10.5 C
Tirana
16 / 02 / 2026

HISTORI TË  PARRËFYERA/ Projekti “BGFIEND”, pjesa e dytë

Nga Genci Gjikaj

PROLOG

Janë disa ngjarje në historinë e Shqipërisë Komuniste që nuk mund të harrohen.

Të ndodhura në rrethana të pabesueshme ato ngelen si një obelisk “i gjallë” kujtese për breza të tërë.

Pena.al ka për qëllim të rikthejë në vëmendjen e publikut këto ngjarje, të cilat ndoshta për vitet kur ndodhën ishin shumë vështirë të fliteshin dhe aq më tepër të botoheshin në një faqe gazete. Ngjarje të vërteta që patën impakt në shoqërinë e traumatizuar shqiptare të asaj kohe.

…………………………………………………………………………………………………………………………..

PROJEKTI “BGFIEND” Pjesa e dytë (e fundit)

Antikomunizmi në Veri


Është marrë përkthimi i parë i një letre të shkruar me bojë nga grupi Pine. Letra është shkruar më 5 gusht dhe ishte e dyta nga ky grup, por e para që mundi të arrijë në Athinë. Në letër flitet për lëshimin e furnizimeve të korrikut (i pari nga tre lëshime të suksesshme për këtë grup) dhe raporton se grupi është aktiv dhe i paprekur. Në të përmendet ndjenja e gjerë anti-komuniste në Veri të vendit si dhe një organizatë e njohur si Liria e Shqipërisë dhe Përmbysja e Komunizmit. Nuk jepeshin më shumë detaje përveçse lëvizja përbëhej nga ushtarakë dhe civilë. Letra mbyllej me shprehjen se populli i Shqipërisë së Veriut dëshiron një zonë izolimi të ndarë nga pjesa tjetër. Kreu i projektit beson se kjo letër është një arritje e konsiderueshme në zhvillimin e rrjetit të agjentëve në operacionin BGFIEND. Stabilizimi i këtij grupi i jep operacionit një korridor për kalimin e furnizimeve dhe njerëzve të tjerë në Veri të Shqipërisë. Së shpejti pritet të lëshohet një agjent operator radio me grupin, mundësisht nga mesi i tetorit.

Është inkurajues fakti që grupi ka ndjekur të gjitha direktivat e tij dhe vendos besnikërinë ndaj vendit të tyre para asaj të partisë. Është marrë një raport i gjerë mbi grupin Cypress, të cilët dolën nga infiltrimi në Shqipëri në 15 gusht, i cili po studiohet me imtësi. Në raport ka observime të rëndësishme nga agjentët. Ata komentojnë se anëtarët e grupit nuk kishin besim te komiteti NCFA, pasi oficerët e NCFA nuk shoqëronin grupet. Anëtarët e grupit theksonin se megjithëse ishin pritur mirë nga shqiptarët që kontaktuan, ata nuk ishin në pozitë për të kryer detyrat e tyre pa një zyrtar të arsimuar e të respektuar të NCFA. Përveç kësaj, ata ndjenin se “junta” e NCFA kishte thyer marrëveshjen me agjentët e operacionit BGFIEND për caktimin e njerëzve në operacion, dhe se qasja e tyre bazohej mbi anësinë politike dhe jo në besnikërinë ndaj operacionit. Gjithashtu, mungesa e sigurisë dukej qartë nga fakti se familjet e njerëzve që merrnin pjesë në aksion ishin marrë në pyetje nga Sigurimi përpara arritjes së tyre në zonë, si dhe nga fakti se zona e lëshimit ishte e ditur nga autoritetet shqiptare. Grupi i shpëtoi eliminimit të sigurtë duke u lëshuar disa milje larg zonës së planifikuar të lëshimit. Më 13 shtator, NCFA në Nju Jork transmetoi një kabllogram për regjimin e Enver Hoxhës ku ofronte ndihma ushqimore për popullin shqiptar, të cilat të mbikëqyreshin nga një grup i paanshëm.

Meqënëse asnjë përgjigje nuk është marrë deri më sot, mesazhi po përsëritet në radio dhe në shtyp, duke përmendur edhe mungesën e bashkëpunimit të regjimit të Hoxhës. Kabllogrami do të jetë edhe pika kryesore e broshurës së ardhshme për lëshim, si dhe hapi i parë për programin e lëshimit të të mirave materiale në Shqipëri.Operacionet shqiptare të degës së OPC po kryhen në baza të përbashkëta me agjencinë përkatëse të qeverisë britanike. Vendimi për të hyrë në këtë marrëveshje të përbashkët u nxit nga shqyrtimi i politikave dhe nga rrethanat aktuale që u zhvilluan gjatë hyrjes së OPC në fazën aktive të operacioneve. Sa i përket politikave, ishte konkluzioni i planifikuesve të operacioneve shqiptare se instrumentet në dorë të SHBA për ekzekutimin e politikës së saj ndaj Shqipërisë nuk mjaftonin në vetvete, prandaj duhej kërkuar dhe marrë mbështetja e plotë e qeverisë britanike. Konkluzioni u mbështet edhe nga Departamenti i Shtetit, që ka thënë se dokumentet e politikave se “qeveria britanike duhet fillimisht informuar mbi zhvillimet, me qëllim kuptimin e mendësisë së britanikëve për problemin shqiptar dhe arritjen e një marrëveshjeje të plotë për programin dhe politikat”. Përveç kësaj, diskutimet paraprake me zyrtarë të stabilimentit ushtarak sollën shqetësimin se Britania po përdor situatën aktuale në Shqipëri për zmadhimin e influencës së tyre në Ballkan, në Itali dhe në Mesdheun lindor, në kurriz të interesave të SHBA dhe gjithashtu në dëm të ndalimit të zgjerimit të influencës sovjetike.

Duke marrë në konsideratë këto politika, OPC zbuloi se jo vetëm britanikët ishin përfshirë në përpjekje aktive për rifitimin e prestigjit të tyre në Greqi, por edhe se ishin në fazat e para të një operacioni në Shqipëri, i cili dyshohet se ka si qëllim forcimin e pozitës së tyre në Greqi. Prandaj, për këto arsye, OPC ftoi britanikët të nisnin operacione të përbashkëta në Shqipëri. Ishte e qartë se britanikët po përgatiteshin të vazhdonin me operacionet e tyre sido që të ndodhte, me apo pa pranimin tonë. Operacionet e veçanta amerikane dhe britanike do të krijonin konfuzion të madh në Shqipëri me pasoja negative sigurie, dhe rrjedhimisht do të sillnin konkurrencën mes dy agjencive për të fituar mbështetjen e elementëve shqiptarë dhe zonave gjeografike, çka do të vinte në rrezik të gjithë operacionin, pasi Shqipëria nuk është aq e madhe sa të përballojë përpjekjet e dy fuqive për kontroll të popullsisë dhe territorit.

Rrjedhimisht u zbulua se Britania nuk e fshihte identitetin në sponsorizimin e operacioneve të saj, duke treguar se kishte vërtet qëllime të zgjerimit të hapur të influencës në rajon. Përveç kësaj, ishte e qartë se britanikët ishin më të avancuar në operacionet e tyre sesa OPC, prandaj u mendua se duke hyrë në operacione të përbashkëta do të eliminoheshin aspektet e influencës britanike, dhe ata nuk do të mund të merrnin avantazhe të pamerituara nga operacioni. Parashikohet gjithashtu se megjithë marrëveshjet e bashkëpunimit mes nesh, do të ketë njëfarë konkurrence për pozita mes amerikanëve dhe britanikëve dhe ndoshta pasoja pas çlirimit të mundshëm të vendit. OPC mendon se edhe nëse ka konflikte të tilla, do të jetë shumë më mirë nëse ato kufizoheshin në zona ku të mos dallohen nga shqiptarët apo krerët sovjetikë të Shqipërisë, duke mos komplikuar qëllimet e aktiviteteve. Ishte e qartë prej fillimit se vetëm marrëveshjet e ndërlidhjes nuk do të mjaftonin për arritjen e qëllimeve dhe vendosjen graduale të dominimit tonë në operacion .ishte e qartë se duke parë mungesën e zonave të dominuara nga amerikanët në Mesdhe, ne duhet të mbështeteshim në plane alternative, sipas komplikacioneve politike mes grekëve dhe italianëve për Shqipërinë.

“Provokacioni” grek i 2 gushtit 1949/ Agresion luftarak për pushtim


Sipas dokumenteve faktike, në sulmin e 2 gushtit 1949, grekët përdorën kundër Shqipërisë ushtrinë me topa, avionë, ushtri tokësore e gjithçka që përdor çdo ushtri që synon të pushtoj një vend tjetër. Ushtria shqiptare, madje edhe populli i cili në regjimin “hoxhist” quhej “popull ushtar e kufitar vigjilent”, iu kundërpërgjigj sulmit pushtues grek, me luftë të armatosur, në mbrojtje të kufijve e trojeve që u sulmuan. Ishte një luftë e përmasave dramatike.

Ndërsa Greqia vërsuli drejt Shqipërisë mbi 70 mijë forca të armatosura, mbi 50 avionë, 80 tanke dhe një skalion artilerie me afro 400 gjuajtës, kryesisht topa, shteti shqiptar mobilizoi dhe futi në luftën mbrojtëse 10 mijë ushtarë, ndërkohë që po mbante në gatishmëri edhe 30 mijë trupa të tjerë pranë zonës së sulmuar.

Siç dihet, Greqia ka pasur historikisht pretendime e synime për rrëmbim territoresh shqiptare, të cilat në 100 vitet e fundit i ka manifestuar edhe me provokacione e diversione ushtarake, duke tentuar të zaptoj forcërisht trojet shqiptare. Këto diversione e sulme ushtarake, kanë qenë sistematike veçanërisht pas shpalljes së pavarësisë në vitit 1912 dhe sidomos pas vitit 1913, kur “Konferenca e Londrës”, caktoi kufijtë zyrtar shqiptar, duke mbyllur kapitullin e kufijve mes Greqisë e Shqipërisë.

Një nga aktet më famëkeqe luftarake greke kundër Shqipërisë, ka qenë sulmi ushtarak i nisur në 2 gusht 1949 në jug të vendit, me objektiv pushtimin dhe aneksimin me forcë të asaj toke shqiptare, që grekët e quajnë “Vorio-Epir”. Pas Luftës II Botërore, Greqia u zhyt në një luftë civile, e cila u ashpërsua gjithnjë e më tepër, derisa në vitin 1949 Stalini pranoi të ndërpriste mbështetjen për forcat partizane komuniste, duke respektuar kështu “Marrëveshjen e Jaltës”, e cila parashikonte mbetjen e Greqisë nën influencën britanike. Në këto kushte, brenda pak kohe partizanët grekë u vendosën në pozicione tërheqjeje, duke u grumbulluar përfundimisht përreth malit të Gramozit, zona e fundit të zotërim të tyre. Këtu ata përballuan për shumë kohë sulmet e forcave qeveritare monarkiste, duke pasur edhe ndihmën e furnizimeve të fshehta sovjetike, që ju mbërrinin nëpërmjet kufirit shqiptar. Trupat monarkiste greke atëherë shkelën territorin shqiptar, me qëllim bllokimin e këtij kanali furnizimi dhe për të goditur edhe në shpinë forcat komuniste. Këtu fillon edhe konflikti midis ushtrisë shqiptare që mbronte kufirin e vet dhe ushtrisë greke, konflikt i cili ka hyrë në histori me emrin “Provokacionet e Gushtit”. Përpjekjet midis palëve vazhduan me ndërprerje nga 2 gushti deri në 5 shtator 1949 në zonat e Bilishtit, Kapshticës, Leskovikut dhe Konispolit, duke i shkaktuan Shqipërisë qindra civilë dhe ushtarë të vrarë, si edhe dëme materiale në fshatrat e kufirit. Gjithashtu dhe forcat monarkiste greke, lanë dhjetëra ushtarë të vrarë në territorin shqiptar, madje edhe robër lufte.

Greqia sulmoi në 2 gusht 1949, pas 8 muajsh provokacione ushtarake në kufi


Sipas fakteve historike, shteti shqiptar e mësoi lajmin për sulmin e forcave ushtarake greke në 2 gusht 1949, në fillim të korrikut 1949, por në fakt, ushtria ishte vendosur në gatishmëri të plotë, mbasi ushtria greke kishte afro 8 muaj që kishte “vënë në shënjestër” kufirin shqiptar të zonës Leskovik-Korçë, duke sajuar e nxitur provokacione ndaj kufitarëve shqiptarë, duke përdorur banorë e agjentë të shërbimit sekret përgjatë vijës kufitare, të cilët krijonin konflikte provokuese me forcat, ose banorët tanë të zonës kufitare. Ushtria shqiptare e cila nuk e mendonte kurrë se Greqia do të sulmonte, gjithsesi e vendosur në vijën kufitare, zhvillonte stërvitje si për situatë të plotë e reale lufte mbrojtëse.

Prezent në këta manovra luftarake që drejtonin ushtrinë ishin të 330 oficerët e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, së bashku me këshilltarët sovjetikë, me në krye shefin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral-major Beqir Ballukun. Përpara fillimit të manovrave, kujton pjesëmarrësi i asaj lufte Skënder Malindi, atje shkoi dhe Enver Hoxha, por që qëndroi vetëm pak minuta dhe u largua, duke dhënë porosi sekrete “në vesh” për majorët dhe gjeneralët e lartë të ushtrisë, që ai kishte ngarkuar për të përballuar situatën. Ndërsa 10 mijë ushtarë e oficerë të gjithë rangjeve ishin në stërvitje, kupola e ushtrisë shqiptare dha alarmin e për gatishmëri luftarake, mbasi grekët do të sulmonin tokën shqiptare. Planin, ditën dhe orën e sulmit të ushtrisë greke e kishte zbuluar Divizioni i 8-të i Korçës, nëpërmjet përgjimeve dhe “agjentëve specialë” që vepronin në të dy anët e kufirit në shërbim të shtetit e ushtrisë shqiptare.

Grekët kishin 8 muaj që bënin provokacione në kufirin shqiptar. Pasi nuk kishin mundur të shkaktonin acarim të palës shqiptare për nisje konflikti, krejt të dëshpëruar dhe të acaruar, në 2 gusht 1949, sipas informacionit të saktë, ata nisën sulmin ushtarak, duke goditur me mortaja dhe artileri kodrën “1309” mbi fshatin Vidohovë, nga predhat e të cilave u vranë 2 oficerë dhe 6 ushtarë, ku njeri nga oficerët e vrarë ishte kapiten Memo Nexhipi, nga fshati Dukaj i Tepelenës, tashmë “Hero i Popullit”. Por si filloi dhe si u realizua ky sulm. Në mëngjesin e 2 gushtit 1949, në orën 04.30, në zonën e Bozhigradit (Mirasit) filloi përgatitja me artileri e forcave ushtarake greke, të dislokuara përgjatë kufirit me Shqipërinë. Predhat ranë deri 300-400 m në thellësi të territorit shqiptar. Në orën 05:00 filloi sulmi i fanterisë greke me 3 batalione të Br.51F dhe Br.52F të D1F, të mbështetur nga një Regjiment Artilerie dhe një skuadrilje aeroplanësh gjuajtës, të tipit “Spitfiter”, me bazë në aerodromin e qytetit Kastoria. Ata sulmuan kuotat 1309 dhe 1425 që ndodheshin 100 m në thellësi të territorit shqiptar, në sektorin e postës kufitare Vidohovë-Bilisht. Sulmi i tyre u ndesh në mbrojtjen e rojeve të kufirit shqiptar, të cilat nuk ishin më shumë se një togë. Pra, kaq ishte efektivi i postës kufitare Vidohovë, i armatosur kryesisht me pushkë e automatik si dhe me 3 mitralozë të rëndë e 4 të lehtë.

Pena.al

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x