Homazhet për aktorin e njohur të kinematografisë shqiptare, Birçe Hasko, i cili u nda nga jeta në moshën 84-vjeçare, do të mbahen të dielën në orën 10:00 në Teatrin e Operas dhe Baletit.
Hasko njihej për interpretimet e tij të spikatura, ku solli me mjeshtëri karakterin “popullor” të jugut, duke e bërë atë të paharrueshëm për publikun shqiptar.
Ai lindi në fshatin Dukat të Vlorës, më 15 mars 1942. Në vitin 1961 përfundoi shkollën e mesme pedagogjike “Jani Minga”. Pas përfundimit të saj, punoi për disa vite si mësues dhe drejtor shkolle në fshatrat Amanikaj, Nivicë të Tepelenës dhe Poro të Vlorës, deri në vitin 1965.
Më pas ndoqi studimet për aktor në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë (1965-1969). Pas diplomimit, nga viti 1969 e në vijim, ai u angazhua si pedagog i mjeshtërisë së aktorit në Akademinë e Arteve, ku më vonë shërbeu edhe si dekan i Fakultetit të Artit Skenik në periudhën 1989-1994.
Në skenë dhe ekran, Hasko u dallua veçanërisht në role të karakterit komik dhe popullor.
Në teatër interpretoi figura si Milo Tafani në komedinë “Shi në plazh” (1983) nga Teodor Laço, Abaz Kola në “Shtëpia me dy porta” (1984) nga Ruzhdi Pulaha, si dhe Shazo në “Familja e peshkatarit” (1984) nga Sulejman Pitarka.
Ai njihej për një natyrë të veçantë interpretuese, ku elementët komikë dhe “fshatarakë” të karaktereve i kthente në pjesë të stilit të tij artistik, duke krijuar një mënyrë loje origjinale dhe të vështirë për t’u përsëritur. Individualiteti i tij u formësua veçanërisht në kinematografi, ku në role dytësore ndërtonte tipa të gjallë, me origjinalitet dhe shprehje të fortë skenike.
- Spaho poston votën fyese me emrin e Nokës, kritika demokratëve: Nuk më vjen keq për vitet, por për kë kam shërbyer - 24/05/2026
- Aktori Birçe Hasko përcillet për në banesën e fundit, homazhet mbahen sot në Teatrin e Operas dhe Baletit - 24/05/2026
- “Do të përcillem në atë botë me…”/ Fjalët prekëse të Birçe Haskos, ja çfarë thoshte në 2017 - 24/05/2026