Nga Flogert Muça
…ose protesta që e ka zërin, por flet gjuhën e ikjes.
Në vitin 1970, ekonomisti Albert Hirschman botoi një libër të vogël që u bë klasik i shkencave shoqërore, “Exit, Voice and Loyalty”, pra “Ikja, zëri dhe besnikëria”. Teza e tij ishte e thjeshtë: kur një kompani, një organizatë apo një shtet fillon të dështojë, njerëzit kanë dy rrugë për të reaguar.
Mund të ikin, duke e braktisur atë që nuk funksionon, ose mund të ngrenë zërin, duke qëndruar dhe duke luftuar ta ndryshojnë nga brenda. Zëri, për Hirschman-in, është alternativa përballë ikjes. Pra, është mënyra e atyre që nuk duan të largohen, por duan që vendi i tyre të bëhet i jetueshëm.
Shqipëria e njeh më mirë se kushdo rrugën e parë. Prej tre dekadash, qindra mijë njerëz kanë zgjedhur ikjen, dhe shumica e familjeve shqiptare kanë dikë në Itali, në Gjermani apo në Angli etj. Prandaj, kur sheshet u mbushën me studentë që thoshin se po protestonin “për të ardhmen tonë”, kjo dukej si diçka e re dhe e shpresëdhënëse: një brez që në vend që të ikte, kishte vendosur të ngrinte zërin.
Por zëri, që të jetë zë sipas Hirschman-it, duhet të ketë një kusht: Duhet të jetë i gatshëm të negociojë, të propozojë dhe të qëndrojë në tryezë derisa diçka të ndryshojë. Zëri që refuzon çdo bisedë nuk është më zë, por zhurmë.
Dhe këtu fillon paradoksi. “Gjithë studentët janë në një mendje, pa dorëheqjen e kryeministrit nuk tërhiqemi”, deklaroi një student në bulevard. “Ka vetëm një kërkesë: largimin e qeverisë Rama”, tha njëra nga organizatoret. Kur kryeministri ofroi dialog dhe vendosi karriget për studentët, protestuesit i refuzuan, duke brohoritur “duam dorëheqje” dhe “E duam Shqipërinë pa Edi Ramën”. Edhe sindikata e pedagogëve, përmes kreut të saj Sandër Kovaçi, kërkoi që kryeministri të largohet “për t’i hapur rrugë zgjidhjes politike”.
Pra kërkesa është e qartë: ai të ikë, dhe në vend të tij të vijë një “qeveri teknike kalimtare” apo një “qeveri kujdestare”, që të çojë vendin në zgjedhje të lira. Dhe pikërisht këtu protesta përplaset me kontradiktën e vet më të madhe.
Kushtetuta nuk njeh “qeveri teknike”. Ajo njeh vetëm një kryeministër që propozohet nga shumica parlamentare dhe miratohet nga Kuvendi. Dhe shumicën në Kuvend e ka Partia Socialiste, e drejtuar nga Edi Rama. Kjo do të thotë diçka shumë të thjeshtë, që sheshi nuk dëshiron ta dëgjojë: edhe sikur Rama të jepte dorëheqjen nesër, qeveria teknike nuk mund të lindë pa votat e shumicës së tij. Pra, për ta pasur atë qeveri, do të duhej të uleshe sërish me Ramën dhe me partinë e tij, për të negociuar kush e drejton, kush e përbën, me çfarë mandati dhe për sa kohë.
Kështu, protesta ka para vetes vetëm dy rrugë. E para është të mos ulet kurrë me Ramën, dhe atëherë nuk ka asnjë zgjidhje, sepse askush tjetër nuk mund ta japë atë që ajo kërkon, dhe i mbetet vetëm kaosi i pafund në shesh. E dyta është të ulet, dhe atëherë logjika politike thotë se momenti më i mirë për t’u ulur është sot, kur ke njerëzit në shesh dhe presionin në kulm, jo nesër, kur sheshi të jetë lodhur dhe të jesh i dobët. Të thuash “nuk ulemi me Ramën, por duam qeveri teknike” është njësoj si të thuash “nuk ia hapim derën, por duam që ai të na japë çelësat”.
Është një kontradiktë që e paralizon vetë protestën.
Historia e njeh mirë këtë dilemë. Në Poloni, Solidariteti u ul në vitin 1989 me regjimin komunist që e kishte burgosur dhe nxori zgjedhjet që i dhanë fund komunizmit. Në Afrikën e Jugut, Mandela negocioi me qeverinë e aparteidit që e kishte mbajtur njëzet e shtatë vjet në burg. Në Shqipërinë e vitit 1991, pas grevës së përgjithshme, opozita e sapolindur u ul me Partinë e Punës dhe hyri në qeverinë e stabilitetit kombëtar, hapi që çoi te zgjedhjet e vitit 1992.
Dhe në vitin 2017, ministrat teknikë që opozita kërkonte para zgjedhjeve nuk erdhën nga bulevardi, por nga marrëveshja e ulur me vetë Ramën. Asnjë nga këta nuk u ul me kundërshtarin sepse e donte apo i besonte. U ul sepse e kuptoi se pushteti nuk dorëzohet në shesh, por negociohet në tryezë, dhe se ai që ka njerëzit pas vetes negocion më mirë se kushdo.
Te ne ndodh e kundërta. Nuk ka asnjë dokument që shpjegon si ndryshohet sistemi, me cilat ligje, me cilin kod zgjedhor dhe me cilin ekip. Nuk ka asnjë emër për qeverinë teknike, asnjë grup përfaqësues, asnjë program dhe asnjë plan për ditën e nesërme. Kështu, protesta që lindi si zë kundër ikjes ka përfunduar duke kërkuar vetëm një ikje tjetër, atë të kryeministrit, pa asnjë projekt për atë që vjen pas.
Kjo është, me fjalët e Hirschman-it, ikje e veshur si zë.
Ka edhe një shtresë më të thellë në këtë paradoks. Hirschman shkruante se zëri është i kushtueshëm, sepse kërkon organizim, kohë, ide dhe njerëz që marrin përgjegjësinë të flasin në emër të të tjerëve. Ikja është e lirë, mjafton të largohesh. Prandaj ata që qëndrojnë prapa këtyre të rinjve, në parti, në rrjete sociale apo në studio, kanë zgjedhur rrugën më të lirë. Kanë mobilizuar zemërimin, por nuk kanë investuar asgjë në ndërtimin e alternativës. Ata kanë nxjerrë në shesh një brez të tërë, por nuk i kanë dhënë as një plan, as një ekip, as një vizion. I kanë dhënë vetëm një emër për ta urryer, dhe një kërkesë që, për t’u realizuar, kalon pikërisht nga ai emër.
Dhe këtu përgjegjësia nuk u takon studentëve. Ata e kanë zemërimin të sinqertë dhe plot arsye për ta pasur. U takon atyre që e dinë mirë se si funksionon politika, që e dinë se një qeveri teknike nuk lind pa shumicën, dhe që megjithatë e lënë sheshin të besojë se mjafton të refuzosh tryezën që të fitosh.
Hirschman e mbyll librin me idenë e besnikërisë, atë lidhje që i bën njerëzit të qëndrojnë dhe të ngrenë zërin, në vend që të ikin. Besnikëria ndaj vendit nuk matet me sa fort bërtet kundër atyre që e qeverisin, por me sa qartë mund të thuash si do ta qeverisje vetë, dhe me sa guxim ulesh në tryezë për ta arritur. Një brez që do të qëndrojë ka nevojë për më shumë se një kërkesë për dorëheqje. Ka nevojë për një projekt, dhe për kurajën për ta negociuar.
Përndryshe, protesta e sotme rrezikon të mbetet thjesht kapitulli i radhës i historisë më të vjetër shqiptare: atë të ikjes.
- Kriza humanitare në jug të Ukrainës, Papa Leone i telefonon Zelenskit: Bisedime me Moskën dhe ndihma banorëve! - 20/10/2026
- Paradoksi i Hirschman-it, ose protesta që do ta rrëzojë Ramën me votat e Ramës - 20/10/2026
- Komente në kafene, televizione, portale e rrjete sociale, por vetëm 0.3% në protesta! - 20/10/2026