19.5 C
Tirana
31 / 05 / 2026

“Berisha i braktisur nga demokratët”, Salianji: Është bërë qesharak, po mban peng Shqipërinë. PD në krizë të thellë, ka humbur boshtin ideologjik

Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji tha për News Room se Berisha nuk gëzon më mbështetjen e shumicës së demokratëve dhe se, sipas tij, për herë të parë në 30 vite ka shmangur përballjen në një garë të vërtetë politike.

Salianji tha se rezultatet e pretenduara të votimeve nuk përputhen me pjesëmarrjen reale.

Sipas ish-deputetit demokrat, Berisha nuk ka paraqitur alternativa apo propozime konkrete përballë kryeministrit Edi Rama, duke shtuar se mungesa e një vizioni të ri e bën të pamundur fitoren në zgjedhje.

“ Ajo që është evidente, është e qartë që Berisha nuk ka mbështetjen e demokratëve dhe për herë të parë në 30 vite nuk ka preferuar të hyjë në garë. Me pak shpikte rivalë, ndërkohë që në këtë rast e refuzoi. I kam të monitoruara me kamera qendrat e votimit, po si ka 37 mijë votues kur del me 50 njerëz çdo të hënë.

Si do fitojë Berisha me Ramën, a bëri ndonjë propozim konkret, cila është e reja. Berisha është i braktisur nga demokratët dhe është bërë qesharak në Shqipëri. Berisha është uzurpator dhe që për interesin e vet po mban peng Shqipërinë. Berisha është garantori kryesor që Rama të qëndrojë në pushtet.

Si do t’i fitojë zgjedhjet Berisha? Deputeti i CDU tha saktësisht se duhet të zgjidhet një lider i ri. Berisha që nga 2013 është humbës kronik.”, u shpreh Salianji.

Salianji u shpreh se në PD mungon meritokracia dhe se promovimi i figurave politike nuk bazohet te mbështetja apo kontributi i tyre, por te shërbimi ndaj kryetarit të partisë.

Ish-deputeti ngriti shqetësimin edhe për marrëdhëniet ndërkombëtare të PD, duke vlerësuar se kjo forcë politike duhet të rindërtojë raportet strategjike me partnerët perëndimorë, përfshirë SHBA, BE dhe Mbretërinë e Bashkuar.

“PD ka rrëshqitur në disa boshte, nuk ka bosht ideologjik, ka një narrativë thashethemesh. Është në gjuhë urrejtjeje, nuk ka meritokraci, ka shërbim ndaj kryetarit uzurpator. Kështu, më pak i votuari promovohet.

Marrëdhëniet strategjike me SHBA që Berisha nuk i ka, as me BE apo Mbretërinë e Bashkuar. PD duhet të ketë një marrëdhënie tjetër me drejtësinë, e mbështet apo jo, cilat janë pikat që duhen ndryshuar dhe nëse e mbështet, mos ta bëjë për interesa personale. PD duhet të përfshijë njerëz të rinj , duhet të imponohet që 40 për qind e listës të jenë të rinj. Nëse nuk ribëhet PD nga fillimi dhe rri në të njëjtën status quo, nuk fiton dot.”

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x