14.5 C
Tirana
10 / 11 / 2025

Analizë / Samiti i OBSH në Kinë: Xi Jinping po i tregon Perëndimit se nuk është i izoluar

Presidenti kinez Xi Jinping po përpiqet të transformojë Organizatën për Bashkëpunim të Shangait (OBSH) nga një platformë dialogu në një mekanizëm të bashkëpunimit praktik dhe gjithëpërfshirës. Por sa është e mundur një gjë e tillë, cilat janë objektivat dhe sfidat e saj?

Sipas politologut Ian Bremmer, president i kompanisë së konsulencës për rreziqet politike Eurasia Group, shumë shtete po shqyrtojnë alternativa të reja për shkak të mungesës së qëndrueshmërisë në politikat e Shteteve të Bashkuara dhe të një lidership-i të vazhdueshëm në çështjet e sigurisë, tregtisë dhe diplomacisë.

Megjithatë, sipas Bremmer, ekzistojnë kufizime të mëdha strategjike: India dhe Kina kanë pozicione të kundërta politike në shumë çështje dhe vende të rajonit. Ato garojnë për ndikim në vende si Sri Lanka, Maldivet dhe veçanërisht në Pakistan, me të cilin Kina ka marrëdhënie të ngushta, ndërsa India një rivalitet të thellë. Këto tensione nuk do të zhduken.

Por, ai shton se India është e vetëdijshme për përkeqësimin e marrëdhënieve me SHBA-të, sidomos me presidentin amerikan që dikur shihej si aleat i mundshëm, por tani është bërë i pabesueshëm.

“Kjo e shtyn Indinë të përmirësojë marrëdhëniet me Kinën rivalin më të fuqishëm në rajon, për të ndërtuar marrëdhënie tregtare më të qëndrueshme, për të ulur tensionet dhe për të përmirësuar diplomacinë, veçanërisht në kufi”, thotë Bremmer. Sipas tij, vizitat e gjata të kryeministrit Modi në Kinë dhe angazhimi diplomatik i ministrit të Jashtëm indian, Jaishankar, janë dëshmi e kësaj përpjekjeje.

Ndryshe nga Kina, Rusia nuk gëzon të njëjtin ndikim. “Rusia nuk është më një fuqi e madhe. India nuk ka më shumë përfitime strategjike nga bashkëpunimi me të, përveç naftës së lirë. Marrëdhëniet ushtarake janë në rënie prej vitesh dhe India nuk planifikon të blejë më armatime ruse, pasi ato janë pak dhe me cilësi të dobët.”

Për presidentin rus Vladimir Putin, samiti i OBSH-së është një mundësi për t’u paraqitur si lider i pranueshëm në rendin e ri botëror.

“Pavarësisht sanksioneve perëndimore, shumica e vendeve të botës janë ende të gatshme të bëjnë biznes dhe të takohen me të. Nga këndvështrimi i G7-s, Rusia është një shtet i izoluar dhe i udhëhequr nga një kriminel lufte, por për pjesën tjetër të botës, kjo nuk përbën problem të madh”, thekson Bremmer.

Takimi i fundit i Putinit me Donald Trump në Alaskë ka shqetësuar thellësisht aleatët europianë, ndonëse ata kanë treguar koordinim më të mirë dhe reagim të shpejtë. “Fakti që Rusia është anëtare e plotë e OBSH-së dhe pritet si e barabartë, njësoj si Franca në NATO, është një mesazh i fuqishëm: Rusia nuk është e izoluar në nivel global.”

I pyetur për rolin aktual të SHBA-së në skenën globale, Bremmer thekson se nuk bëhet fjalë për një marginalizim të detyruar, por për një vetë-margjinalizim të qëllimshëm: Nuk është izolim klasik, por një formë unilaterale e sjelljes ndërkombëtare. Amerika nuk dëshiron më të jetë një lidere e fortë në kuadër të aleancave multilaterale.

Ai argumenton se aleatët tradicionalë të SHBA-ve janë bërë më të dobët ekonomikisht dhe më pak të pranishëm në fushën e mbrojtjes. Megjithatë, tani po përpiqen të rikuperojnë.

“Plani për konkurrueshmëri i Mario Draghit është përqafuar nga Ursula von der Leyen dhe liderët europianë, edhe pse ndoshta pak me vonesë.”

Për Bremmer, nëse do të ishte president amerikan, do të promovonte aleatë më të fortë, më efikasë dhe më konkurrues. Por vizioni i Trump është ndryshe: ai beson se aleatët tradicionalë kanë përfituar nga SHBA dhe tani duhen “shtypur”. “Kjo qasje, në afat të shkurtër, mund të bëjë që disa vende t’i nënshtrohen Trumpit, por në afat të gjatë do të dëmtojë vetë interesat amerikane”, përfundon ai.

Artikujt më të kërkuar

1
0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x