27.9 C
Tirana
04 / 10 / 2026

Angelina Jolie i drejtohet botës me pamjet tronditëse: Çfarë ka mbetur nga Gaza?

Aktorja amerikane Angelina Jolie ka publikuar pamje satelitore që tregojnë përmasat e shkatërrimit në Gaza, duke bërë thirrje për dërgimin urgjent të ndihmave humanitare dhe sigurimin e strehimit për banorët, veçanërisht përpara dimrit.

Fituesja e çmimit Oscar dhe ish-e dërguara speciale e OKB-së për refugjatët publikoi të shtunën, 3 tetor, në Instagram disa imazhe krahasuese, që tregojnë ndryshimin e zonave të ndryshme të Gazës pas gati 3 vitesh luftë.

“Ju mund të hapni tani Google Earth dhe të shihni se çfarë i është bërë Gazës”, shkroi Jolie, duke theksuar se lagje të tëra janë kthyer në rrënoja. Sipas saj, janë dëmtuar ose shkatërruar shtëpi, shkolla, universitete, spitale, rrugë, sisteme të ujësjellësit dhe kanalizimeve, si dhe infrastruktura të tjera jetike.

Pamjet e reja satelitore u shfaqën online javën e kaluar dhe shkaktuan reagime të shumta në rrjetet sociale për shkallën e shkatërrimit.

Google nuk ka bërë të ditur se kur janë publikuar apo përditësuar këto imazhe.

Jolie tha se pamjet tregojnë qartë dëmet fizike, por nuk mund të tregojnë pasojat njerëzore të luftës, përfshirë familjet që janë vrarë dhe kushtet në të cilat jetojnë të mbijetuarit. Ajo bëri thirrje që ndihmat humanitare të arrijnë te civilët në përmasat e nevojshme, që spitalet të furnizohen me pajisje dhe ilaçe dhe që palestinezëve t’u krijohen kushtet për të rindërtuar shtëpitë, shkollat, spitalet dhe komunitetet e tyre.

“Njerëzit kanë nevojë për strehim para dimrit. Ndihmat humanitare duhet të arrijnë te civilët në përmasat e nevojshme. Spitalet kanë nevojë për furnizime mjekësore”, shkroi ajo.

Në tetor, The National raportoi se aktivisti palestinez Samer Sinijlawi kishte deklaruar se Jolie synon të krijojë në Gaza një qendër të madhe për fëmijët jetimë, si pjesë e përpjekjeve për rindërtimin e zonës.

Sipas tij, kjo nismë mund të zhvillohet paralelisht me përpjekjet e udhëhequra nga qeveritë.

Jolie ka folur publikisht për luftën në Gaza që prej javëve të para. Në tetor 2023, ajo dënoi sulmet e Hamasit në Izrael, por tha se ato nuk mund të justifikonin humbjen e jetëve civile në Gaza.

Ajo ka kritikuar gjithashtu liderët botërorë për mungesën e kërkesave për një armëpushim humanitar.

Jolie ka më shumë se dy dekada që angazhohet në çështjet humanitare, veçanërisht për refugjatët dhe personat e zhvendosur nga konfliktet. Ajo punoi për më shumë se 20 vjet me agjencinë e OKB-së për refugjatët, fillimisht si ambasadore e vullnetit të mirë dhe më pas si e dërguar speciale, përpara se të largohej nga ky rol në vitin 2022.

Në reagimin e saj të fundit, Jolie theksoi se shkatërrimi në Gaza është tashmë i dukshëm përmes pamjeve satelitore, ndërsa nevojat e banorëve dihen…

“Shkatërrimi është i dukshëm. Nevojat dihen. Ajo që ka rëndësi tani është nëse ato do të plotësohen”, shkroi ajo.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x