31.8 C
Tirana
03 / 07 / 2026

Fjongoja e qiellit nga Marash Mirashi….

KUR PËRTHYHET NGJYRA E QIELLIT NË MAGJINË E DIKURSHME!…

Si në kohët moderne me mite e legjenda, MARASH MIRASHI – poet thur si “fjongo në qiell” brengën që pikturon dhimbjen…

NGA SPASSE THANASI

Nga pema e vjetër në oborr, “strehon” kujtimet në verandën e pikëllimit me “gjurmët”  mbi pluhurin e fëmijërisë. Nuk vjen lehtë në dëshirat e tij me ngjyrë poeti. Mundimshëm  nga “Visaret e dhimbjes” doli në “Britmat e muzgut  modern”  dhe tani  si  një  vals  lumturie  derdh  një “Fjongo në qiell”…

Marash  Mirashi  si poet i talentuar  i brezit të viteve 1990, si një gazetar i sprovuar në shumë “sfida”  jetësore e profesionale, e përthyen rrezen e pritjes dhe brengën në mitologjinë e reve, hap “gracka thellësie” mbi lëkurën e trungut  dhe nga emri mbi xham shpërndan fjongo në qiell si makinist i qytetit pa tren. I mjafton të thotë me paqe mbi ngjyrat: “Jam gjallë !”. Si një  filiz  i hollë e i brishtë ai ngre një bazorelievë poetik “gdhendur” si monument lirie me titullin e bukur “Fjongo  në qiell”. Çdo varg ka simfoninë e Nënës, tingëllon përhumbur në një lojë të përjetshme me dhimbjen :

  • “Më vjen përditë Shenjtorja ime

Nëna ime e dashur

Si mjegull ngjyer në qiell…”

E sjell këtë shtatore prej  fryme mbi mbretërinë e gjetheve e drurëve, në ajrin sipër çatisë prindërore dhe thërret fort si atëhere muzgjeve të fëmijërisë ku Toka ka lëvizur në tjetër hapësirë:

  • Ah, ju lejlekët e fëmijërisë

           Dhe ti, o dritë e Nënës time

           Që ikët kaq shpejt

           E më latë fill

           Mua, që kurrë nuk mësova vjeshtën !….”

Mes shiut e moteve të shkuar, me rrugët e dikurshme në derë të vjetër  druri, me një copë qiell si këmishë  mes shpatullave ndër vite me grushta yjesh, me lutjet në heshtje në diellin e kujtimeve, me manin e vjetër në oborrin e fëmijërisë ku shfaqet marketi i lodrave e tisi i trishtë i fantazisë, me stinën e dhimbjeve dhe mallin për tulipanët, me lojën e lejlekëve në ajër për të mësuar vjeshtën, me erën e qytetit të Lezhës, me statujat në lëvizje përmes qytetit, me malet që flasin me qiellin, me arratinë e Hënës si një vejushë me dritë të zbehtë sikur tjerr trishtimin e qiejve, me akaciet në rrapet e Pukës ku fle shpirti i Marash Palit, me faqe mbi ngjyrat ku piktori cicëron me gjuhë të kafenjtë, me plagë mbi lëkurën e trungut që krijon fjongo në qiellin gri, me emrin mbi xham ku prêt udhëtarët mbi shkëmbinjtë koralorë, endur si  makinist i qytetit pa tren mbi mitologjinë e reve që krijon figura të frikshme, poeti  Marash Mirashi i del për zot fëshfërimës së lehtë të fijeve të barit  dhe  luan  si fëmijë me  dy  lodra që banojnë në qiell, me balonë  dhe hënë. Njësoj  u gëzohet të dyja lodrave, tek rend me këmishë zbërthyer dhe sytë nga qielli :

Ti ke një lodër

Në qiell

Një balonë

Që dridhet në erë

Ke edhe një hënë

Që të ndjek !…

Po shkoj te fëmijëria

Të mbush ujë në pusin e oborrit Të pi, moshën time !….

Marash Mirashi

Poezitë  tilla si “Stina e dhimbjes pa Nënën”, “ Loja e Lejlekëve”, “Gruaja e dhunuar”, Qyteti pa librari”, “ Një kalë në shi”,  “Pemë e zhveshur në fushë”,Akaciet në rrapet e Pukës”,  “Arratisja e Hënës”, “Paqe mbi ngjyrat” etj, janë  si  rreze në  shkëmbinjtë kolarë ku poeti  prêt me shpresë baticat e kohrave  dhe në stinën e sytheve krijon një kapotë të vjetër malli si në mitologjinë e reve me frymë gulçuese dhe frymë moderne në vetëtimat e botës. Si poet me dritë, me lule, me shira dhe erë, Marash  Mirashi ngre dhimshëm valsin  e lumturisë dhe të dashurisë duke ëndërruar si i çmendur në lojën e pulëbardhave me mjegull  të kaltër. E quan “Sahara” vjeshtën  e viseve magjike  të lindjes  dhe mundohet të gjejë gjethen e fundit për të luajtur muzikë!… Si mimikë ekzotike qan mbi murin e vjetër dhe ngre strehë  në fushën e paanë. Dhe mendon  gjithnjë i trishtuar : “Bota ka marrë tjetër formë!”…

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x