Nga Neritan Sejamini
Pak ditë më parë, po flisja me një mik, menaxher i lartë në Silicon Valley. Në bisedë ai përmendi Mira Muratin duke thene se ajo është sot “ndoshta njeriu më i kërkuar në botë në fushën e teknologjisë”. Kjo më nxiti të postoja dy komente faktike rreth saj në FB. Mora plot reagime, shumica privatisht—një pjesë shprehnin lavdërimet e rastit për të, ndërsa një pjesë tjetër vinin në dyshim atë vetë e rolin e saj apo kritikonin teknologjinë që ajo ka ndihmuar të krijohet.
U befasova sepse, në fakt, impulsi për të shkruar për Mirën më erdhi nga një mendim krejt tjetër që m’u ngul në tru pas bisedës me mikun tim: një vajzë e lindur dhe rritur në Shqipëri kur iu dha mundësia arriti të shkëlqejë në botë, por çfarë do kishte ndodhur me të po të kishte mbetur në Shqipëri?
E po mendoja: një emigrante, nga një vend i parëndësishëm, vjen në Amerikë dhe me aftësinë mendore e punën e saj, brenda pak vitesh, bëhet një nga njerëzit më të suksesshëm të këtij vendi, që ka përqendrimin më të madh në botë të trurit, kërkimit, shkencës.
E po mendoja përsëri: Çfarë ndodh në Shqipëri me një fëmijë që në shkollë të mesme bie në dashuri me kiminë, fizikën, inxhinjerinë, teknologjinë, apo astronominë? A duhet të largohet diku tjetër si e vetmja mundësi për të ndjekur pasionin?
Përgjigjia është e pakëndshme: jemi një shoqëri që ofron fare pak MUNDËSI dhe ku sundon një sistem që NUK shpërblen aftësinë, mundin, talentin, kurajën për të rrezikuar. Një shoqëri që nuk përmbush ëndrra.
Ky është PROBLEMI YNË thelbësor si shoqëri. Por ne nuk reflektojmë dhe nuk flasim fare për këtë problem — edhe pse flasim tepër shumë (shpesh me lehtësi e padije) për problemet e të tjerëve. Ja, ne ‘shqetësohemi’ se çfarë do e gjejë botën e madhe nga inteligjenca artificiale, ndërkohë dukemi të pashqetësuar cdo bëhet me inteligjencën natyrale të fëmijëve tanë të vegjël që mësojnë në shkolla pa kompjutera e laboratorë.
Ndjejmë shqetësim se mos vallë Mira nuk është aq e suksesshme sa thuhet në biznesin amerikan, por nuk shprehim ndonjë shqetësim për ‘biznesmenët’ injorantë e grabitqarë në Shqipëri, të cilët kanë kapur ekonominë e kanë monopolizuar të gjitha mundësitë, duke mbajtur larg çdo ide, talent e pasion (veç atij për të grabitur). Ne NUK shqetësohemi që e kemi kthyer tokën tonë në djerrë ku nuk lulëzon dot asnjë ‘mini Mirë’.
