13.5 C
Tirana
11 / 02 / 2026

Madrid: “Vajzat e mjegullës” në Institutin Cervantes

Carmen Noguero Galilea: Një roman i jashtëzakonshëm i Namik Dokles.

Pas prezantimit të romanit “Vajzat e mjegullës” në Qendrën e Kulturës dhe Artit në Fuenlabrada, më 15 mars, dje u bë prezantimi në Institutin Cervantes, në Madrid, institucioni qendror i Spanjës për gjuhën, letërsinë dhe kulturën spanjolle. 

 Takimin e hapi Sekretarja e Përgjithshme e Institutit, Carmen Noguero Galilea, e cila, mes të tjerash, tha: 

 “Historia e botës përjeton një kohë të veçantë dhe pluraliste. Kjo bën që në vazhdimësi, midis gjuhëve, midis kulturave të ndryshme, të mjaftojë edhe një lidhje e vetme e përvojave për të kuptuar veçantitë e tjetrit. Kjo na ndodh kur afrohemi te “VAJZAT E MJEGULLËS”, roman i jashtëzakonshëm i Namik Dokles, prezantimin e të cilit kemi kënaqësinë ta mirëpresim sot, në një përkthim mjeshtëror të Maria Roces Gonzales.

  Namik Dokle, në vetvete është një shembull i dialogut mes kulturave. Jo vetëm për veprimtarinë e tij të njohur si përfaqësues i vendit të vet në Këshillin e Europës dhe institucione të tjera të rëndësishme. Jo rastësisht ai është një nga “ambasadorët” më të mirë të spanjishtes në vendin e tij, në Shqipëri, edhe me përkthime nga autorë të ndryshëm e së fundmi edhe të romanit të Almudena Grandes. Gjatë qëndrimeve të tij në Madrid u bë ekspert i tranzicionit tonë, gjë që,  në një mënyrë ose tjetër, e thellon lidhjen që një lexues spanjoll do të gjejë në romanin e tij. Dhe “Vajzat e mjegullës” është historia e një jete të jetuar nën shtypjen e një diktature të ashpër të Enver Hoxhës. Dokle na e tregon këtë jetë nëpërmjet vështrimit të një fëmije kurioz dhe të zgjuar, që e përjeton këtë histori nën këndvështrimin unamunian, si intrahistori, pa lënë mënjanë edhe përsiatje të tjera. Këtu gjejmë memorien historike të një fshati, të një krahine, që kondensohet me atë të një kombi të tërë dhe të një pjese të Europës së shekullit të kaluar. Duke e lexuar, jo vetëm që kalojmë nëpër faqet e një letërsie të nivelit të lartë, por edhe mësojmë mbi jetën e njerëzve të Gorës, për gjeografinë e saj, për historinë, kulturën dhe traditat. Dhe, në të njejtën kohë, në këtë pasqyrë kuptojmë edhe më mirë historinë tonë.

   Mirëseerdhe, Namik, dhe është një kënaqësi që ky roman të prezantohet në Institutin Cervantes. Urojmë sukses dhe le të jetë ky një hap më shumë  në njohjen tonë me një letërsi, letërsinë shqipe, që tashmë i ka dhënë letërsisë universale emra të padiskutueshëm si Ismail Kadare, fitues i çmimit “Princi i Asturias” për letërsinë në vitin 2009, apo Fatos Kongoli, ose poetja fantastike Luljeta Lleshanaku, e cila, pavarësisht moshës së re, është njohur si poeteshë e rradhës së parë.

  Gjuha shqipe, si çdo gjuhë tjetër amëtare, i ka fjalët e përpikta për të shprehur ndjeshmërinë e saj të veçantë në një botë gjithnjë e më shumë globale. Falë përkthimit nga Maria Roces, kuptojmë sot që zëri i Namik Dokles është një nga ata që, më së miri, na ndihmon të kuptojmë vetveten.”

 Në këtë event folën edhe ambasadori i Shqipërisë në Spanjë, Gazmend Barbullushi dhe përkthyesja Maria Roces Gonzales. U lexua edhe analiza për romanin, shkruar nga Emilio Sola, historian dhe shkrimtar i shquar spanjoll.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x