Nga Eva Vatoci
Vajzat në shoqërinë tonë përballen me refuzimin ende pa ardhur në jetë. Përpara se t’u dëgjohet e qara e parë, mbi to rëndon një dëshirë që rrallë vihet në diskutim: “Vetëm të mos jetë vajzë”. Kur gëzimi i lindjes kushtëzohet nga gjinia, padrejtësia ka filluar tashmë. Një fëmije i caktohet më pak vlerë përpara se të ketë pasur mundësinë të tregojë kush është.
Më pas, ajo rritet duke mësuar se duhet të kujdeset vazhdimisht babain, vëllain, burrat e fisit dhe për mënyrën si e shohin të tjerët. Të ulë zërin, të përmbajë dëshirat, të peshojë çdo fjalë dhe të kërkojë miratim për zgjedhjet e veta. Qetësia e familjes bëhet përgjegjësia e saj, edhe kur ruajtja e kësaj qetësie i kushton lirinë. Mbi supet e saj vendoset “nderi” i të gjithëve, ndërsa dinjiteti i saj mbetet pa të njëjtën përkujdesje.
Ky kontroll e shoqëron në etapa të ndryshme të jetës. Në familje, dëshirat e saj kalojnë përmes miratimit të prindërve, mbikëqyrjes së vëllait dhe gjykimit të farefisit. Në martesë, prej saj mund të kërkohet përkushtim pa kushte, durim pa kufi dhe gatishmëri për t’u shërbyer të gjithëve. Lodhja merret si detyrë, sakrifica si diçka e mirëqenë, ndërsa kundërshtimi si mungesë respekti.
Edhe kur zgjedh të mos martohet, gjykimi vazhdon. Arsimi, puna, pavarësia dhe arritjet e saj zbehen përballë pyetjes: “Pse nuk e mori askush?” Një shprehje që e trajton gruan sikur vlera e saj të varet nga përzgjedhja e një burri, duke shpërfillur të drejtën e saj për të zgjedhur vetë. Pas saj vjen etiketa “e mbetur në derë”, sikur një jetë e ndërtuar me mund, dije dhe dinjitet të ishte një jetë e dështuar vetëm sepse nuk përmbush pritshmëritë e të tjerëve.
Hipokrizia bëhet edhe më e dukshme kur gjykohen marrëdhëniet dhe jeta intime. Për burrin gjenden fjalë që e lartësojnë: zotësi, guxim, përvojë, arritje. Lidhjet e tij numërohen si suksese dhe e shkuara pranohet si pjesë e jetës. Për gruan, të njëjtat përvoja kthehen në akuza, në etiketime dhe në arsye për t’i cenuar emrin. Atij i lejohet të vazhdojë përpara; asaj i kërkohet të japë llogari pafundësisht.
Çfarë besueshmërie ka një moral që e quan të njëjtin veprim zotësi te burri dhe turp te gruaja?
Ata që marrin përsipër të gjykojnë ndershmërinë e një gruaje duhet të shqyrtojnë fillimisht drejtësinë e gjykimit të tyre. Sepse morali kërkon përgjegjësi edhe nga burri: për sjelljen, për marrëdhëniet, për fjalën e dhënë dhe për mënyrën si i trajton të tjerët. Gjinia nuk mund të shërbejë si përjashtim nga standardet që u imponohen grave.
Një grua nuk duhet të jetojë nën kërcënimin e një gjyqi publik ku përfundimi është vendosur përpara se të dëgjohet zëri i saj. Veshja, statusi martesor, dashuria apo e shkuara nuk i japin askujt të drejtën ta poshtërojë. Respekti për të nuk mund të kushtëzohet nga gatishmëria e saj për t’iu bindur pritshmërive të të tjerëve.
Dhimbja thellohet kur këtij gjykimi i bashkohen edhe gratë. Kur ato që e kanë njohur kufizimin, kontrollin, poshtërimin, dhunen, kërkojnë ta kufizojnë tjetrën, kur ato që kanë heshtur e quajnë të papranueshëm guximin e një gruaje për të folur. “Ne kemi duruar” nuk është arsye që të durojë edhe dikush tjetër. Vuajtja e kaluar duhet të na ndihmojë ta dallojmë padrejtësinë dhe t’i qëndrojmë pranë asaj që po e përjeton.
Pjekuria e një burri shihet edhe në mënyrën si e përballon lirinë e një gruaje, kur ajo kundërshton, refuzon, largohet apo zgjedh ndryshe. Të kërkosh bindjen e saj për të ruajtur autoritetin tënd do të thotë ta ndërtosh marrëdhënien mbi pabarazinë. Dashuria dhe respekti kërkojnë që ajo të ketë zërin, hapësirën dhe vullnetin e vet.
Një grua ka të drejtë të martohet ose të mos martohet, të dashurojë, të ndahet, të ndjekë profesionin dhe ëndrrat e saj. Ka të drejtë mbi trupin, intimitetin dhe të ardhmen e vet. Ka të drejtë edhe të gabojë, pa iu mohuar dinjiteti dhe pa u kthyer e gjithë jeta e saj në objekt ndëshkimi.
Dinjiteti i saj nuk është shpërblim për bindjen. Liria e saj nuk është leje që ia jep familja, partneri apo shoqëria.
Ndryshimi fillon kur secili pranon përgjegjësinë për mënyrën si e trajton një grua, në shtëpi, në marrëdhënie dhe në hapësirën publike. Kur heqim dorë nga standardet e dyfishta dhe nga bindja se kemi të drejtë të vendosim për jetën e saj.
Një grua nuk i detyrohet askujt heqjen dorë nga vetja për të ruajtur emrin e të tjerëve. Nderi i tyre është përgjegjësi e sjelljes së tyre; jeta e saj i përket asaj.