Deputeti Oleksiy Goncharenko ka kritikuar deklaratën e presidentit Volodymyr Zelensky në Beograd, ku kreu i shtetit ukrainas rikonfirmoi se Ukraina nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj për Kosovën.
Goncharenko, i cili ka ndërmarrë në Parlamentin e Ukrainës një nismë ligjore për njohjen e pavarësisë së Kosovës, e ka cilësuar qëndrimin e Zelenskyt si një “gabim diplomatik”.
Përmes një reagimi në rrjetin social X, deputeti ukrainas ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj deklaratës së presidentit, duke publikuar edhe një fotografi ku shihet heqja e sloganit “Free Ukraine” në Prishtinë.
Goncharenko argumenton se në Ukrainë ekziston mbështetje për pavarësinë e Kosovës dhe se ai do të vijojë përpjekjet politike për ta bindur vendin e tij që ta njohë shtetin e Kosovës.
“Ukrainasit mbështesin pavarësinë e Kosovës dhe besojmë se Ukraina duhet ta njohë shtetin. Unë do të vazhdoj të luftoj për pavarësinë e Kosovës dhe përfundimisht Ukraina do ta njohë atë”, shkroi deputeti ukrainas.
Deklarata e Goncharenkos vjen pas qëndrimit të përsëritur të Zelenskyt në Beograd, duke rikthyer në vëmendje debatin brenda Ukrainës për mundësinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës.
- “Kosova ishte e jona dhe ende është!” Vuçiç: Marrja e territorit hapi kutinë e Pandorës - 10/08/2026
- Ish-kreu i Gardës Revolucionare në krye të organit më të lartë të sigurisë, ndryshime në kupolën e pushtetit iranian - 10/08/2026
- Deputeti ukrainas sulmon Zelenskin për deklaratën në Beograd: Gabim diplomatik! Në Ukrainë e mbështesim Kosovën! - 10/08/2026