Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri do të qëndrojnë dy ditë në Beograd dhe Novi Sad me përfaqësuesen e Zvicrës në futboll. Por, askush nuk do të mund t’i shikojë nga afër, shkruan të mërkurën sajti serb “alo.rs”.
Zvicra më 25 mars luan në Novi Sad ndeshjen e parë kualifikuese për Euro 2024 kundër Bjellorusisë.
Bjellorusia është nikoqire pritese në Novi Sad, pasi nuk lejohet të organizojë ndeshjet në territorin e saj për shkak të përfshirjes në pushtimin rus të Ukrainës.
Kjo ndeshje i takon grupit I të eliminatoreve për “Euro 2024”.
“Ndeshja do të jetë e mbyllur për publikun, me vendim të UEFA-s. Edhe akreditimi për gazetarë nuk do të jetë i mundur. Policia do të jetë rreth stadiumit dhe do të parandalojë çdo grumbullim pranë stadiumit ‘Karagjorgje’ në Novi Sad”, ka shkruar sajti serb.