“Beteja e Berishës është për kontrollin e opozitës; lufta e tij politike është zhvilluar me Bashën, Salianjin, ‘shejtanin’ e ku di unë, por jo me Ramën… Ti je aty për të mundur Ramën, jo rivalët brenda partisë… e bën dot këtë punë apo jo? Atëherë pse je aty…”. Kështu e sheh Dashamir Shehi situatën politike brenda opozitës, liderin e saj dhe zhvillimet që, sipas tij, kanë çuar në degradimin e vazhdueshëm të rolit opozitar.
Në një intervistë për Tema, kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, analizon aktualitetin politik, një pushtet që e cilëson të korruptuar dhe pamundësinë e opozitës për ta rrëzuar atë. Shehi evidenton katër “ligjësi” të thyera nga Berisha, që sipas tij kanë sjellë pasoja serioze për opozitën: ligjësinë e shansit të tretë për rikthim në pushtet, që ai thotë se nuk ka ndodhur kurrë në botë; ligjësinë e moshës; dhe rregulla të tjera të pashkruara politike, shkelja e të cilave ka prodhuar pasoja të rënda gjatë pesë viteve të fundit.
Referuar ligjësisë së dytë, asaj të moshës, Shehi i kujton Berishës se po konsumon “kohën e tjetrit”, shpresën e Partisë Demokratike, të opozitës dhe, për pasojë, edhe të shqiptarëve të keqqeverisur nga korrupsioni. Ai i referohet artikullit të ish-ministrit Ylli Pango, “Koha e tjetrit”, për të argumentuar se Berisha ka djegur dhjetëra gjenerata elitash politike brenda PD-së, duke mos i dhënë hapësirë qarkullimit të elitave dhe lidershipit të ri.
Duke analizuar këmbënguljen e Berishës për të qëndruar në krye të opozitës, që sipas tij e dëmton seriozisht atë, Shehi shkon edhe më tej kur thotë se ka të drejtë të besojë në ekzistencën e një marrëveshjeje me Ramën: njëri të mbajë kontrollin e opozitës dhe tjetri pushtetin, për të ruajtur në një lloj simbioze interesat e tyre dhe për ta çuar politikën drejt një modeli korporativ, ku përfitojnë dy individë dhe një rreth i ngushtë pranë tyre.
Në këtë mënyrë, sipas Shehit, shpjegohet edhe dështimi i kauzave të opozitës, protestat e saj dhe çdo lëvizje politike që nuk e cenon aspak pushtetin absolut që, në vlerësimin e tij, Rama ka ndërtuar gjatë 13 viteve të fundit.
- Si do votonit nëse zgjedhjet mbahen sot? Sondazhi: PD humb edhe vendin e dytë. PS kryeson - 10/03/2026
- “Lufta në Iran do të përfundojë shumë shpejt”, qetëson Trump, Teherani: Fundin e vendosim ne - 10/03/2026
- Lufta në Iran, Trump: Rreziku ka kaluar, jemi drejt fundit! Përgjigjet Teherani: E vendosim ne kur mbaron konflikti. Çmimet e naftës pësojnë ulje - 10/03/2026