6.5 C
Tirana
22 / 02 / 2026

Bordi i Paqes dhe projeksioni strategjik i Shqipërisë

Nga Dritan Hila

Në analizën e pjesëmarrjes së Shqipërisë dhe Kosovës në Bordin e Paqes, për hir të higjienës mendore, është e mira të shmangësh narrativën e opozitës, thjesht sepse tashmë ata kanë krijuar një univers paralel i cili gjithmonë e më shumë largohet nga ai tokësor.

Në fakt vizita e Ramës aty ishte një vizitë e cila pozicionoi Shqipërinë në një kurs i cili do vazhdojë të paktën edhe për 20 vitet e ardhshme.

Ka një tendencë që këtë bord ta paraqesin si një ekzibicionizëm të Trump-it, si një nga kapriçot e tij kalimtare dhe kënaqësinë që i jep kjo, njeriut që para se të bëhej president, donte të ishte showmen.

Në thelb Trump është produkt i aparateve të perandorisë. Nëse fitorja e tij e parë ishte rastësi dhe diçka ekzotike sidomos mbyllja me shfaqjen në Capitol Hill, e dyta ishte kalkulim i tij që t’i afrohej objektivave që kanë Pentagoni, Departamenti i Shtetit dhe shërbimet inteligjente, CIA “in primis”.

Asnjë nga masat që ndërmerr Trump, nga tarifat doganore deri te përzënia e emigrantëve, nuk kanë lidhje me humorin e tij të mëngjesit. Amerika po deindustrializohet, emigracioni po kthehet në kërcënim, deficiti buxhetor po merr përmasa të frikshme, dhe të gjitha këto për shkak të politikave shpesh indulgjente në fushën e mbrojtjes apo transferimit të industrive dhe teknologjive. Një perandori nuk mbahet në këmbë duke dhënë por duke tatuar provincat, në këmbim të sigurisë, lirisë së tregtisë e deri diku ideve.

Në këtë fushë futet edhe Bordi i Paqes. Do të ishte naivitet të mendohej që është bërë vetëm për Gazën. Nëse shikon pjesëmarrësit, kupton që shumica e tyre janë në kufijtë e perandorisë dhe të gjithë kërkojnë mbrojtjen e saj. E tillë është edhe Shqipëria. Ajo ka dilemën e madhe se kë duhet të zgjedhë? Një BE e cila është e përfshirë nga forcat centrifugale ku Hungaria, Sllovakia, Polonia, kanë politikat personale; ku Britania do vetëm ta përdorë këtë organizëm; ku Franca është nën kërcënimin e plakjes, emigracionit dhe kujtimeve të “grandeurit” të saj; një Gjermanie që edhe në ëndrrat më të mira, interesi i saj shkon deri në Dubrovinik; një kontinent i cili nuk ka një ushtri dhe politikat e jashtme shkojnë sipas oreksit të kryeqyteteve respektive dhe Brukseli është simbol i një bashkimi që as shtetin e vet, Belgjikën, nuk është në gjendje ta mbajë të bashkuar? Apo një shtet i cili shefi i tij ka numër telefoni (jo më kot Trump i tha Osmanit: Po ke probleme, më telefono), Shtab të Përgjithshëm dhe komandë unike (të gjithë flasin anglisht dhe jo si përtej Atlantikut ku komandat jepen në 27 gjuhë), dhe strategji 50-vjeçare. Dhe ajo që vlen më shumë, është fakti se gjithmonë ka pasur politika të matura ndaj Shqipërisë, ku asnjëherë nuk ka lejuar prekjen e ekzistencës së saj.

Si e tillë, rreshtimi i Shqipërisë dhe Kosovës në krahun amerikan, është zgjedhja në interes të Shqipërisë. BE-ja vlen për lëvizjen e lirë të mallrave dhe krahut të punës, mirëqenies, por askush aty nuk ka forcën të mbrojë Shqipërinë. Mbrojtja nuk vjen nga aleancat por nga protektorati. Dhe më mirë një protektor sesa aleatë që akoma nuk e dinë pse janë të tillë.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x