Aktori suedez Bjorn Andresen, i njohur botërisht për rolin e tij si Tadzio në filmin e famshëm të vitit 1971 “Death in Venice”, ka ndërruar jetë në moshën 70-vjeçare.
Andresen u bë i famshëm vetëm 15 vjeç, pasi regjisori italian Luchino Visconti e cilësoi publikisht si “djalin më të bukur në botë” – një etiketë që do ta ndiqte gjatë gjithë jetës dhe do të kishte ndikim të thellë në karrierën dhe mirëqenien e tij personale.
Gjatë xhirimeve të filmit, aktori përjetoi eksperienca të vështira, përfshirë presione dhe situata të papërshtatshme që ai më vonë i përshkroi si “traumatike”, mes tyre edhe vizita të detyruara në klube homoseksuale.
Andresen ka rrëfyer në intervista të mëvonshme se ndjeu se ishte “i shfrytëzuar dhe pa kontroll” mbi jetën e tij të re në dritën e famës.
Pas suksesit ndërkombëtar të filmit, ai u zhvendos përkohësisht në Japoni, ku u kthye në një ikonë pop dhe model i adhurueshëm nga miliona fansa, kryesisht gra.
Pavarësisht suksesit, ai nuk arriti kurrë të shkëputej plotësisht nga hija e rolit të Tadzios, i cili, sipas tij, “i kufizoi mundësitë për role më serioze”.
Në karrierën e tij, Andresen luajti në mbi 30 filma dhe seriale, si dhe zhvilloi një pasion të thellë për muzikën, duke u bërë pianist dhe kompozitor.
Ai kishte dy fëmijë me ish-bashkëshorten e tij, poeten suedeze Suzanna Roman.
Bjorn Andresen do të kujtohet si një artist me shpirt të ndjeshëm, që u përball me anën e errët të famës së hershme dhe arriti të mbetet një figurë e paharrueshme e kinemasë europiane.
- Elton John feston 5-vjetorin e “Cold Heart” me Dua Lipën: “5.3 miliardë dëgjime dhe një miqësi e mrekullueshme” - 13/08/2026
- Raportohen 38 vatra zjarri. Situatë e rënduar në Lurë, Priskë dhe Elbasan, ndërhyrje nga toka dhe ajri. Përmirësohet situata në Krujë - 13/08/2026
- “Nuk e gjykoj njeriun që më fali jetën”, si u tërhoq Skënder Haluci nga trupa gjykuese për dënimin e Ramiz Alisë - 13/08/2026