Nga Blendi Kajsiu
Personalizmi i skajshëm i politikës shqiptare e ka reduktuar debatin politik tek personazhet dhe jo tek alternativat. Për këtë arësye garat elektorale si brenda edhe jashtë partive i ngjajnë gjithnjë e më shumë serialeve big brother ku mbizotëron intriga dhe thashethemi.
E njëjta gjë po ndodh edhe sot me garën për bashkinë e Tiranës që është përqendruar pothuajse tërësisht tek emrat e përveçëm dhe aspak tek alternativa qeverisëse që ofrojnë aktorët politik.
Ky proces është deri diku i kuptueshëm në rastin e pushtetit sepse alternativa e Edi Ramës për ta transformuar Tiranën në Dubai është mëse e qartë për qytetarët. Ndaj e vetmja gjë që i mbetet Ramës është ti prezantojë qytetarëve nënpunësin e rradhës që do realizojë vizionin e tij për kryeqytetin.
Me gjithë respektin për kandidaten socialiste e vërteta është se ajo nuk do jetë kryetare por nënpunëse e Bashkisë së Ramës. Kjo për faktin e thjeshtë se në pushtetin aktual ka vetëm një kryetar, qoftë në PS, qoftë në Këshillin e Ministrave, qoftë në Parlament, qoftë në bashkitë që kontrollon PS-ja, qoftë në prefektura, qoftë tek Këshilli Kombëtar i Territorit, e kudo tjetër ku shtrihet pushteti aktual që socialist ka vetëm emrin.
Ajo që të habit është obsesioni me kandidatin që do prezantojë opozita, dhe sidomos ajo berishiste, a thua se problemi kryesor i saj është gjetja e një çuni apo goce të mirë që të përballet me Ramën dhe jo ndërtimi i një vizioni alternativ për Tiranën që ka në qendër qytetarin dhe jo kryetarin.
Natyrisht që kandidati ka rëndësinë e vet. Padyshim që një kandidat si Florian Binaj është shumë më problematik se një kandidat serioz si Ermal Hasimja, ndonëse në këtë pikë gjykimi im është goxha subjektiv sepse e njoh Ermalin prej vitesh.
Por nuk ka dyshim që humbja e PD-së me kandidatin Florian Binaj do jetë shumë më e garantuar dhe e thellë sesa me Ermalin, ndonëse berishizmi dhe zëdhënësit e tij si gjithnjë do denoncojnë masakrën elektorale. Ama është iluzion i madh të mendosh se mjafton që PD-ja të kish zgjedhur një kandidat serioz si Ermal Hasimja për të fituar Tiranën.
Problemi themelor me të cilin përballet opozita kryesore sot, dmth berishizmi, nuk është thjesht varfëria e personazheve por varfëria e mendimit, e alternativës qeverisëse dhe e vizionit për Tiranën. Dhe kjo e fundit nuk ndërtohet dy ditë para zgjedhjeve. Nga këtu buron skpeticizmi i thellë që shumica e qytetarëve të Tiranës kanë ndaj berishizmit, dhe jo thjesht nga fakti se ai nuk kandidon ndonjë çun apo gocë të mirë.
Herën e fundit që PD-ja qeverisi Tiranën nëpërmjet Lulëzim Bashës, që në atë kohë ishte çun i mirë, nuk la ndonjë gjurmë pozitive as në qytet dhe as në jetën e qytetarëve Tiranas. Tramvaji i Tiranës ishte i vetmi premtim frymëzues që bëri Basha që do kish revolucionarizuar transportin publik në kryeqytet. Nga ky premtim Basha realizoi vetëm çmimin e biletës së tramvajit që e vendosi në 500 lekë të vjetra. Një çmim i arësyeshëm për kohën, pa dyshim.
Pjesa tjetër e qeverisjes së Bashës dhe PD-së në Tiranë ishte një vazhdim i qeverisjes Rama, me lulishte dhe hapësira publike që zhdukeshin për ti bërë vendin kullave prej betoni që shpesh ndërtoheshin më shëmtuar dhe më ngjitur me kullat ekzistuese. Pra herën e fundit që PD-ja e mori bashkinë e Tiranës qytetarët e saj nuk ndjenë aspak dorën e bashkisë për të përmirësuar jetën e tyre.
Ndaj pyetja që shtrohet sot nuk është thjesht kë do kandidojë PD-ja në Tiranë, por cili është vizioni që kjo parti ka për kryeqytetin?
Sidomos përballë vizionit të qartë Rama për ta shndërruar Tiranën në Dubain e Ballkanit, me kulla luksoze dhe arkitekturë moderne.
Është një pyetje themelore sepse deri tani Rama ka pasur një sukses të jashtëzakonëshëm në materializmin e vizionit të tij për Tiranën. Kryeqyteti ynë sot është një hapësirë ku eksperimentojnë dhe inovojnë disa nga arkitektët më në zë në Evropë. Për pasojë Tirana është bërë një atraksion dhe kuriozitet turistik në mbarë globin, si kurrë më parë.
Problemi i vizionit Rama është se nuk nuk ka në qendër të tij qytetarin por kryetarin dhe rrethin e tij të ngushtë të arkitektëve evropianë dhe bizneseve ndërtuese. Ndaj Tirana sot, ashtu sikurse edhe Dubai që ajo po imiton, është një qytet gjithnjë e më ideal për ata që kanë shumë para, dhe për tursitët që shuajnë aty kureshtjen.
Ama shumica dërrmuese e qytetarëve, që nga shtresa e mesme dhe poshtë, zhvillimin e Tiranës e ka përjetuar mbi të gjitha si shtrenjtim të nivelit të jetesës, reduktim të hapësirave publike, ndotje të ajërit, trafik, krizë parkimi, dhe një transport publik inefikas.
Planet urbane që ka prodhuar Bashkia e Tiranës kanë vënë në qendër të tyre ngritjen e kullave dhe jo plotësimin e nevojave të qytetarëve, siç janë hapësirat e gjelbërta apo stacionet e autobuzit dhe të trenit. Nëse kullat janë vendosur në qendër të Tiranës, stacionet e autobuzit që lidhin Tiranën me qytetat e tjera janë vendosur në periferinë e largët të saj, siç është TEG-u ose Kthesa e Kamzës.
Ndërkohë që Tirana ka numrin më të lartë të kullave dhe miliarderëve për frymë në rajon ajo ka edhe çmimin më të lartë të metrit katror si përqindje e të ardhurave në të gjithë Ballkanin dhe transportin publik më të dobët në rajon.
Ndërkohë që bashkia bën plane për kulla prej 200 apo 300 metrash ende nuk ndonjë plan për të bërë 200 apo 300 metra tamvaj dhe aq më pak ekziston ndonjë plan për ta bërë Tiranën me metro (nëntokësore ose mbitokësore) ose me ndonjë tjetër sistem transporti masiv në termin afatgjatë.
Në fakt nuk ekzistojnë as zgjidhje me kosto shumë më të ulët se metroja, si p.sh. një rrjet transporti publik ku autobuzët kanë një rrjet korsish të dedikuara për të evituar trafikun në rritje dhe për të ulur përdorimin e makinave. Sisteme të tilla ekzistojnë dhe kanë funksionuar edhe në mega qytete të Amerikës Latine si Bogota me 8 milion banorë, apo Medellini me 3 milion banorë, ndaj me shumë gjasa do mund të funksionojnë edhe në Tiranën tonë të vogël.
Injorimi I problemeve themelore për qytetarët, siç është transporti publik, ndodh sepse prioriteti i vizionit Rama për Tiranën nuk është mirëqenia e qytetarit të thjeshtë por maksimizimi i gjurmës që ai do të lërë në faqen e kryeqytetit. Theksi kryesor i qeverisjes Rama nuk është as tek kosto e jetesës, as tek transporti publik, as tek hapësira apo shërbimet publike, por tek inovacioni arkitekturor, monumentaliteti urbanistik dhe fitimi i ndërtuesve. Përndryshe nuk ka se si të shpjegosh se përse kryebashkiakët socialist krenoheshin me ngritjen marramendëse të çmimit të metrit katror në Tiranë.
Këtë vizion të Tiranës për botën dhe jo për qytetarët e saj e kemi tashmë gjithnjë e më të qartë. Është një model thellësisht anti-demoratik (si vetë Dubai) ku shumica dërrmuese e qytetarëve as nuk konsultohen dhe as nuk përfitojnë direkt nga zhvillimi marramendës i kryeqytetit.
Përkundrazi, kur qytetarët duan të ruajnë ndonjë lulishte apo gjurmë të kujtesës historike të kryeqytetit, sic ishte rasti i Teatrit Kombëtar, protesta e tyre injorohet dhe demonizohet. Kështu dita ditës ndërtohet një Tiranë gjithnjë e më e shtrenjtë dhe më e huaj për qytetarët e saj.
Një Tiranë që ofron komoditet për turistin e përkohëshëm por jo për qytetarin e përherëshëm. Një Tiranë që me zhvillimin e saj ofron pasurim për investuesit e pasur por që varfëron qytetarin e thjeshtë me çmimet e saj stratoferike dhe me privatizimin e hapësirës publike.
Në këtë situatë paradoksale, të një zhvillimi përjashtues, ajo që nuk duket aspak në horizont është vizioni i opozitës kryesore mbi Tiranën. Deri tani ky vizion është reduktuar tek demokratizimi i ndërtimit të kullave.
Pra idea është që kullat mos ti ndërtojnë vetëm ata që janë rreth Ramës por edhe të tjerë që i vijnë rrotull Berishës. E gjithë kritika e opozitës është përqendruar tek Rama dhe aspak tek modeli i tij zhvillimor që në esencë propozon Dubaizimin e Tiranës, dhe të Shqipërisë në përgjithësi.
Nga opozita kryesore ende nuk kemi dëgjuar se ku dhe si do shtohen hapësirat publike. Si dhe qysh do transformohet transporti publik duke e zhvendosr nga perferia drejt qendrës. Ende nuk e dimë se si vizioni opozitar do e vendosi qytetarin në qendër dhe jo në periferi të modelit zhvillimor të Tiranës, duke ndërmarrë për shembull politika që synojnë ngadalësimin e rritjes së cmimeve të apartamenteve apo të qirave.
E vetmja forcë politike që ka artikuluar një kritikë koherente dhe alternativë ndaj modelit zhvillimor Rama është Lëvizja Bashkë.
Nga të gjitha forcat opozitare është e vetmja që propozon një model ku interesi publik është më i rëndësishëm se interesi i ngushtë privat, për të ndërtuar një qytet në fuksion të qytetarit dhe jo anasjelltas.
Për këtë arësye e vetmja forcë politike që sot ka kandidat përballë Edi Ramës është Lëvizja Bashkë. Arlind Qorri nuk përfaqëson thjesht një çun të mirë Tirane, apo një djalë me dinjitet dhe parime, por mbi të gjitha një alternativë qeverisëse që e vendos qytetarin dhe jo ndërtuesin në qendër të modelit zhvillimor.
Është kjo alternativë qeverisëse që i mungon PD-së sot, si në Tiranë edhe në gjithë Shqipërinë. Ndërtimi i një alternative qeverisëse kërkon debat, mendim kritik, energji, parime, vlera dhe ideale, cilësi që janë të ndaluara prej kohësh në opozitën berishiste.
Pikërisht për këtë arësye opozita berishiste dhe aleatët e saj nuk janë të aftë të prodhojnë një kandidat serioz për Bashkinë e Tiranës. Në mungesë të një vizioni dhe alternative qeverisëse PD-ja thjesht mund ti ofrojë qytetarëve pak argëtim.
Ndaj kandidatura e Florian Binaj është vërtet një gjetje e sinqertë dhe e goditur, sidomos përballë kandidaturës së Ermal Hasimes që duhet thënë nuk të bën aspak për të qeshur.
- Shqipëria, muze gjigand natyror/ “Liqenet akullnajore të Shqipërisë”, monografia botohet nga Akademia e Shkencave - 15/10/2025
- Gaza: pauzë apo paqe? - 14/10/2025
- Anglia “pret” biletën për në Botëror, Hungaria i mohon kualifikimin Portugalisë. Fitojnë edhe Spanja e Italia. Serbia vuan me Andorrën (Rezultatet) - 14/10/2025