Nga Genci Gjikaj
PROLOG
Janë disa ngjarje në historinë e Shqipërisë Komuniste që nuk mund të harrohen.
Të ndodhura në rrethana të pabesueshme ato ngelen si një obelisk “i gjallë” kujtesë për breza të tërë.
Pena.al ka për qëllim të rikthejë në vëmendjen e publikut këto ngjarje, të cilat ndoshta për vitet kur ndodhën ishin shumë vështirë të fliteshin dhe aq më tepër të botoheshin në një faqe gazete. Ngjarje të vërteta që patën impakt në shoqërinë e traumatizuar shqiptare të asaj kohe.
…………………………………………………………………………………………………………………………..
Personazhet e Lirisë
Pak histori
Kontakti i shqiptarëve me kinematografinë ka ndodhur kohë më parë se të lindte prodhimi kinematografik shqiptar. Sipas burime historike takimi i parë i shqiptarëve me kinemanë ka ndodhur pas fitores së pavarësisë politike. Shfaqja e filmave në Shqipëri lidhet me një emër shumë të njohur në kulturën shqiptare, i vlerësuar si një nga themeluesit e pikturës, Kolë Idromeno. Në të përditshmet e vitit 1913, gjejmë edhe reklamat për filmat që do të shfaqeshin si “La prima notte degli sposi”, “Raffaele, un detective molto saggio” etj. Në vitet mes dy luftrave botërore në Shqipëri do të lindin edhe kinematë e para në të cilat transmetohen filmat e kohës më aktorët e shquar Charlie Chaplin, apo Greta Garbo.
Kinemaja e parë u hap në qytetin e Korçës, në vitet 1935-1936 me emrin Majestik. Kjo kinema themelohet nga vëllezërit Manaki të cilët vlerësohen si kineastët e parë në Ballkan. Filmimet dhe projektimet e para kanë të bëjnë me ngjarje të rëndësishme nga jeta e qytetit siç janë Karnavalet. Në shtypin e kohës lajmërohet se do të nisin xhirimet për një flim mbi heroin kombëtar Skënderbeun, por ky film nuk u realizua. Në vitin 1942 prodhohet filmi i parë dokumentar “Bijtë e shqipes së Skënderbeut” i Mihallaq Mones, i pari regjisor i kinemasë shqiptare.
Pas luftës së dytë Botërore në Shqipëri u instalua dhe nisi të funksionojë sistemi komunist, i cili e vlerësonte artin si një hallkë shumë të rëndësishme të propagandës politike dhe partiake. Patjetër që kinematografia ishte arti më masiv dhe më i ndjekur nga publiku. Në këto vite nis edhe zgjerimi i rrjetit të kinemave. Përveç atyre të trashëguara shtohen edhe kinema të reja pothuaj në të gjithë qytetet kryesore por sidomos në Tiranë.
Çensura ishte një instrument shumë funksional që zbatohej me përpikmëri nga institucionet përkatëse, gjithsesi përmes filmave me aktorët e njohur botërorë, që kishin arritur të skalisnin personazhe të pavdekshëm, që jetonin gjatë në memorien e publikut, kinemaja mundi të sjellë një fllad lirie në ato kohë të vështira. Aktorë të mëdhenj me rolet e tyre ikonë, u bënë inspirues dhe shembuj për publikun e gjerë në Shqipëri. Shpeshherë ata imitoheshin prej njerëzve në mjedise nga të larmishmit, vende pune, shtëpi, shkolla, sheshe, bulevarde e rrugica. Mënyra sesi ata visheshin, sesi ata lëviznin, apo qëndronin, si flisnin, si i mbanin flokët, mbeteshin modele qe publiku shqiptar, por sidomos rinia përpiqeshin t’i ndiqnin, edhe pse kjo ishte e rrezikshme, e madje e dënueshme si shfaqje e huaj nga sistemi komunist.
Në rrjedhë të viteve çdo brez ka patur heronjtë e tij kinematografikë, që realizoheshin nga aktorët më të dashur dhe më të famshëm. Megjithëse gjeneratat ndryshonin, për pasojë edhe parapëlqimet estetike dhe artistike, një gjë mbetej konstante, interesi i jashtëzakonshëm për filmin dhe kinemanë. Ende sot mbahen mend rradhët epike që publiku duhet të përballonte për të patur një biletë, apo edhe ekzistenca e tregut të zi ku ato shiteshin ca më shtrenjtë. Reagimet e publikut ishin gati gati aktoriale përgjatë shfaqjes së filmit, pra një përjetim shumë i thellë i subjektit, personazheve, konfliktit etj.
Ndërkohë, sidomos nga vitet 70-të e në vijim, një pjesë të mirë të filmave publiku shqiptar përpiqej dhe arrinte t’i shihte përmes televizioneve të huaja. Edhe kjo ishte një aventurë më vete, sepse rishtas duhej të sfidoje “vigjilencën revolucionare”, por pas përpjekjesh të vazhdueshme mund t’ia dilje të shfaqje në ekran ndonjë kanal italian, apo jugosllav, sidomos në verë. Atëherë gëzimi ishte pa cak.
Mes cikleve që ngjallën interes të jashtëzakonshëm te publiku shqiptar, me personazhe që asokohe të bënin për vete, mund të përmenden filmat e ndryshëm të “romanticizmit italian dhe me gjerë europian”, filmat epiko-heroikë, me motive nga lashtësia apo mitologjia të Hollivudit dhe të Cine Cita-s në Itali, ciklet e famshëm të “western spaghetti”, filmat serial bazuar në temën e mafias ku kryet e vendet e zuri “Oktapodi”, që nisi me regjinë e Damiano Damianit. Titujt janë të shumtë: “Zotnia 420”, “Vagabondi”, “Herkuli kundër Romës”, “Trimëritë e Herkulit”, “Semiramida e Babilonisë”, “Gjigandi i Rodit”, “Katedralja e Parisit”, “Rroku dhe vëllezërit e tij”, “Me duar të pastra”, “Dy njerëz të një qytetit”, “Vrasës me dorashka”, “Zhos Profesionisti”, “Gruaja më e bukur”, “Viva Zapata”, “Për një grusht dollar më shumë”, “I miri, i keqi, i ligu”, “Më mirë një mik sesa një thesar” etj.
Në të gjithë këto filma gjendeshin personazhe ku një pjesë e mirë e publikut reflektonte veten, apo kërkontë në një farë mënyre njësimin me ta sigurisht në rrafshin shpirtëtor, apo psikologjik, sepse në atë konkret mbetej thjesht iluzion. Vijnë ndër mend Vagabondi i famshëm i viteve 60-të, Semaka, Miklovani, Herkuli, Maciste, Kiri, Semiramida, Esmeralda dhe Kuasimodo, Francesca Cimarosa dhe Vito Juvara, Zhosi, Xhino Strablixhi, Katani, Terrazini, Santucio etj.
Publiku shqiptar shihte te këta personazhe jo vetëm fatin e tyre, por përjetonte tok me ta një fllad lirie, shijonte një realitet tjetër, projektonte në një farë mënyrë një të ardhme që duhet të vinte.
VIJON…
- Sot seancë plenare në Kuvend, projekt-buxheti 2026 do të shqyrtohet tek “Ekonomia” - 06/11/2025
- Demokrati Zohran Mamdani zgjidhet kryebashkiak i Nju Jorkut, i pari mysliman në histori - 05/11/2025
- Progres raporti i KE, Rama ndan deklaratën e Marta Kos: Do të bëjmë gjithçka për t’u ulur si të barabartë në tryezën e BE - 04/11/2025