Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Christiane Hohmann, gjatë një konference ka deklaruar se çelja e bisedimeve për integrim e bën bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe unionit europian edhe më të rëndësishëm dhe më strategjik. Sipas saj, vendi ynë sapo ka nisur një maratonë duke shtuar se për këtë duhet rezistencë, aftësi dhe bashkërendim shumë i fortë mes institucioneve.
“Sot tashmë që ne flasim kemi takimin shpjegues për kapitullin 24 për drejtësinë, lirinë dhe sigurinë. Është organizuar dhe po ndodh në Bruksel. Natyrisht disa nga kolegët tuaj nuk janë këtu, por janë në Bruksel për këtë takim, por fillimi i bisedave për anëtarësim është një arritje shumë e madhe për Shqipërinë dhe për BE-në dhe është si rrjedhojë e një pune shumë të madhe dhe një vendosmërie në vijimësi nga Shqipëria dhe të gjithë ju. Shqipëria sapo ka filluar një maratonë. Një maratonë e cila do të kërkojë rezistencë, aftësi dhe një bashkërendim shumë të fortë ndërmjet institucioneve”, u shpreh Hohmann.
Sipas saj ecuria në fushën e sundimit të ligjit do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të bisedimeve.
“Shqipëria do duhet të tregojë një udhëheqje të fortë politike për të avancuar në fushën e ligjit dhe natyrisht institucionet e drejtësisë dhe organet e zbatimit të ligjit po ashtu duhet të kenë një rol tejet kyç për të luajtur. Përveç takimeve shpjeguese një pjesë shumë e rëndësishme për autoritetet shqiptare do të jetë që të prezantojnë tek ne një udhërrëfyes për sundimin e ligjit, dhe në të do të shtjellojnë të gjitha objektivat dhe gjërat që dëshirojnë të arrijnë”, u shpreh ambasadorja.
Sipas saj, do të shikohet si do konsolidohet reforma në drejtësi; do të monitorohet nga afër historiku i hetimeve, ndjekjeve penale dhe i dënimeve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizohet; do të priten më shumë rezultate në fushën e luftës kundër pastrimit të parave; do të duhet angazhim në vijim për luftën kundër prodhimit të kanabisit, armëve të zjarrit dhe të qenieve njerëzore si dhe do të shikohet bashkëpunimi me agjencitë e zbatimit të ligjit me vendet anëtare.
“Bashkëpunimi ynë i ngushtë në fushën e drejtësisë duhet të jetë më i plotë dhe më i fortë që ne të jemi më të fortë”, tha ajo.
Ambasadorja njoftoi se më 3 dhe 4 Nëntor Tirana do të mikëpresë takimin ministerial mes BE dhe Ballkanit Perëndimor për çështjet e drejtësisë dhe ato të brendshme, ku prezentë do të jenë edhe komisionerët europianë
Ambasadorja tha po ashtu se BE e mbështet Shqipërinë sa i përket sulmeve kibernetike.
“BE po e mbështet Shqipërinë për të qenë sa më rezistente kundër këtyre sulmeve dhe së bashku me agjencitë e specializuara të shteteve anëtare e ndihmojmë Shqipërinë në mënyrë sistemike”, u shpreh ajo.
Deklaratat ambasadorja i bëri gjatë një takimi ku diskutohej për rolin e BE-së në zbatimin e ligjit në Shqipëri. Po ashtu u prezantua edhe projekti “EU4LEA”, Bashkimi Evropian për Zbatimin e Ligjit në Shqipëri.
“Ky projekt do të fillojë në bazë të punës së madhe që është bërë gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit të një bashkëpunimi të ngushtë dhe në rritje mes BE-së dhe organeve ligjzbatuese të Shqipërisë. Lançimi i këtij aktiviteti ndodh sot në një kontekt tërësisht të ri”, u shpreh Hohmann.
EU4LEA është një projekt i financuar nga BE-ja që kontribuon në forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Agjencitë ligjzbatuese shqiptare, – veçanërisht Policia e Shtetit Shqiptar, Ministria e Punëve të Brendshme, Struktura e Posaçme Antikorrupsion SPAK, Prokuroria e Përgjithshme, përfshirë prokuroritë e rretheve – do të asistohen për ta afruar performancën e tyre me standardet më të mira të BE-së.
Fushat kryesore të mbështetjes përfshijnë luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionin e nivelit të lartë, krimin mjedisor, si dhe menaxhimin e integruar të kufirit, kontrollin e trafikut rrugor dhe policimin në komunitet.