Qyteti i Korçës vijon të tërheqë gjithnjë e më shumë vizitorë vendas edhe të huaj, të cilët gjejnë mjaft tërheqëse klimën, bukuritë dhe traditën kulturore të këtij qyteti në juglindje të vendit.
Ditët e fundit Korça u vizitua nga turistë polakë, të cilët u takuan edhe me kryetarin e bashkisë, Sotiraq Filo.
Në një postim në rrjetet social Filo tha se “takimi më interesant i kësaj jave ka qenë me vizitorët nga Polonia. I surprizuar nga pasioni për aventurën dhe vlerësimi i tyre për Korçën”.
“Promovimi ndërkombëtar i Korçës si destinacion, hartimi i paketave rajonale turistike, krijimi i brandit turistik, rritja e numrit të turistëve të huaj, shtimi i ditëve të qëndrimit dhe ofertës turistike për vizitorët, janë disa nga objektivat që bashkia ka për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit në Korçë, si një nga drejtimet më të rëndësishme të ekonomisë sonë lokale”, theksoi Filo.
Vizitorët vendas dhe të huaj që vizitojnë Korçën kanë mundësi të orientohen lehtësisht në muzeumet, institucionet publike, parqet dhe vendet e tjera të vizitueshme në qytet. Në çdo kohë, turistët mund të vizitojnë të gjitha atraksionet turistike, të përfshira në turin e qytetit për të cilat orientohen lehtësisht, pasi janë vendosur tabela informuese.