24.2 C
Tirana
07 / 06 / 2026

Berisha nuk shkon në protestë si opozitë e bukur, por si opozitë e madhe

Nga Mero Baze

Në një nga rrëfimet e tij të sinqerta për historinë e Dhjetorit 1990, Neritan Ceka u pyet se si ndodhi që ju ishit gjithë ato figura intelektuale në Dhjetor dhe në fund ua mori Sali Berisha PD-në dhe ju zboi.

Ceka, tani më pa inate me Berishën, tha me sinqeritet:

– Kishte përvojë, kishte qenë vite të tëra sekretar partie, e dinte çfarë ishte politika dhe partia. Ne thjesht nuk donim më komunizmin. Ndaj na mundi të gjithëve.

Ky shpjegim i tij vlen edhe sot.

Protesta amalgamë e nisur për flamingot e Nartës e ka kthyer Shqipërinë në një tokë të ofruar për një betejë globale kundër Presidentit Donald Trump. Zemra e protestës në Shqipëri është e vetmja gjë e vërtetë që ka protesta, pasi ajo nuk ka të bëjë me flamingot dhe as me Trumpin, por me hallet e një brezi që ndihet i përjashtuar.

Por përtej bulevardit në Tiranë, çdo qytet tjetër i botës që “solidarizohet” me flamingot është një organizatë anti-Trump që ka gjetur flamurin e kuq shqiptar si beze të kuqe kundër Trumpit.

Beteja ndërkombëtare kundër Trumpit, duke përdorur Shqipërinë, nuk është se e dëmton qeverinë shqiptare. Për të mos thënë që i bën mirë. Është e lehtë për këdo ta kuptojë kush i organizon protestat në Athinë, në Gjermani apo Itali e Spanjë.

E vetmja protestë e vërtetë kundër Edi Ramës është protesta e Tiranës. Ajo është protestë e një brezi të ri shqiptarësh që gjetën një mënyrë të refuzojnë opozitën dhe qeverinë në të njëjtën kohë, duke marrë shkas nga një ngjarje arrogante në Vlorë.

Por pas tetë ditësh Berisha e kuptoi se lëshimi i terrenit për ta ishte një gabim i rëndë i opozitës. Dhe nuk e mbajtën më nervat. Filloi pak nga pak me disa deputetë, ndërsa sot ka dhënë kushtrimin të shkojnë të gjithë në protestë.

Nuk është se do shtohen shumë numrat, se këta të PD-së nuk mbledhin më shumë se 1 mijë vetë dhe maksimumi bashkë do bëhen 3 deri 4 mijë vetë. Por do ndryshojë cilësia e protestës.

Tani këta që janë me Iranin dhe thonë që Zvërneci do bëhet Palestinë, apo këta që janë me Albinin dhe thonë që Kosova do marrë Shqipërinë që të mbrojë flamingot, kanë përballë një profesionist që di si bëhet politikë me këtë protestë.

Dhe ua dha shansin. U la tetë ditë kohë të zgjidhnin udhëheqësin, pastaj të merrej vesh me të, por nuk e dëgjuan. Tani vendosi të hyjë bashkë me ta.

SHBA nuk shfaqi asnjë mirënjohje për të, që refuzoi t’i bashkohej protestës kundër familjes Trump. Asnjë sinjal për heqje “non grata” dhe asnjë falënderim. Në fund të fundit, nuk kishte pse të vdiste “non grata” dhe i turpëruar nga një gjeneratë që kërkon t’i marrë të vetmen pronë të shtrenjtë që i ka mbetur në hipotekë pa u bllokuar: PD-në.

Ndaj sot e keni në shesh.

Të gjithë ata që mendojnë se mund ta kompleksojnë, ta shajnë apo fyejnë, gabohen. Nuk është kompleksuar as më 1990, kur studentët deshën ta zbonin më 10 dhjetor si të dërguar të Ramiz Alisë. Me pak durim pranoi të sharat, u ul tek stoli në korridor dhe tha me vete: “Hajde se do shihemi.”

E njëjta gjë po ndodh edhe sot.

Tani protesta është e denjë se është së paku me një gjymtyrë politike të identifikuar dhe disa grupe të tjera të paqarta. Brenda kësaj opozite, ai është më i madhi, më i qarti dhe, nëse ndodh të bëhen zgjedhjet, edhe më fituesi në raport me të tjerët që mund të konkurrojnë.

Prej sot ai nuk është as me projektin e Ivankës, as me flamingot, por në shesh kundër Edi Ramës bashkë me gjeneratën Z. Kishte një vit të tërë që i kërkonte, por nuk vinte, se ky i tremb ata, si Kushneri flamingot.

Tani ata ose do durojnë si flamingot, duke u premtuar se do sillet mirë me ta, ose duhet t’i lënë tribunën.Berisha nuk shkon në protestë si opozitë e bukur, por si opozitë e madhe

Po qe se janë të paqartë, të dëgjojnë rrëfimin e Neritan Cekës se si ua mori PD-në më 1990.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x