na shqetësojë seriozisht. Nuk bëhet më fjalë për një krizë të zakonshme politike. Kur krizat përsëriten, zgjedhjet nuk prodhojnë stabilitet dhe institucionet vazhdojnë të mbahen peng nga kalkulimet partiake, atëherë problemi është shumë më i thellë.

Në planin politik, situata ka arritur deri në absurd. Pas gjithë këtyre viteve, Kosova ende nuk ka arritur të krijojë as kulturën minimale politike ku kundërshtari të shihet si rival dhe jo si armik. Raportet ndërmjet partive politike kanë kaluar në një armiqësi të skajshme, dhe kjo është seriozisht shqetësuese. Partitë politike janë në gjendje t’i bllokojnë pa fund institucionet, ta paralizojnë vendin dhe ta çojnë krizën deri aty sa dëmi që i bëhet shtetit të ketë më pak rëndësi se interesi partiak.

Edhe më absurd është fakti se pothuajse të gjithë paraqiten si mbrojtës të shtetit. Secila parti e konsideron veten zgjidhje dhe tjetrën problem. Mazhoranca insiston ta ketë pushtetin sa më të plotë, ndërsa partitë opozitare janë të gatshme ta çojnë procesin drejt dështimit, me shpresën se zgjedhjet e reja mund t’i sjellin ato në pushtet. Në vend të kompromisit, secila palë përpiqet t’ia lërë fajin tjetrës. Në fund, e gjithë politika kthehet në një garë se kush do të paraqitet si viktimë dhe kush do ta shpallë tjetrin fajtor.

Por ajo që është edhe më shqetësuese është gjendja ekonomike. Kanë kaluar 27 vjet nga përfundimi i luftës dhe Kosova ende nuk ka arritur t’i japë një drejtim të qartë zhvillimit të vet ekonomik. Qeveritë kanë ardhur e kanë shkuar, pothuajse të gjitha partitë kryesore e kanë provuar pushtetin, por vendi vazhdon të ketë prodhim të dobët, varësi të madhe nga importi dhe diaspora, ndërsa një pjesë e madhe e të rinjve të ardhmen e kërkojnë jashtë Kosovës.

Kosova sot gjendet në një udhëkryq të rëndësishëm gjeopolitik dhe ekonomik. Përpara saj janë procese që kërkojnë më shumë seriozitet se kurrë: forcimi i shtetësisë, ruajtja dhe thellimi i marrëdhënieve me aleatët, përfundimi i proceseve të hapura me Serbinë, avancimi drejt integrimeve euroatlantike, forcimi i sundimit të ligjit dhe ndërtimi i një ekonomie që mund ta mbajë vendin mbi këmbët e veta.

Por për klasën politike këto sikur nuk janë as tema. Preokupimi i saj është kush do të vijë në pushtet, kush do ta mbajë atë dhe si do ta pengojë tjetrin. Ndërkohë, çështjet që përcaktojnë të ardhmen e shtetit mbeten në plan të dytë.

Prandaj, pyetja nuk është më vetëm se kush do të vijë në pushtet, por shqetësimi shumë më i madh është: A ka Kosova të ardhme me këtë klasë politike?

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x