16.5 C
Tirana
16 / 05 / 2026

Veliaj: Me projektet e mëdha ia ndërruam dhe nderuam faqen Tiranës, duke e kthyer në një kryeqendër ballkanike

Kryebashkiaku i Tiranes, Erion Veliaj në videomesazhin e tij javor për qytetarët e Tiranës, renditi disa nga projektet e mëdha të realizuara vitet e fundit.

“Nuk mund të rri pa përmendur disa projekte të mëdha, që ia ndërruan dhe ia nderuan faqen Tiranës, duke e kthyer në një kryeqendër ballkanike si: Sheshi “Skënderbej”, ku ne kemi pasur mundësinë të zhvillojmë një pafundësi aktivitetesh pa makina, i dedikuar për njerëzit; si “Pazari i Ri”, që është kthyer në një hapësirë ikonë për Tiranën; “Bulevardi i Ri”, që do të jetë Tirana e 100 viteve të ardhshme, si një zgjatim i shtyllës kurrizore të qytetit tonë; Stadiumi “Arena Kuqezi”, që me gjithë debatin, sot është kthyer në një hapësirë fantastike, jo vetëm për sport, por edhe për ekonominë lokale; sheshi “Italia”; siç është Kalaja, apo Piramida, që presim të hapim; apo si Parku i Liqenit, ku pastruam gjysmën e zaptuar në ish-komunën Farkë dhe ndërkohë shumë shpejt do të hapim Liqenin e Farkës, si mushkëria e dytë e qytetit,” u shpreh Veliaj.

Ai përmendi investimet në infrastrukturën arsimore ku nuk ishte ndërhyrë prej vitesh. “Vetëm kohët e fundit kemi hapur 43 shkolla të reja, që sot shërbejnë edhe si qendra komunitare, me standarde bashkëkohore europiane dhe me klasa të kodimit dhe teknologjisë, që s’i kemi parë kurrë më parë”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë tha se janë shtuar hapësirat publike dhe ato të gjelbra.

“Përkujdesja ndaj përditshmërisë dhe jetës së shëndetshme ka qenë një mision që e kemi ndjekur në çdo moment të këtij mandati dhe të kësaj skuadre në Bashkinë e Tiranës, përmes hapësirave publike, që janë kthyer në shërbim të komunitetit. Qytet më i pastër, qytet më i gjelbër në secilin cep të Tiranës sonë. Mbjelljes të thuajse 1 milion pemëve, jemi shumë afër rekordit më të madh të mbjelljeve të pemëve në Tiranë, të një transformimi të Parkut të Madh apo të shtimit të korsive të biçikletave, sidomos pas pandemisë, ku kuptuam që jeta aktive dhe ecja, apo vrapimi, apo përdorimi i biçikletës na ndihmon që të mbajmë një Tiranë më të shëndetshme,” shpreh ai.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x