36.6 C
Tirana
28 / 08 / 2026

Aty ku puthja takohet me qiellin

Nga Albert Vataj

Ngjitesh në majë të gishtërinjve, sikur toka të jetë bërë papritur shumë e vogël për etjen tënde. Ngjitesh hutueshëm, shkujdesur, epur e epshëm, me atë drithërimën e ëmbël të dikujt që e di se po i afrohet një kufiri, por nuk dëshiron ta dijë se ku mbaron trupi dhe ku nis qielli.

Ngjitesh drejt asaj prehjeje ku një palë buzë pulitin si prush i gjallë, ku një frymë e vetme mund të bëhet dritë dhe një prekje e vogël mund të hapë portat e një universi të tërë. Atje ku ëndja nuk është më vetëm ndjesi, por një mënyrë tjetër e të parit; ku ëndrra nuk fle, por merr frymë mbi lëkurë.

E afrohesh te ai prag me një drojë që i ngjan lutjes dhe me një etje që nuk di të lutet. E prek. Dhe, sapo e prek, gjithçka lëviz.

Një petale shkëputet nga heshtja.

Era e merr.

Ti e ndjek.

Dhe nuk e di nëse po bie nga toka apo po ngjitesh drejt një qielli që ka vendosur të zbresë mbi ty.

Në atë çast, gjaku bëhet lumë dhe zemra bëhet portë. Përmes saj vërshojnë llavat e fshehta të dëshirimit, ato zjarre të lashta që toka i mban nën lëkurë dhe njeriu nën heshtje. Gjithçka që ka pritur një prekje për t’u zgjuar, zgjohet.

Ngjitesh në majë të gishtërinjve, etur, dalldisur, dhe ngre atë gllënkë qielli që të ofrohet mes dy buzësh.

Hurb.

Dhe brenda teje derdhen pranverat.

Nektarët e luleve të dehura nga dielli, aromat e kopshteve që kanë pritur shekuj për një natë të tillë, poleni i trëndafilave që nuk e kanë njohur kurrë frikën e lulëzimit. Të gjitha vërshojnë brenda teje, sikur universi të ketë harruar për një çast të ruajë sekretet e veta.

Dhe ti bëhesh enë e kësaj dehjeje.

Bëhesh një qiell që pi vetveten.

Mbi ty, një natë e zhuritur yjesh hapet si një plagë e bukur drite. Yjet rrëshqasin në lumenjtë e gjakut, treten në damarë, bëhen shkëndija nën lëkurë. Hëna, e kapluar nga magjia e vet, përkulet mbi natën dhe duket sikur edhe ajo kërkon një prekje.

Në këtë orë, edhe heshtja ka buzë.

Edhe nata ka frymë.

Edhe errësira ka temperaturën e një dëshire.

Ngjitesh në majë të gishtërinjve dhe ajri të merr për krahu. Të ngre lehtë, si një sekret që nuk do të rëndojë mbi tokë. Vrundujt e erës shkundin nga degët e shpirtit polenin e të gjithë zjarreve të dashurisë. Prushi i përpushjeve të hershme, dëshirat e mbetura pa emër, fjalët që nuk u thanë kurrë, puthjet që u harruan në buzë, gjithçka shpërbëhet në dritë.

Dhe ti ngjitesh.

Gjithnjë më lart.

Deri aty ku një buzë kërkon një tjetër dhe koha humbet emrin.

I vë buzën buzës.

Vetëm kaq.

Por mjafton.

Sepse në atë pikë, universi nuk ka më nevojë për yje.

Dy buzë janë mjaftueshëm qiell.

Dy frymë janë mjaftueshëm erë.

Dy zemra janë mjaftueshëm përjetësi.

Puthja vjen si një valë e ngrohtë dhe përshkon gjithë atë që deri një çast më parë besoje se ishte kufi. Të prek pa të rënduar, të ndez pa të djegur, të merr me vete pa të larguar nga vetja.

Dhe atëherë e kupton:

nuk është puthja që ngjitet drejt qiellit.

Është qielli që zbret në puthje.

Zbret ngadalë, si dritë mbi një trup të etur, si agim mbi një natë që nuk dëshiron të mbarojë. Zbret dhe të mbush me atë marramendje të ëmbël të të qenit për një çast më shumë se vetvetja.

Pastaj vjen ajo rënie e bukur.

Jo në tokë.

Në prehje.

Në atë cak të padukshëm ku të presin mijëra vezullime, të gjitha të ndezura përtej syve që mbyllen, përtej frymëve që ndërthuren, përtej zemrave që nxitojnë ta matin kohën jo me tik-takun e orës, por me trokun e gjakut.

Atje koha nuk kalon.

Ajo tretet.

Dhe në vend të saj mbetet një drithërimë.

Një frymë.

Një shenjë e ngrohtë në buzë.

Një dritë që nuk di të fiket.

Ngjitesh në majë të gishtërinjve dhe mbetesh pezull në atë sekondë të pafundme kur trupi nuk e di më nëse po prek apo po fluturon. Kur dëshira nuk është më kërkim, por prani. Kur etja nuk kërkon të shuhet, sepse pikërisht etja është bërë dehje.

I prek buzët.

Dhe ato derdhin mbi ty një pafundësi puthjesh.

Puthje që nuk i numëruam.

Ashtu si yjet.

Sepse ka gjëra që humbasin magjinë sapo maten.

Puthjet jo.

Ato mbeten diku mes buzëve dhe kujtesës, si yje të vegjël të kredhur në errësirën tonë, si dritëza që përshkojnë mishin e shpirtin, si bulëza vese mbi një mëngjes që sapo ka lindur.

Dhe ndoshta dashuria nuk është tjetër veçse kjo:

të gjesh dikë që të bën të harrosh gravitetin.

Dikë pranë të cilit maja e gishtërinjve bëhet shkallë, buzët bëhen portë, fryma bëhet krah dhe trupi — vetëm një mënyrë e përkohshme për të mbajtur brenda vetes një qiell të pafund.

Ngjitu.

Ngjitu në majë të gishtërinjve.

Ndieje sa nxehtë është dielli kur afrohet në lëkurë.

Ndieje sa etje ka puthja për buzën.

Ndieje sa epje ndez ajo pulitje e vogël që na heq peshën, na jep krahë dhe na shndërron në frymë.

Ngjitu aty ku dëshira nuk ka më emër.

Aty ku puthja nuk është më vetëm puthje.

Aty ku qielli humbet lartësinë e vet dhe zbret për t’u fshehur mes dy buzëve.

Ngjitu atje ku nuk mund të zbresësh.

Sepse disa maja nuk janë bërë për t’u pushtuar.

Janë bërë për të mbetur përgjithmonë thellë në ne.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x