20.5 C
Tirana
17 / 04 / 2026

Pashk Përvathi, poeti i peizazhit, virtuozi i ngjyrave të thella dhe dritës së vezullimtë të natyrës

Nga Albert Vataj
Natyra shqiptare, me egërsinë e saj sublime dhe brishtësinë magjepsëse, do të mbetej një dëshmi e pazëshme, pothuajse e paeksploruar në përmasën e saj hyjnore, nëse nuk do të përthyhej përmes thjerrëzës së perceptimit shpirtëror të piktorit impresionist, Pashk Përvathi. Ajo që rrok syri dhe përpin adhurimi nuk është thjesht një hapësirë gjeografike, por një gjendje shpirti që pret të pagëzohet në telajo, nën shpimin e butë të penelatave dhe lëdhatinë e dritës.

Gjini të ndryshme të artit, me të njëjtën etje zbuluesish, janë përkulur para kësaj bukurie, duke e stolisur me adhurim dhe duke e burgosur “egërsinë” e saj në butësinë e penelit. Është një përpjekje titanike për ta përjetësuar natyrën në një ndalim kohe, siç bën Përvathi, aty ku rrahja e zemrës sinkronizohet me fëshfërimën e gjetheve dhe ku hapi i udhëtarit nuk rend më drejt destinacionit, por drejt përjetësisë, skajeve të tejme ku mund të mos mbërrij syri, por arrin të ndjej shpirtërorja.

Mjeshtri në kurthi e mrekullimit
Në këtë “kurth” magjik të mrekullimit ka rënë piktori Pashk Përvathi, i cili nuk mjaftohet me pasqyrimin e asaj që sheh syri, por kërkon atë që rrok instinkti, asaj që përbën përjetimin në çdo nivel të tij perceptues. Pashk Përvathi është një arkeolog i dritës, gërmon nën sipërfaqen e ngjyrës për të gjetur shkëlqimin e brendshëm të tokës sonë, njëjt si koha dhe stina që ngërthejnë parmendën në thellësi për të zgjuar thirrjet e bresave që prehen nën këtë truall betejash të shpirtit.

Për Përvathin, peizazhi nuk është dekor, por një monument i gjallë. Ai e ka marrë hirin e kësaj natyre të bekuar dhe e ka ngjitur në altarin e veprës së tij me një përkushtim pothuajse klerikal.
Te vepra e tij, impasti i rëndë dhe dridhja impresioniste krijojnë një teksturë, ku drita duket se ka peshë dhe ajri ka aromë. Çdo tablo është një “trokitje” mbi portën e të bukurës universale që deh vështrimin duke u derdhur brenda nesh si një zgjim në një magjepsje përjetimi.

Përvathi shkon atje ku qielli takon tokën
Vepra e tij qëndron lart, në atë lartësi ku kufiri mes tokës dhe qiellit fshihet nga mjegulla e artë e agimeve. Aty, ku ngjiten altaret dhe dëgjohen kambanat e qiellit, Pervathi ka ndërtuar një strehë për shpirtin shqiptar dhe ka shkruar një dhjatë për predikimin e asaj që për të është besim. Peneli i tij nuk pikturon thjesht pemë apo lumenj, male që futin kokën në re dhe maja që zbardhëdhojnë dimër-verë, det që valëzon si vello nuseje dhe panoramë që u mëkon hir largësive, por shkruan “këngën” që ata lëshojnë nën dritën e diellit tonë dritës.
Në këtë rrugëtim, ai mbetet jo vetëm një piktor, por një gardian i kujtesës estetike, duke na kujtuar se natyra është katedralja jonë e parë dhe vepra e tij, shënjimi që na lidh me të vërtetën e kësaj toke.

Arkitekt i dritës së ngjyrshme
Pashk Pervathi nuk është thjesht një piktor i peizazhit, ai shfaqet si arkitekt i dritës dhe një dëshmitar i shpirtit të tokës shqiptare. Peneli i tij nuk mjaftohet me pasqyrimin e nji pamjeje, por kërkon me nxjerrë në pah “frymëmarrjen” e natyrës, ti japë zë nji kodre e një mali, një lumi apo një shtëpie të vjetë, që duket sikur është shkrirë me dheun dhe me kohën, me hapësirën dhe mahnitjen.
Në universin e tij piktorik, drita nuk asht thjesht element ndriçues, por substancë që ndërton formën dhe emocionin. Ajo rrëshqet mbi sipërfaqe, depërton në thellësi dhe shndërrohet në gjuhë, në rrëfim të heshtun që flet për ciklet e natyrës dhe për përjetësinë e çasteve të vogla. Ngjyrat, të përzgjedhura me një ndjeshmëri të hollë, nuk përplasen, por bashkëjetojnë në harmoni, si një orkestër e qetë ku çdo ton gjen vendin e vet në një ekuilibër të menduem.


Peizazhet e tij nuk janë kurrë “zhurmuese”, ato ftojnë në meditim, duke u bërë pasqyrim i një qetësie të thellë shpirtnore. Janë hapësina ku koha duket sikur ka ndaluar, ku e tashmja dhe e kaluara treten në njëra-tjetrën, duke krijue atë ndjesinë e kthimit, jo thjesht në një vend, por në një gjendje të brendshme, në një përjetim që pluskon në ngjyrje shpirti. Në to, shikuesi nuk është spektator, por pjesëmarrës në një përjetim që shtrihet mes kujtesës dhe ëndrrës.
Në këtë kuptim, arti i Pervathit është një formë e përkorë e kontemplimit. Ai nuk kërkon spektaklin, por thelbin, nuk ndërton për të impresionuar, por për të depërtuar butësisht në vetëdijen e atij që e sodit. Çdo tablo është një ftesë për të ndaluar hapin, për të dëgjuar heshtjen dhe për të kuptue se bukuria shpesh qëndron në atë që nuk thirret, por vetëm ndihet, thellësisht, thelbësisht.
Kështu, Pashk Pervathi mbetet një prej atyne zërave të rrallë të pikturës shqiptare që nuk e kërkojnë vëmendjen me forcë, por e fitojnë atë përmes një autenticiteti të qetë dhe një besnikërie të palëkundur ndaj natyrës dhe dritës, dy elemente që në duart e tij shndërrohen në poezi vizuale.

Poeti i dritës dhe magjisë së peizazhit
Nëse arti do të kishte nji stinë të përjetshme, ajo do të ishte stina e Pashk Pervathi. Profili i tij krijues përfaqëson një përqendrim të rrallë të harmonisë mes akordit të ngjyrave dhe ndjeshmërisë lirike, ku çdo goditje peneli funksionon si një njësi ritmike në ndërtimin e një simfonie vizuale, është një varg dhe një metaforë, është një drithërimë shpirti që shndërrohet në shpërthim drite në bredësi të ndijimit.
Tek ai, peizazhi nuk është thjesht një gjini, por një sistem shprehës, ku drita organizon hapësirën dhe ngjyra artikulon emocionin. Çdo element piktorik është i reduktuar në thelb, pa teprime, duke i dhënë veprës një pastërti strukturore dhe një qartësi ndijimore që komunikon drejtpërdrejt me shikuesin.
Në këtë përmasë të përkorë dhe të menduar, Pashk Pervathi shfaqet si një poet i dritës, ku magjia e peizazhit nuk qëndron në spektakël, por në aftësinë për të krijuar një gjendje, të qetë, të thellë dhe të qëndrueshme në kujtesë.

Estetika e dritës dhe atmosferës
Pashk Pervathi e trajton dritën jo si një faktor të jashtëm që ndriçon objektet, por si një substancë imanente që strukturon vetë pikturën, shtresëzim i ngjyrave dhe i gjëndjeve. Ajo nuk bie mbi formën, ajo lind prej saj, duke u bërë njëkohësisht burim dhe përmbajtje e përjetimit vizual.
Ai zotëron një ndjeshmëri të rafinuar për çastet kalimtare, për ato intervale të brishta ku drita transformon realitetin, arin e perëndimit që përkëdhel relievin, mjegullën e mëngjesit që zbut kufijtë e formave, apo transparencën e ajrit që e bën hapësirën të pulsojë. Këto nuk janë thjesht efekte atmosferike, por gjendje të artikuluara me një saktësi pothuajse meditative.
Në tablotë e tij, atmosfera nuk është sfond, por prani aktive. Ajri fiton densitet, freski dhe jetë, duke krijuar një ndjesi përfshirjeje ku shikuesi nuk e sodit thjesht peizazhin, por e përjeton atë si një realitet të brendshëm, të depërtueshëm dhe të gjallë.

Penelata dhe tekstura e “shpirtit impresionist”
Në gjuhën piktorike të Pashk Pervathi, penelata nuk është thjesht mjet ndërtimi, por akt shprehës që mbart ritmin e përjetimit. Stili i tij anon drejt një impresionizmi të përditësuar dhe të kudogjendur, ku forma nuk ngurtësohet në konture të prerë, por shpërndahet dhe ribashkohet me mjedisin përmes një lëvizjeje të lirë, të gjallë dhe të vetëdijshme, ku soditja shtanget dhe ngjyrat na tavolet jepen si një joshjeje.


Kjo liri nuk është spontane në kuptimin e rastësisë, por e disiplinuar nga një sens i mprehtë harmonie. Paleta e tij, e pasur dhe e nuancuar, ndërton marrëdhënie delikate mes të gjelbrave të thella, të kaltërave të tejdukshme dhe toneve tokësore, ku çdo ngjyrë nuk qëndron më vete, por hyn në dialog me tjetrën, duke krijuar një unitet organik të sipërfaqes.
Tekstura, ndërkohë, fiton një dimension taktil. Ajo nuk është vetëm për t’u parë, por për t’u ndier me sy: relievi i penelit sugjeron ashpërsinë e gurit, lagështinë e dheut, butësinë e gjethes. Kështu, piktura e Pashk Pervathi kapërcen kufirin e imazhit dhe bëhet një përvojë ndijore e plotë, ku “shpirti impresionist” nuk është stil, por gjendje që pulson në çdo fragment të sipërfaqes.

Profili i piktorit, dashnor i etnos dhe peizazhit
Pashk Pervathi shfaqet si një piktor që e ka përshkuar Shqipërinë me kavalet në krah, duke e përkthyer peizazhin në një gjuhë identitare. Për të, natyra nuk është thjesht një objekt estetik, por një strukturë ku ndërthuren memoria, karakteri dhe fryma e vendit, si një kushtrim i brendshëm që dëgjohet nga thellësia.
Ai nuk pikturon “bukurinë” në kuptimin sipërfaqësor, por thelbin e saj, atë që e bën një hapësirë të njohshme dhe të papërsëritshme. Në këtë sens, ai duket se njeh jo vetëm anatominë e pemës, por edhe psikologjinë e reve; jo vetëm formën, por edhe gjendjen që ajo mbart.
Kompozimet e tij mbështeten në një ekuilibër organik, ku çdo element gjen vendin e vet në një rend natyror dhe të paimponuar. Syri i shikuesit nuk drejtohet me forcë, por ftohet të lëvizë lirshëm brenda hapësirës piktorike, duke gjetur aty një ndalesë të qetë, një mundësi meditimi.
Tek Pashk Pervathi, horizonti nuk është kufi, por një vijë e hapur ku fillon kërkimi. Ai mbetet gjithmonë një ftesë për të parë përtej së dukshmes, për të depërtuar në atë dimension ku peizazhi shndërrohet në përvojë dhe në vetëdije.

Piktura si akt dashurie
Për Pashk Pervathi, akti i pikturimit merr trajtën e një raporti etik me natyrën, pothuajse një lutje e heshtur, ku subjekti nuk pushtohet, por respektohet dhe lartësohet. Ai nuk e imponon vizionin mbi peizazhin, përkundrazi, i nënshtrohet ritmit dhe frymëmarrjes së tij, duke kërkuar të kapë një të vërtetë që nuk është thjesht optike, por thellësisht emocionale.
Qoftë në ashpërsinë e relievit verior apo në butësinë e hapësirave bregdetare të jugut, ai ruan një besnikëri të qëndrueshme ndaj kësaj të vërtete të brendshme, që nuk kufizohet nga korniza e tablosë. Piktura e tij nuk mbyllet, ajo vijon përtej, si një jehonë që mbetet në ndërgjegjen e shikuesit.
Në këtë kuptim, Pashk Pervathi na mëson një mënyrë të të parit, jo thjesht si akt perceptimi, por si ushtrim mirënjohjeje. Ngjyra, në duart e tij, nuk është vetëm element formal, por bëhet gjuhë shpirtërore, një medium përmes të cilit realiteti përjetohet dhe fisnikërohet.
Në pikturën shqiptare të dekadave të fundit, ai qëndron si një hapësirë e veçantë drite, ku peizazhi nuk është pamje, por përvojë, jo vetëm një fragment i natyrës, por një gjendje që lind nga bashkëjetesa mes syrit që sodit dhe botës që i shfaqet. Në këtë marrëdhënie të rrallë, ai mbetet një figurë e përmbajtur, por e qëndrueshme, një “gardian i dritës” që e ruan dhe e përcjell atë si një trashëgimi të ndjeshme në historinë e artit shqiptar.

Peizazhi si gjendje e përthithur, meditimi i dritës dhe heshtjes
Pervathi nuk e trajton natyrën si objekt për t’u riprodhuar, por si një gjendje për t’u përthithur. Në tablotë e tij, drita nuk bie, ajo merr frymë. Ajo shpërndahet në sipërfaqe me një butësi që kujton një melodi , ku çdo ngjyrë është një notë e menduar, e matur dhe e vendosur me një vetëdije të lartë estetike. Peizazhet e tij, shpesh të zhveshura nga prania njerëzore, nuk janë bosh, por përkundrazi, të mbushura me një prani të padukshme, një qetësi që flet.
Në këtë kuptim, arti i Pervathit është një akt meditimi. Ai e ndërton hapësirën me një ekonomi të admirueshme formash, duke shmangur çdo teprim dhe duke kërkuar thelbin. Kjo e afron atë me një traditë të pikturës evropiane ku peizazhi është një mënyrë për të reflektuar mbi qenien, më shumë sesa për të dokumentuar një vend. Në disa prej punëve të tij ndihet një jehonë e largët e impresionizmit, jo si ndikim formal, por si një afri shpirtërore me idenë se drita dhe momenti janë thelbi i së dukshmes.
Profili i tij si piktor formësohet pikërisht në këtë tension mes disiplinës dhe ndjeshmërisë. Ai është një kërkues i heshtur i harmonisë, një ndërtues i hapësirave që nuk imponohen, por që të ftojnë të hysh brenda tyre.
Pashk Pervathi shfaqet si një poet i dritës dhe i heshtjes, një piktor që nuk e përdor penelin për të treguar botën, por për ta dëgjuar atë. Dhe pikërisht në këtë dëgjim të thellë, arti i tij fiton atë dimension të rrallë, të qenit jo vetëm pamje, por përvojë.

E shkuara në sytë e përlotur të së tashmës
Gjithnjë më kanë magjepsur sytë që notojnë në lot, njësoj si brigjet që, përmes shkumëzimeve, përcaktojnë skajet e pafundme të horizontit. Por në sytë e Pashk Përvathit, emocioni nuk mbetet thjesht ndjesi: ai shpërthen, shndërrohet në përjetim dhe merr trajtë në një përpjekje të pandalur për të prekur kufijtë ku drita e shpirtit të tij është mbrujtur deri në tablo.
Ëndrrat e tij u mëkuan në atë eter të brishtë shpirtëror të Manatit të Lezhës, në atë fshat ku zëri poetik i jetës përzihet me përditshmërinë e njerëzve që e sfidojnë kohën me mund, me shumë mund dhe sakrificë.
Atje nisi rrugëtimi i mjeshtrit, një udhëtim që do ta çonte drejt emrit dhe veprës, drejt vlerësimit dhe vendit që ai zuri, me të drejtë, në traditën e ndritur të pikturës shqiptare. Ai erdhi si një prani e heshtur, por me një akt të pazëvendësueshëm shprehjeje, duke e kthyer gjendjen dhe përjetimin në gjuhë ngjyrash e peneli.
Çdo copëz e së shkuarës ku ai hodhi hapat e parë drejt pushtimit të botës së madhe të artit, çdo kujtim e mall, lexohet me një qartësi gati drithëruese në ata sy që përloten, si një zë i thellë që zhytet në qenien dhe në gjendjet ku ai është mbrujtur, e ku rikthehet herë pas here për të ruajtur të paprekur Betlehemin e tij shpirtëror.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x