Nga Genci Gjikaj
PROLOG
Janë disa ngjarje në historinë e Shqipërisë Komuniste që nuk mund të harrohen.
Të ndodhura në rrethana të pabesueshme ato ngelen si një obelisk “i gjallë” kujtese për breza të tërë.
Pena.al ka për qëllim të rikthejë në vëmendjen e publikut këto ngjarje, të cilat ndoshta për vitet kur ndodhën ishin shumë vështirë të fliteshin dhe aq më tepër të botoheshin në një faqe gazete. Ngjarje të vërteta që patën impakt në shoqërinë e traumatizuar shqiptare të asaj kohe.
…………………………………………………………………………………………………………………………..
VITET 70 – “VETMIA E MADHE”
GODITJA SHËNDETESORE E ENVER HOXHËS (1973)
Në tetor të vitit 1973 pasi kishte përfunduar pritjet festive me rastin e 65 vjetorit të ditëlindjes së tij Enver Hoxhës iu shfaq një kolaps i rëndë. Mjekët eksperte e diagnostikuan atë me infarkt të miokardit. Një infarkt i rëndë dhe mjaft shqetësues por falë ndërhyrjes dhe kujdesit të shpejtë dhe maksimal të mjekëve goditja e parë dhe më e rrezikshme u përballua me sukses.
Menjëherë pas kësaj u vendos nga Byroja Politike që për Enver Hoxhën të kujdesej një grup mjekesh specialist si Fejzi Hoxha, Petrit Gaçe, Isuf Kalo, Ylli Popa, Ahmet Kamberi, Hajro Shyti, Panajot Boga, Arben Fino, Ylli Shtylla etj.
U vendos gjithashtu që të kishte një shërbim mjekësor prej 24 orësh. Ky shërbim vazhdoi prej 12 vitesh deri në vdekjen e Enver Hoxhës.
Fillimisht grupi i mjekëve u vendos shumë pranë Vilës nr.4, pranë Pallatit të Brigadave në Sauk, ku banonte përkohësisht Enver Hoxha dhe familja e tij, pasi në ato kohë ishte marrë vendimi për ngritjen e shtëpisë së tij të re në qendër të Bllokut. Sulo Gradeci, kujton se grupi i mjekëve, gjatë kësaj periudhe të tensionuar u vendos pikërisht në ambientet e Shkollës së Ministrisë së Brendshme. Në këtë mënyrë, për çdo rast të ngjashëm, apo dhe për forma më të lehta të shfaqjes së sëmundjes, ata do të ishin të gatshëm pranë shtratit të Enver Hoxhës, vetëm në pak sekonda nga marrja e lajmërimit. Ndërkohë njëri nga mjekët bënte shërbimin e rojës fare pranë Enver Hoxhës, në dhomën përbri. Ndërsa, kur Vila e re në mes të Bllokut, e pagëzuar me numrin 31, u inaugurua më në fund, grupi i mjekëve roje u vendosën gjithashtu po shumë afër shtëpisë, në fund të lulishtes, ku ishte një godinë enkas për shërbimin mjekësor.
Menjëherë pas kësaj sëmundjeje rishfaqet më hakmarrëse se kurrë paranoja e diktatorit.
Ai organizon Plenumin e 4-t të Komitetit Qendror që u zhvillua në qershor të vitit 1973 dhe që pati zanafillën te Festivali i 11-të, plenum që, siç e pamë, shërbeu për të nisur sulmin kundër ‘ndikimeve të huaja e qëndrimeve liberale ndaj tyre, si dhe veprimtarisë armiqësore ndaj të F. Paçramit dhe T. Lubonjës’
Ishte një hakmarrje që do pasonte më vonë dhe me goditjen e grupeve armiqësore në ekonomi (nafta), si dhe me grupin puçist në ushtri ku goditi një nga bashkëpunëtoret e tij më të afërt Beqir Ballukun..
Për këto probleme, raportin e mbajti vetë Enver Hoxha, dhe jo Ramiz Alia, të cilit i takonte si sekretar për Kulturën dhe Propagandën në KQ këtë radhë, siç pohon ai në libër, ai duhej të jepte llogari për gabimet që kishin ndodhur në sektorët që drejtonte. Dhe jo vetëm kaq. Fati i tij, duke u nisur nga dënimet që ndërmori Enver Hoxha ndaj të mësipërmve, ishte në fije të perit, pra varej nga diktatori i tmerrshëm.
Ndaj Ramiz Alia në librin e tij shkruan: “Disa herë më kanë pyetur se si është mundur që kam shpëtuar me kaq, pra pa u përfshirë në ‘listën’ e armiqve të Partisë, në Plenumin e 4-t dhe më pas.
Përgjigjen e jep po vetë në këtë mënyrë: ‘Thuhet se Enveri më kishte ‘zgjedhur’ si zëvendësin e tij, prandaj më ka mbrojtur… Thuhet gjithashtu se ka ndikuar shoqëria ime me Nexhmien, ose edhe krushqia, meqenëse mbesa ime është martuar me Ilirin, djalin e Enverit’. (Po aty). Dhe, për të treguar se si Enveri dhe Nexhmia ishin me njëri -tjetrin ‘alter ego’ pra, Nexhmia për të ishte ‘një tjetër unë’, me fjalë të tjera, ishin njëlloj, ai- sër dhe ajo ledi Makbeth, ose edhe më saktë, ‘motër e vëlla siamezë’, Ramiz Alia vazhdon: ‘Edhe këtë nuk e besoj, sepse si Enveri, ashtu edhe Nexhmia nuk janë ‘zmbrapsur’ në vendimet e tyre as nga ‘kushërinjtë’ dhe të afërmit.
ARENA NDERKOMBETARE
KINA FINANCON GRUPET MARKSISTE – LENINISTE
Në këtë periudhë vihet re një aktivizim i Kinës së Maos për të ndihmuar financiarisht grupet marksiste leniniste në Evropë dhe më gjërë si partnerë gjeopolitik në rrugën e tyre drejt hegjemonizmit botëror, duke i frymëzuar ata me teorine e re të “3 botëve” që binte ndesh me teorine e izolimit politik duke e justifikuar këtë veprim si një revolucionarizim të politikës komuniste që pretendohej që udhëhiqej nga ata.
Kësaj gjëje i sherbeu gjithashtu vizita e Richard Nikson në Kinë. Në këtë kohë presidenti i SHBA ndermori një tur botëror si rrjedhojë e fushatës së tij elektorale për ta prezantuar veten përballë elektoratit amerikan si negociator i çështjeve ndërkombëtare.
Kjo gjë i shkonte për shtat politikës së jashtme kineze e cila ishte në “luftë të ftohtë” me atë sovjetike. Ky ndryshim radikal në politikën e jashtme të Kinës po shkaktonte gjithnjë e më shumë alarm në Moskë.
Taktika e re e vetëvendosjes së kombit dhe shtetit mbi ideologjinë marksiste-leniniste ka rritur ndikimin e Pekinit, veçanërisht në vendet që kanë marrëdhënie të këqija me Moskën. Për shembull, ndërsa Rusia përplaset me Sudanin, që u pasua dhe nga një grusht i dështuar shteti, Kina ka marrëdhënie shumë të mira me qeverinë e Khartumit. Si rezultat i kësaj, ndikimi i Pekinit në kontinentin afrikan është shtuar. Ofensiva diplomatike e Mao Ce Dunit dhe kryeministrit Çun En Lai kundër Leonid Brezhnjevit dhe njerëzve të tij në Kremlin nuk është kufizuar vetëm brenda vendeve komuniste, por ka marrë përmasa ndërkombëtare.
Lufta e Kinës për të fituar zona influence është zhvendosur nga periferia drejt zonës politike botërore, në zemër të perandorisë ruse, Ballkan. Vizita e ardhshme e kryeministrit Çu En Lai në Jugosllavi, Rumani dhe Shqipëri, ka rritur shqetësimet në Moskë për krijimin e boshtit Pekin-Beograd-Bukuresht-Tiranë. Por Kina nuk mund të shndërrohej menjëherë në një rivale të ardhshme politike dhe ushtarake e Rusisë në Ballkan dhe Evropën Perëndimore. Udhëheqësit e Kremlinit frikësoheshin se politika e Pekinit po gërryen unitetin e “komunitetit socialist”, duke nxitur evropianolindorët që të bëhen më të pavarur nga Moska.
Presidenti Nikson duket se i kuptonte dhe vlerësonte shqetësimet e botës komuniste. Ai do të shkonte në Pekin për të matur pulsin e kinezëve misteriozë dhe të kuptonte deri në fund çarjen e tyre me Bashkimin Sovjetik. Ai u nis dhe me një mision tjetër, për të zgjidhur çështjen vietnameze.
Më pas presidenti do të udhëtonte drejt Moskës, në një përpjekje për të siguruar udhëheqësit gjithnjë e më të dyshimtë të Kremlinit se afrimi Uashington-Pekin nuk është një koalicion amerikano-kinez i drejtuar kundër Bashkimit Sovjetik.
CILËT ISHIN MIQTË NDËRKOMBËTARË TË DIKTATORIT?
Revolucionarët kubanezë
Vizita e Che Guevara në Tiranë
Ernesto (CHE) Guevara e ka vizituar Shqipërinë në fillim të viteve 60 në rrethana mjaft të çuditshme dhe misterioze. Shtypi perëndimor e paraqiste si një figurë terroristi, gati-gati të çmendur, ndërsa shtypi i disa prej vendeve të Lindjes e jepte krejt ndryshe: e paraqiste si një mjeshtër të guerilëve, si një ndezës i shkëndijave revolucionare, si një revolucion shëtitës!…
Vizita e tij u bë e fshehtë, sepse kështu ishte kërkesa e tij. Che Guevara mbahej në atë kohë si vërtet një revolucionar, por si të thuash, revolucionar i një tipi të veçantë. Afërsisht i atij formimi ishte edhe Fidel Castro…
Nga kujtimet e atyre qe e shoqëruan thuhet se: Che qëndronte i heshtur. Ndoshta ndihej i lodhur, ndoshta i vetmuar, në një vend krejt të panjohur për të.
Che nuk ishte më i madh se tridhjetë e dy vjeç, me një fytyrë plot qime e me sy të ndritshëm. Ai mundohej të fuste në dritën e vështrimit të tij sa më shumë hapësirë nga natyra e Tiranës.
Ai erdhi në Shqipëri në mënyrë ekskluzive që të takohej me Kryeministrin e kohës Mehmet Shehun. Vizita ishte tepër konspirative. Ishte një vizitë që kryhej sa për mirësjellje, ngaqë nuk mund të refuzohej nga pala shqiptare. Ishte një vizitë, siç mund ta gjykoj tani, për t’i dhënë mikut kuban një përvojë shqiptare, ndoshta për t’i korrigjuar ndonjë ide rreth mënyrës se si piqen e shpërthejnë natyrshëm revolucionet popullore.

Ish ambasadori i Shqipërisë në Kubë, Gjinikasi që e shoqëroi atë në Tiranë kujton:
“Vetura na zbriti drejt e përpara dyerve të Kryeministrisë. Gjithçka ishte sajuar në atë mënyrë që mysafiri të paraqitej te kryeministri shqiptar si një mik i huaj i popullit tonë. Edhe shtypi, siç do të vihej re më vonë, do t’ia kalonte heshtjes këtë ngjarje politike. Madje, nuk do të kishte as koment zyrtar. Në ekspozenë e tij, Che Guevara paraqiti një pasqyrë të shkurtër të asaj që kishte çuar në përmbysjen e diktaturës së Batistës (Fulgencio Batista Zaldívar) dhe në fitoren e revolucionit. Ndërkohë, ai shfaqi disa nga pikëpamjet lidhur me ndezjen e revolucionit dhe hedhjen e popujve në flakët e luftës për liri dhe drejtësi shoqërore.
Che, me sa merrej vesh, rëndësi i kushtonte rolit përcaktues të revolucionarëve të vendosur, duke parë tek këta të fundit faktorin numër një të përmbysjeve të mëdha revolucionare dhe si shembull konkret jepte Kubën. Nuk ishte e vështirë të kuptohej se midis bashkëbiseduesve ekzistonte një ndryshim jo i vogël lidhur me rrugët e mënyrat e ngritjes së popujve në luftën për liri dhe drejtësi shoqërore. Gjithsesi, secili shpalosi pikëpamjet e tij, duke mos iu kundërvënë shokut, çka ndikoi për mirë në mbarëvajtjen e dialogut.
Në fund, kryeministri shqiptar kishte përgatitur një dhuratë – surprizë.
Che Guevara e mori automatikun e dhuruar, u ul në gjunjë, e puthi armën dhe qetë-qetë u ngrit në këmbë. Gjithçka u krye me një solemnitet tepër të veçantë.
Enrico Berlinguer
Në vjeshtën e vitit 1973 kreu i P.K. Italiane Enrico Berlinguer shpall teorinë e tij komformiste “comprommesso storico” “kompromisi historik” e cila konsistonte që tanimë lufta politike do të zhvillohej vetëm në parlament ku forcat e majta duhet të merrnin pushtetin në rrugë parlamentare. Një teori që u përqafua nga Parti të tjera Komuniste Evropiane si ajo franceze (Zhorzh Marshe), etj.
Një goditje politike ndërkombëtare për regjimin e Hoxhës të cilët i shpallën menjëherë këta lider dhe Partitë e tyre si tradhtare të kauzës së revolucionit popullor duke iu vënë epitetin “revisionist”.

Joao Amazonas
Joao Amazonas ishte ndoshta miku më i shtrenjtë dhe më i ngushtë në rrafshin ndërkombëtar për Enver Hoxhën. Jo vetëm se ai ishte një marksist i betuar por dhe se ishte lider i PCB (Partia Komuniste e Brazilit), një parti e një vendi të madh dhe me shumë ndikim në kontinentin latino amerikan.
Ai në Kongresin e 4 të PCB të organizuar në nëntor të vitit 1954 ishte nga të parët që u vu kundër liderëve sovietik pas vdekjes së Stalinit, duke i akuzuar ata si revizionistë. Joao vazhdoi luftën politike brenda partisë së tij dhe në Brazil dhe më gjere. Dallohej si një lider i luftës, me temperament guerrilas dhe nuk pranonte kompromis.
Në vitet 1962 ai e intesifikon luftën politike si brenda dhe jashtë vendit, duke patur një partneritet me Kinën e Maos dhe Partinë e Punës së Shqipërisë së Hoxhës.
Joao vazhdon luftën politike deri në qendresë të armatosur kundër juntës braziliane në vitet 1972.

Raul Marco
Raul Marco ishte një nga partnerët më besnik të Enver Hoxhës në arenën ndërkombëtare. Ai ishte lider i PCE, Partisë Komuniste të Spanjës (marksiste – leniniste), që doli si fraksion i Partisë Komuniste të Spanjës.
Kjo parti ishte për lëvizje të armatosur pa kompromis kundër juntës së Frankos dhe për këtë arsye krijuan dhe FRAP (1971 – 1975), FRONTI REVOLUCIONAR, që në atë periudhë ndërmori mjaft protesta dhe veprime të dhunshme në vend.
Në vitet 1970 pas devijimit nga rruga marksiste – leniniste e PARTISË KOMUNISTE TË KINËS me Mao Ce Dunin, PCE dhe Raul Marco gjetën mbështetjen maksimale tek qeveria e Tiranës. Ata patën mbështetje ekonomike dhe politike nga Enver Hoxha. Në Tiranë kjo parti ngriti dhe një qendër operative dhe nëpërmjet RADIO TIRANËS ata bënin propaganda për idetë dhe thirrjet e tyre revolucionare në drejtim të popullit spanjoll.

Përgatitja e militantëve të partive marksiste – leniniste të rindërtuara ideologjikisht në Shkollën e Partisë dhe ushtarakisht në Zall Herr.
Kjo kishte si target përgatitjen nga regjimi i Hoxhës të grupeve paramilitare në Evropë por sidomos në Amerikën Latine për veprime terroriste dhe diversoniste me atentate dhe vendosje bombash në qytete të ndryshme të Evropës dhe më gjerë.