Nga Pandi Madhi- menaxher arti dhe kurator
Në qershor të vitit 2020, kur COVID-19 ishte në kulmin e tij, bashkë me mikun tim, artistin Abaz Hado, diskutonim se si mund të ndikonte arti në ato momente të vështira. Ideja erdhi shpejt. Arti duhej të ekspozohej tek selitë e bizneseve, të cilat funksiononin diku. Pasi studiuam dhe vizituam disa ambiente biznesesh, erdhi zgjidhja: Zyra qendrore e Credins Bank. Historia më pas ishte e thjeshtë. Biseduam me drejtuesit e Bankës, të cilët me shumë pozitivitet dhe krahëhapur na ofruan ambientet e bukura të hollit të selisë qendrore.
Në tetor të vitit 2020, ekspozita u hap. Në të piktori Abaz Hado prezantoi 21 vepra, nga të cilat shumica e tyre ishin me një stil abstrakt, me një kolorit të pasur dhe me teknika të veçanta. Por ishin dhe pak të stilit ekspresionist dhe midis tyre një pikturë që kishte në qendër një gjel. Të gjitha veprat e ekspozuara ishin dëshmi e ndryshimit të radhës, që autori po eksperimentonte në ato vite. Drejtuesit e Credins shprehën efektet pozitive të ekspozitës tek klientët dhe tek punonjësit e bankës. Që krijonte një ambient miqësor dhe edukues artistikisht për ata që shijonin veprat e ekspozuara. Shumë pozitivisht vlerësuan këtë pjesë të krijimtarisë së prof. Abazit dhe kolegë dhe artistë të shumtë që e vizituan ekspozitën. Më pas ekspozitat në Credins Bank u kthyen në një traditë, ku emrat më të njohur të artit kontemporan shqiptar kërkuan dhe ekspozuan në ambientet e Bankës, që meriton vlerësim të veçantë për promovimin dhe mbështetjen e artit dhe kulturës shqiptare.
Rikthimi
Në periudhën e viteve 2025-26, Abaz Hado ka realizuar një krijimtari ndryshe. Për të qenë i vërtetë deri në fund të këtij rrëfimi, kam shkuar dhe shkoj në mënyrë të vazhdueshme në studion e tij gjatë viteve të fundit dhe kam ndjekur ndryshimet në artin e tij vit pas viti, ndryshime shpesh thelbësore, por që mbeten gjithmonë vepra autentike të artistit Abaz Hado. Bashkërisht (me piktorin Abaz Hado) menduam që një pjesë e kësaj krijimtarie duhej ekspozuar. Por ku? Menjëherë të dyve na erdhi në mendje Credins Bank. Përse të mos rikthehej pas 6 vitesh aty?!
Në fillim të majit të vitit 2026, kontaktuam me drejtuesit e Credins-it. Ata menjëherë ofruan një mikpritje të veçantë për ne, ideatorët e ekspozitave në Credins Bank. Më 3 qershor u hap ekspozita. Pati impakt të menjëhershëm. Në fytyrat e punonjësve të bankës dhe të klientëve të rastësishëm lexohej qartësisht kënaqësia estetike që sillnin veprat e bukura të Abaz Hados. Sa herë kam vizituar ekspozitën në ditët e nxehta të qershorit, ishte e njëjta pamje: buzëqeshje, gëzim dhe rrjedhimisht rendiment në punët e nëpunësve dhe vizitorëve në bankë. Mendoj se e gjithë kjo vjen, sepse veprat në ekspozitë janë shumë kontemporane, por njëkohësisht pikturë shqiptare. Subjektet janë të thjeshta, në qendër të veprave janë fshati, druri, pylli e ndonjëherë edhe Piti, qeni besnik i familjes, që nuk jeton më, por që ka marrë pavdekësinë në artin e njeriut që kujdesej për të. Ngjyrat e përdorura janë kryesisht të forta, me shumë dritë, të godasin që në momentin e parë.

Shikon gjendje të ndryshme të pranverës, vjeshtës, dimrit, ditë me diell apo shi, muzg, natë me hënë, e të gjitha këto plotësojnë elementet që bëjnë tërësinë e veprave të tij, duke krijuar me ngjyra një botë krejtësisht tjetër, që lëviz nga realja në surreale. Piktori frymëzohet nga momentet e natyrës, por e përcjell ndryshe në kanavacë, me ngjyra krejtësisht të tjera. Trungje pemësh të kuqe, lejla, blu e ngjyra të tjera përtej reales, por në këto peizazhe shfaqen shumë harmonike dhe tingëllojnë krejtësisht si normalitet. Artisti luan me elegancë me diellin, hënën, i vendos ato në qendër të peizazheve të tij dhe sikur iu thotë: Ju jeni pjesë e rëndësishme e jetës, jeni frymëzimi im. Në këtë ekspozitë është dhe një kompozim, titullohet “Piktori i Natyrës dhe Muza”. Është temë që e kanë trajtuar dhe piktorë të tjerë të shquar, por në veprën e Abaz Hados shohim botën, mjedisin, njerëzit shqiptarë, e kompozuar shumë ndryshe. Dhe kjo në funksion të idesë së tij dhe të gjithë ekspozitës, që natyra të frymëzon dhe të çon në zhvillime të reja artistike. Artistikisht drejt përkryerjes. Dhe faleminderit Credins Bank. Uroj që edhe bizneset e tjera, që kanë mundësi ekspozuese, të vijojnë me promovimin dhe inkurajimin e artit shqiptar.
- Arti tek biznesi-estetikë dhe edukim - 08/07/2026
- Berisha bën thirrje për mobilizim për protestën e radhën: Duhet të bëjmë gjithçka për suksesin e saj - 07/07/2026
- Trump surprizon në Samitin e NATO-s: Erdogan është miku im, do t’i heqim sanksionet ndaj Turqisë, sinjale pozitive për F-35 - 07/07/2026
