Së fundmi, një postim i publikuar nga Shkëlqim Hajdari nga tempulli botëror i basketbollit, Madison Square Garden, solli një emocion të veçantë për sportdashësit shqiptarë. Në atë video, ku shfaqen fotot e legjendarit Agim Fagu, metafora “Agim Fagu ka zbritur në Madison Square Garden” tingëllon si një përulje simbolike për legjendën e sportit, një figurë që nuk i përket vetëm së shkuarës, por një trashëgimie të gjallë. Sepse sa herë përmendet emri i tij, flitet për epokën që mban emrin e tij – një kohë kur basketbolli shqiptar kishte fytyrë, karakter dhe madhështi.
Agim Fagu është një nga figurat më të mëdha të basketbollit shqiptar, një emër që lidhet ngushtë me historinë dhe identitetin e këtij sporti në vendin tonë. I lindur në vitin 1942, ai u formua si sportist në vitet kur basketbolli shqiptar po kërkonte të ndërtonte themelet e veta dhe shumë shpejt u shndërrua në një nga lojtarët më dominues të kohës. Karrierën e tij më të ndritur e zhvilloi me Partizanin, ku u kthye në simbol të klubit dhe në lider absolut në fushë, si dhe për shumë vite ishte shtyllë e padiskutueshme e Kombëtares. Me Shqipërinë mori pjesë në katër kampionate evropiane, ku doli shënuesi më i mirë i ekipit kombëtar. Ai u thirr dy herë me Kombëtaren e Europës, një vlerësim maksimal për nivelin e tij, por për arsye të njohura të kohës nuk arriti të marrë pjesë. Në vitet ’70, shtypi europian e konsideronte në të njëjtin nivel me basketbollistët më të mirë të kontinentit – jugosllavë, gjermanë, grekë – dhe shpesh e krahasonte me Kareem Abdul-Jabbar, ish-yllin e NBA-së. Pa asnjë mëdyshje, Agim Fagu konsiderohet sportisti më i madh i të gjitha kohërave në Shqipëri deri më sot.
Pas përfundimit të karrierës si lojtar, ai vazhdoi të kontribuojë në basketboll edhe si trajner dhe pedagog, duke formuar breza të rinj lojtarësh dhe duke lënë gjurmë të thella në edukimin sportiv shqiptar. Emri i tij sot përmendet me respekt të veçantë, sepse përfaqëson një epokë ku sporti ndërtohej me sakrificë, disiplinë dhe dashuri të pastër për lojën. Dhe pikërisht për këtë arsye, çdo imazh, çdo kujtim dhe çdo simbol që e lidh figurën e tij me skena të mëdha të basketbollit botëror, e forcon edhe më shumë vendin që Agim Fagu zë në historinë e sportit shqiptar.