18.5 C
Tirana
20 / 11 / 2025

Evropa reagon ndaj planit të SHBA-Rusi për Ukrainën: Ne duhet të jemi pjesë e negociatave. Parisi: Nuk mund të jetë një kapitullim për Kievin

“Ne mbështesim një paqe që të jetë e drejtë dhe e qëndrueshme, por për çdo plan, që të funksionojë, nevojitet që Evropa dhe Ukraina të jenë në tryezë”.

Kështu e ka komentuar përfaqësuesja e lartë e BE-së për çështjet e jashtme Kaja Kallas planin e SHBA për Ukrainën. “Ka një agresor dhe një viktimë: nuk dëgjojmë koncesione nga ana e Rusisë, si për shembull një armëpushim të pakushtëzuar, duke qenë se bombat ende bien mbi civilët”.

Edhe ministri francez i Jashtëm Jean-Noel Barrot flet për “kapitullim”, të papranueshëm: “Ukrainasit, që luftojnë heroikisht prej tre vitesh, do të refuzojnë çdo lloj kapitullimi. Duhet të niset nga një armëpushim në vijën e kontaktit, për të arritur më pas tek negociatat, edhe për territoret; i vetmi që refuzon është Putini”.

Barrot gjithashtu ka nënvizuar se mes punëve në agjendë sot është “puna për paketën e njëzetë të sanksioneve, që shpresojmë të përfundojë brenda fundit të vitit”.

Në Bruksel sot mblidhet Këshilli për Çështjet e Jashtme, teksa Evropa ndihet e  përjashtuar nga “plani i paqes” i Putinit dhe Trump me 28 pika.

“Janë vetëm zëra gazetareskë, është e vështirë të komentosh zëra gazetareskë”, thotë shkurt ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani mbi “planin” me 28 pika. “Kur të paraqitet, do të bëjmë një analizë të thelluar. Siç është thënë gjithmonë, Evropa duhet të zhvillojë edhe ajo rolin e saj”. Edhe sepse “Ukraina përfaqëson gjithashtu një barrierë sigurie për Evropën: nëse bie Ukraina, rriten rreziqet për Evropën dhe këtë nuk mund ta pranojmë absolutisht e as ta lejojmë”.

“Ne i vlerësojmë përpjekjet për paqe, por Evropa është partneri kryesor, mbështetësi kryesor i Ukrainës, dhe është siguria e Evropës ajo që është në lojë. Prandaj presim të konsultohemi”. Kështu ka thënë ministri polak i Jashtëm Radosław Sikorski, sërish në Bruksel. “Shpresoj, thotë ai, që të mos jetë viktima ajo që të pësojë kufizime ndaj aftësisë së saj për t’u mbrojtur, por të jetë agresori ai që të shohë të kufizohet potenciali i tij agresiv”.

Së fundi vijnë kritika edhe nga vendet skandinave. Ministri i jashtëm i Danimarkës, vend që ka presidencën e radhës së BE-së, Lokke Rasmussen, ka kujtuar nevojën për më tepër rreptësi mbi sanksionet. “I vetmi problem mbetet Putini. Duhet të shmangim çdo situatë në të cilën ne fillojmë realisht t’i dorëzohemi kërkesave të tij”, ka shtuar ai. “Ekonomia ruse është shumë e dobët. Nëse vazhdojmë me sanksionet tona, dhe besoj që duhet t’i diskutojmë edhe sot, mund të krijojmë, për shembull për sa i përket flotës fantazmë, një sistem më efikas në të cilin ne e rrisim listën automatikisht dhe jo të lidhur me paketën e nëntëmbëdhjetë apo të njëzetë të sanksioneve”.

Edhe më e ashpër është homologja e tij suedeze Maria Malmer Stenegard. “Që nga pushtimi në shkallë të gjerë, vendet evropiane dhe Evropa kanë mbështetur Ukrainën me 187 miliardë euro. Në të njëjtën periudhë kemi importuar naftë dhe gaz nga Rusia për një shumë prej 201 miliardë eurosh, dhe nëse shtohen importet e tjera, totali është 311 miliardë euro, gjë që do të thotë se përfundojmë me një mbështetje negative ndaj Ukrainës prej 124 miliardë eurosh. Kjo nuk është gjë tjetër veçse një turp”.

Dhe ajo ka këmbëngulur: “Tani të gjithë flasin për bisedime paqeje, por nuk do të ketë bisedime paqeje të arsyeshme nëse nuk e rrisim mbështetjen për Ukrainën dhe presionin mbi Rusinë. Një fillim i shkëlqyer do të ishte përdorimi i aktiveve të ngrira në dobi të Ukrainës”.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x