Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Timco Mucunski, ku u riafirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe rëndësia e bashkëpunimit rajonal.
Në një postim në platformën X, Hoxha theksoi se “Këtë mëngjes pata një telefonatë të parë të dobishme dhe produktive me kolegun tim Timco Mucunski, duke riafirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Për ne, Maqedonia e Veriut nuk është vetëm një vend fqinj dhe mik, por edhe një aleat i çmuar i NATO-s dhe një partner i ngushtë rajonal.”
Ministri nënvizoi se integrimi evropian i dy vendeve është me rëndësi strategjike, teksa shtoi se, “Ramë dakord se integrimi evropian i dy vendeve tona dhe i të gjithë Ballkanit Perëndimor, është investimi më i mirë në stabilitet dhe siguri, si për rajonin tonë, ashtu edhe për Bashkimin Evropian.”
Hoxha kujtoi gjithashtu përvjetorin e tragjedisë në Koçan, duke shprehur solidaritetin e Shqipërisë me institucionet dhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut.
“Përsërita angazhimin e fortë të Shqipërisë për të qëndruar pranë Maqedonisë së Veriut në momentet që kërkojnë solidaritet dhe bashkëpunim më të fortë rajonal.”
Një tjetër pikë e rëndësishme e bisedës ishte zbatimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
Hoxha u shpreh se “Riafirmuam rëndësinë e madhe të zbatimit të plotë të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, gurthemel i bashkëjetesës ndëretnike dhe stabilitetit institucional. Nënvizova rëndësinë e përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore, përmes zgjidhjeve që respektojnë parimet kushtetuese dhe pasqyrojnë karakterin shumëetnik të vendit.”
- Rama prezanton ‘Dëmi im’ për bizneset e vogla në E-Albania: Do t’i kthejmë këto gërmadha në shëmbëlltyra të forcës sonë për të ecur përpara. Shqipëria nuk do të mbahet peng nga askush dhe nuk ka forcë që të na ndalë dhe që të na kthejë mbrapa” - 17/10/2026
- Rusia dhe talibanët po afrohen gjithnjë e më shumë, çfarë përfiton secila palë? - 17/10/2026
- Pezullimi i sanksioneve ndaj Rusisë nga Trump, Kremlini mirëpret vendimin e Presidentit amerikan: Një moment historik - 17/10/2026