-0.5 C
Tirana
29 / 12 / 2024

Pse nuk mund të barazohen këta me ata? Gratë në mes.

Nga Frrok Çupi

Modeli i atyre ishte i shpifur në aspektin ‘familjar’, në kuptimin ‘burrëri’, në sensin ‘barrën time s’ja ngarkoj gruas’. Këta, megjithatë, janë më keq.

Ditën që u ndodhën para prokurorit ‘ata’ deklaruan se ‘nuk e njoh më gruan’. 

Por megjithatë, për nga ligësia, ata nuk mund të barazohen me këta.

Më i fundit nga këta ishte dje, kur një kandidat ‘për çdo gjë që ka shteti’ që nga Parlamenti, deri te Bashkia, sapo prokurori i vuri para prova krimi, ai (Belo)  deklaroi ‘nuk e njoh Anën, nuk jetoj më me të’. 

Këta nuk deshën të kishin model tjetër, veçse modelin ‘ata’. ‘Ata’ ishin ata të regjimit që u përmbys në gjithë Europënsocialiste në vitet 1990. Në gjithçka, sidomos tufa njerëzore që mashtroi para popullit e tha se ‘po sjellim tjetër gjë’, në fakt grupi ‘demokratikas’ ripërtëriri më të zezën që kishte pasur diktatura komuniste. 

Kjo është njëra nga arsyet pse këta nuk barazohen me ata: Këta mbartën vetëm më të zezat e atyre, ndërsa ata kishin edhe disa të mira që tani njerëzit i ka zënë nostalgjia. 

As në pikën kur ata i shkruanin gruas “Unë të dua ty, nëse ti do Partinë”, as në këtë pikë këta nuk krahasohen. Këta janë më të pështirë. Që nga viti 1943 kanë mbetur të shkruara me ngjyrë të kuqe ato fjalë që një partizan dhe shkrimtar i shkruante të fejuarës: “Të dua ty nëse do Partinë’. Tani emri i partizanit ndodhet në një rrugë pranë stadiumit Dinamo.

Edhe plot dëshmi të tmerrshme të kohës kur çiftet ndaheshin pse njëri prej tyre kishte ‘shkelur vijën e Partisë’. 

Nuk duket mirë ta kujtoj, por më të neveritshmit ishin ata që ndodheshin më afër udhëheqësit më të lartë, sidomos ata në Bllok. ‘Nuk duket mirë’, sepse disa prej pinjollëve të tyre tani janë rreshtuar me ‘antikomunisten PD, etj’ që kinse janë ndryshe nga ‘ata’. 

Por modeli mbeti i njëjtë. Ndërsa qëllimi është tjetër për tjetër. 

Qëllimi i atyre

Të shpëtonin apartamentin në Tiranë, ose edhe në një qytet tjetër; por jo të dergjeshin në ndonjë ‘gulag’. 

Qëllimi i këtyre

Të shpëtojnë vilat dhe dhjetëra apartamente që kanë ndërtuar me para të vjedhura mbi gërmadhat e komunizmit që krenohen se e përmbysën. Vetëm Monika, në një ditë, dorëzoi në sekuestro dy vila. Nuk themi për vilat buzë detit a në Londër, a ku ta dish. Si të thuash ‘dy vila sa një kusur në bar- kafe’ për xhepat e Metës. Monika do të mbante vilat, Iliri burgun. 

Ndershmëria e tyre

Për t’i treguar Partisë se ‘jam me zemër të pastër, nuk di çfarë bën gruaja/ burri” bëhej divorci. Por vjedhje nuk kishte në asnjërën anë, punë biografie kishte.

Ndershmëria e këtyre

Sa më të ngatërruar në biografi; humbim origjinën e mallit (!). Ky i fundit, Belo, e kishte partneren nga një familje ‘beu socialist’. Edhe shoku i ngushtë i Ilir Metës, një shakaxhi show, bè demokrat, e mbante Ijën me shami, por Iliri thonë se ‘nën shami e nën gur i fshehu një pjesë të madhe’. Edhe ‘bilbili shakaxhi’ në vendin tonë bën para sa bualli, dhe ditën e fundit i thotë gruas ‘ti atje, unë këtu’. Në të gjitha rastet, pasurinë e vjedhur e mban ai që i shpëton burgut. 

Këta nuk e kanë kurrë nderin e shkrimtarit partizan që shkroi se ‘të dua ty po deshe Partinë’. Ata, të paktën e lanë ndonjë gjë të mirë (nostalgjia sot), por këta do të linin vetëm lëkurën e njeriut të vjedhur e të dhunuar prej tyre. 

Me fat që na u shfaq Drejtësia.

Këta edhe kohën e kanë përdorur si gruan; herë divorcohenme atë që ishte, herë bëjnë garë me të zezën e asaj kohe.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x