150 vite më parë ka lindur poeti, publicisti dhe veprimtari i kolonisë shqiptare të Bukureshtit, autori i Himnit të Flamurit, që është himni kombëtar i Shqipërisë, Aleksandër Stavre Drenova i njohur më së shumti me nofkën Asdreni.
Për të nderuar jetën dhe veprën e tij, Universiteti “Fan Stiljan Noli” në Korçë në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, kanë organizuar këtë të enjte një konferencë shkencore kombëtare me temë “Asdreni në 150-vjetorin e lindjes”.
Punimet e konferencës dhe të pranishmit, profesorë, studiues, studentë e të ftuar të tjerë i përshëndeti rektori, Prof. Dr. Dhimitri Bello, i cili falënderoi për këtë bashkëpunim të radhës Akademinë e Shkencave të Shqipërsië.
Ai theksoi ndër të tjera: “Idenë e organizimit të kësaj konference në krye të herës na e ka dhënë studiuesi Pandi Bello, i cili në bashkëpunim edhe me pedagogun Olger Brame dhe me mbështetjen e dekanes së FEF, Prof. As. Dr. Jonela Spaho, si dhe kolegë të tjerë të këtij fakulteti bënë të mundur finalizimin e saj. Askujt më shumë se Universitetit tonë nuk i takonte që të zhvillonte një veprimtari të tillë për nder të tij, qoftë edhe modeste përballë madhështisë së Asrdenit. Asdreni në këtë konferencë na vjen nga studies të shumtë në kumtesa, të cilat sjellin pjesë nga jeta, vepra, mjedisi social-politik, si dhe duke bërë studime nga kendvështrime të ndryshme të veprës së tij”.
Në konferencën dedikuar një prej figurave më të ndritura të historisë, kulturës e mendimit shqiptar, nuk kanë munguar interpretime të disa poezive dhe një këngë po nga krijimtaria e Asdrenit.
Më pas konferenca i vijoi punimet në tri sesione paralele në mjediset e Rektoratit, ku u referuan tema të ndryshme që mundësuan një hap tjetër drejt njohjes, pasqyrimit dhe dëshmimit sadopak të vlerave që ka pasur ky veprimtar i madh e patriot i shquar.