Në nderim të viktimave të aksidentit tragjik hekurudhor që ndodhi në Larisa të Greqisë, qytetarë të Korçës, përfaqësues të Mitropolisë si dhe zyrtarë të Konsullatës së përgjithshme greke, mbrëmjen e djeshme kanë kryer homazhe dhe kanë ndezur qirinj në sheshin para Katedrales së qytetit.
Më pas, të pranishmit i janë drejtuar Konsullatës së përgjithshme greke në Korçë, aty ku kanë vendosur buqeta me lule dhe kanë ndezur qirinj për jetët e humbura në këtë aksident. Konsulli i përgjithshëm grek në Korçë, pasi ka falenderuar qytetarët e Korçës, u shpreh se në raste të tilla, fjalët janë të tepërta.
“Mbajmë zi sot bashkë me popullin mik shqiptar dhe me homogjenistët grekë këtu në Shqipëri për ngarjen tragjike të bashkëkombasve tanë në aksidentin e ndodhur në Greqi. Dua të falenderoj dhe të bëj urimet më të mira për kryetarin e bashkisë së Korçës zotin Sotiraq Filo, për këtë inisiativë shumë të vlefshme. Në këtë dhimbje të madhe të kësaj dite fjalët janë të tepërta.” ka thënë Nikolaos Y Yotopoulos, Konsulli i Përgjithshëm i Greqisë në Korçë.
Edhe për kryetarin e bashkisë Sotiraq Filo, ngjarja e Larisës është një ngjarje e rëndë edhe për 6 familjet shqiptare.
Të shumtë kanë qënë qytetarët korçarë që u janë bashkuar homazheve. Ata kanë shprehur ngushëllimet e tyre për viktimat e kësaj ngjarjeje të rëndë.
Edhe paraditen e së dielës, një grup qytetarësh korçarë kanë ndezur qirinj dhe vendosur buqeta me lule në sheshin para Katedrales së qytetit.
Ka qënë një thirrje nga Zëri i emigrantëve me qendër në Selanik që ka bërë bashkë qytetarë dhe emigrantë të cilët janë solidarizuar me dhimbjen e atyre që humbën familjarët dhe njerëzit e dashur në këtë aksident tragjik.