Nga Iris Luarasi
Në një përpjekje të dëshpëruar për të lidhur “Linjën e Këshillimit për Gra dhe Vajza” me fonde të USAID, Portali Bold News ka publikuar dy ditë më parë artikullin “Nuk më del rroga e drejtorit të TVSH, OJQ-ja e Iris Luarasit, 300 mijë USD në vit nga USAID”. Artikulli ishte botuar nën kolonën e investigimeve.
Si drejtore e Linjës së Këshillimit një nga detyrat e mia është të merrem me ngritjen e fondeve dhe një grant që nuk është i vogël, por plot 300 mijë USD paska hyrë në llogaritë e organizatës dhe unë s’e ditkam? Sigurisht që jo.
Në artikull thuhet se “Në vitin 2022, organizata që drejtoj mori një fond prej 50 mijë dollarësh nga USAID, dhe një vit më vonë edhe një fond tjetër, në shumën e 53 mijë euro”. Po vrisja mendjen se si do bëheshin 300 mijë.
Dhe Eureka!!!!
“USAID-i lëvroi 278 mijë dollarë në favor të Qendrës së Aleancës Gjinore për Zhvillim (GADC)”, vazhdon “investigimi”. Dhe meqë GADC, (një organizatë tërësisht e pavarur) në faqen saj ka shkruar se është pjesë e Rrjetit Shqiptar Kundër Dhunës me Bazë Gjinore ku një nga 5 anëtarët është edhe Linja e Këshillimit, kjo na bënte ne pa asnjë provë përfituesen e pjesës më të madhe të grantit të fituar nga GADC.
Logjika që përdor artikullshkruesi për të arritur te shifra 300 mijë USD është:
50 mijë USD në 2022, 53 mijë USD në 2023, dhe rreth 200 mijë USD i bie që ia kemi marrë grantit të akorduar Qendrës Aleanca Gjinore për Zhvillim. Domethënë GADC ka marrë 278 mijë dhe organizatës Linja e Këshillimit i ka dhënë 200 mijë. Sigurisht kjo s’ka asnje vijë logjike se po të kish pasur këtë mendje USAID na i jepte drejtpërdrejtë fondet ne.
Analizë e investigimit:
E para, dy fondet e cituara më sipër nuk është e vërtet që janë fonde nga USAID, por nga Departamenti i Shtetit. Dhe “investiguesi” e ka shumë të qartë diferencën mes këtyre dy burimeve.
E dyta, nuk është e vërtet që organizata që drejtoj ka marrë 200 mijë USD nga granti i dhënë nga USAID për GADC. E vërteta është që 0,00 USD kanë hyrë në llogaritë e organizatës që drejtoj nga ky fond. Dhe për këtë ka bilance dhe audite të dorëzuar në zyrat përkatëse.
E treta, Rrjeti që i referohet “investiguesi” ka pushuar së ekzistuari në vitin 2014 dhe për këtë thjesht mund të bënte një konfirmim, sic duhej të ndodh me cdo shkrim investigues.
E katërta, të botosh pagat e hackeruara nuk është investigim, por shkelje e ligjit për mbrojtjen e të dhënave. Aq më shumë që artikullshkruesi e ka pagën më të madhe se unë në atë listë.
E pesta, e kuptoj shqetësimin e administratorit të Boldnews Leonard Bakillari për të bërë publike dhe transparante fondet e popullit amerikan duke harruar që në listat e pagave të USAID të vendosë edhe emrin e tij sepse është në fakt një njeri i paguar nga fonde të USAID, dhe në gjykimin tim kjo nuk është turp, përkundrazi. Por s’mund ta harronte këtë informacion në kuadër të transparencës.
E gjashta, Leonard Bakillari ka marrë një cmim për gazetarinë investigative të mbështetur financiarisht nga Fondacioni Soros në Shqipëri, dhe as kjo nuk e bën “armik të klasës”.
Dhe e fundit, për të bërë gazetari të përditshme dhe jo më investigative, duhen 2 deri në 3 burime. Këtë e mësojnë që në vit të parë studentët e gazetarisë. Kështu që herën tjetër taksirat e ke që të bësh një telefon dhe të pyesësh edhe palët e interesuara se ky është detyrim dhe jo dëshirë kur pretendon se po bën gazetari.
Edhe pa fonde të USAID në këto 20 e ca vjet ia kemi dalë e do ia dalim që të ndihmojmë gratë dhe vajzat viktima të dhunës, edhe pse nuk bëjmë reklamë për punën tonë dhe nuk i shtyjmë gratë e dhunuara të na bëjnë like dhe të shkruajnë për ne, sepse hallet e tyre janë më të mëdha se këto që po trajtojmë sot. Por artikullshkruesi mund të krenohet para atyre që e kanë paguar për “investigimin” se fantazinë nuk e ka pa mungesë pjellorie. Prandaj Leonard, të qafsha matematikën dhe logjikën….
- Përshkallëzohet lufta tregtare! Hyjnë në fuqi tarifat e Trump për metalet, ‘hakmerret’ BE - 12/03/2025
- Spahiu: Gjykimet e Veliajt, Metës dhe të tjerëve duhet bëhen me dyer të hapura për publikun dhe mediat - 11/03/2025
- Pranoi armëpushimin me Rusinë, Trump: Do ta ftoj sërish Zelenskyn në Shtëpinë e Bardhë - 11/03/2025